Kard. Parolin: me armët e NATO-s në Rusi, shkallëzimi i luftës, i pakontrollueshëm
R.SH. – Vatikan
Ndërsa në Evropë zgjatet lista e vendeve, që lejojnë përdorimin e armëve të NATO-s në territorin rus, Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, flet për "perspektivë shqetësuese". Autorizimi i ushtrisë ukrainase për të goditur Rusinë me armët e vendeve perëndimore - hipotezë në qendër të samitit jozyrtar të ministrave të punëve të jashtme të NATO-s, mbajtur dje e sot (30-31 maj) në Pragë - do të çonte, sipas prelatit, në “një shkallëzim, që askush nuk do të mund ta kontrollojë më”.
“Është perspektivë vërtet shqetësuese”, shprehet kardinali nga Milano, ku paraqiti një libër për Bernardino Nogara-n, bankierin italian që themeloi Institutin për Veprat Fetare, apo IOR, siç njihet ajo, që njerëzit e konsiderojnë bankën e Vatikanit. Kardinali Parolin nuk e fsheh shqetësimin e tij për këto skenarë të mundshëm; të njëjtim shqetësim, pohon ai, duhet ta ketë "çdo njeri, që ka për zemër fatin e botës". Rreziku është real.
Medvedev: “ka rrezik që NATO të përfshihet në konflikt”
Pas SHBA-së edhe shumë vende të Evropës, anëtare të NATO-s i dhanë leje Ukrainës të përdorë armët e dhëna prej tyre për t’iu përgjigjur zjarrit, që vjen nga territori rus. Sot, Sekretari i shtetit amerikan Blinken njoftoi për një paketë të rëndësishme ndihme në favor të Ukrainës, për t’u diskutuar në takimin e korrikut për 75-vjetorin e Paktit të Atlantikut. Nga ana e tij, zv.kryetari i Këshillit të Sigurisë së Rusisë, Dmitry Medvedev, deklaroi se e ashtuquajtura “asistencë individuale” e vendeve të NATO-s, si në rastin kur qëllohet kundër raketave që nisen nga territori rus, ashtu edhe në rastin e mundshëm të dërgimit të trupave në Ukrainë, do të përbënte shkallëzim të konfliktit. Rusia do të përgjigjet me një forcë të tillë shkatërrimtare, që s’mund të mos e përfshijë në luftë Paktin e Atlantikut.
Impenjimi humanitar për kthimin e fëmijëve ukrainas
Përsa i përket Selisë së Shenjtë, siç shpjegoi kardinali Parolin, vijon impenjimi humanitar për kthimin në atdhe të fëmijëve ukrainas, marrë me dhunë. Ky angazhim “vazhdon jo me shumë shpejtësi, por po jep fryte".
Zgjedhjet evropiane, ushtrim i demokracisë
Duke iu përgjigjur pyetjeve për zgjedhjet e ardhshme evropiane, kardinali nënvizoi se Kisha nuk mban anën e ndonjë partie. Ai ritheksoi rëndësinë e "pjesëmarrjes, të shprehjes së votës, sepse kjo do të thotë zbatim dhe ushtrim i demokracisë". Njëkohësisht, kërkoi të mbahen parasysh ato “vlera të kandidatëve, që janë afër e të ngjashme me ndjeshmërinë katolike”.