Jubileu 2025, Imzot Fisichella: e domosdoshme të dëshmosh shpresën
R. SH. - Vatikan
Në orën 17:30 të së enjtes në mbrëmje, më 9 maj, Papa ua dorëzoi kryepriftërinjve të bazilikave papnore Bulën, që shpallte "Spes non confundit" Jubileun 2025. Bula u lexua në Bazilikën e Shën Pjetrit përpara se të kremtohej Mbrëmësorja II e Solemnitetit të Ngjitjes së Krishtit në qiell dhe kështu të shpallej zyrtarisht Jubileu i zakonshëm i vitit 2025. Nga hapja e Portës së Shenjtë në të parën nga bazilikat kryesore, më 24 dhjetor, deri në mbylljen e saj më 6 janar 2026, Roma, qyteti i Shenjtorëve Pjetër e Pal, do të mirëpresë 32 milionë njerëz, duke përfshirë të paktën 100 mijë besimtarë në këmbë, "shtegtarët e shpresës", të cilët do të jetojnë përvojën e ndjesës. Themelore në çdo Vit të Shenjtë, siç pohon në Vatican News imzot Rino Fisichella, pro-prefekt i Dikasterit për Ungjillëzimin.
Ta ndjekim intervistën me Imzotit Fisichella
Imzot Fisichella, pse hiri i ndjesës është edhe sot e kësaj dite udhë për t’u përshkuar?
Jubileu e ruan ende karakteristikën e tij ndër shekuj. Pak gjëra kanë ndryshuar në historinë e Jubileut. Jubileu i Papës Bonifaci VIII mbetet fillim i indulgjencës – domethënë i ndjesës a faljes së madhe. Termi indulgjencë ishte sinonim i mëshirës dhe i faljes shekuj më parë dhe Papa Bonifaci ofron, siç shkruan ai vetë në Bull, jo vetëm falje, falje të plotë, por shumë të plotë. Besoj se kjo është ende përvoja që mund të jetohet në jubileun e 2025-ës, pra përvoja e faljes dhe përvojës së mëshirës. Në fund të fundit, ne jetojmë edhe në një kulturë që flet pak për faljen, ndërsa inatet e urrejtjet po shtohen gjithnjë e më shumë, përballë formave të dhunës mbyllemi gjithnjë e më shumë në vetvete, ndërkohë që gjejmë një mundësi, me Jubileun, për të ndjekur me forcë rrugën e madhe të faljes.
Pse hiri i faljes është ende një rrugë për t'u ndërmarrë sot?
Para së gjithash, falja është angazhim konkret i dashurisë së krishterë. Nuk mund të harrojmë se falja është fryt i dashurisë. Ai që do - fal, ai që nuk do - nuk është i aftë të falë e ai që nuk fal - nuk është i aftë të dashurojë. Të dy termat janë të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën dhe njëra është pasojë e tjetrës. Prandaj, në një kontekst si ky i yni që kulturalisht jetohet me dhunë - të mos harrojmë luftërat që janë të pranishme, e as ato akte dhune që çdo ditë janë pjesë e jetës së përditshme të bashkësive tona të secilit prej nesh, veçanërisht për ata që jetojnë në qytete të mëdha - e gjithë kjo duhet të jetë angazhim që jep shpresë për të fituar faljen.
E dimë sesa mëshira, sakramenti i faljes, është në zemrën e Papës që propozon pikërisht fjalën shpresë. Pse?
Sepse bota e sotme ka nevojë për shpresë. Shpresa është e harruara e madhe në predikimin tonë. Flasim gjithmonë për fe e bamirësi, po kurrë për shpresë. E pra pikërisht për shpresë ka më shumë nevojë bota sot. Dhe jo vetëm për dhunën, por edhe më pozitivisht. Kush mund ta marrë përsipër të shikojë drejt së ardhmes pa pasur shpresë? Shpresa i përket etapave të jetës së secilit prej nesh, shpreson fëmija, shpreson adoleshenti, të rinjtë shpresojnë, të rriturit shpresojnë, të moshuarit shpresojnë, shpresa shoqëron etapat e jetës së njerëzve. Dhe ne duhet të jemi në gjendje ta shoqërojmë këtë shpresë me përmbajtje dhe shenja që e bëjnë konkrete. Jubileu dëshiron të jetë ky, dëshiron të jetë kujtim dhe provokim, sepse shpallja e shpresës, që është njoftim i ngjalljes së Jezu Krishtit, të mos e harrojmë, për ne të krishterët e thotë apostulli Pal - Krishti është shpresa jonë. Shpresa lind për ne nga siguria e ringjalljes së Jezusit, prandaj, edhe pse përballë me shumë forma të së keqes, me shumë forma të vdekjes dhe me kulturën e mortit, ne duhet të jemi lajmëtarë dhe dëshmitarë me shenja konkrete të jetës dhe shpresës.
Papa i sfidon besimtarët, i fton të dëshmojnë shenja shprese, por sfidon edhe ata që janë në pushtet, për t'i dhënë botës këtë impuls shprese. Padyshim mendojmë se të burgosurit mund të lirohen, borxhet të shlyhen. Si i sfidon Papa liderët e sotëm?
Papa ka shprehje shumë të forta në Bulë: u drejtohet atyre që kanë përgjegjësinë për qeverisjen e kombeve, në mënyrë që ata të zbatojnë, thotë ai, forma të amnistisë. Përdor një shprehje me shumë kuptime dhe shumë mundësi dhe kërkon që të falet borxhi që vendet e varfra kanë marrë nga institucionet ndërkombëtare. Kërkon edhe t'u kushtohet vëmendje e veçantë atyre që vdesin nga uria, ndërkohë që shpenzohen burimet financiare të destinuara për dhunën e luftës. Janë thirrje të ndryshme, që kombinohen edhe me angazhimin konkret të të krishterëve individualë. Papa kërkon të mos harrojmë se të gjithë ata që punojnë për paqen me duart e tyre janë vërtet të bekuar, domethënë janë pjesë e Mbretërisë së Zotit.
Në "Spes non confundit" Françesku flet për Jubileun edhe si lëvizje drejt Romës, duke nisur udhën drejt varreve të apostujve Pjetër dhe Pal. Çfarë rëndësie ka ky ndryshim fizik?
Shtegtimi është një nga shenjat që i përket jetës së Kishës, por edhe ikona e jetës së çdo njeriu, besimtar apo jobesimtar. Shpesh jemi endacakë, pra shkojmë, por pa cak, e kjo e dallon shtegtarin. Shtegtari e ka një destinacion përpara dhe jeta nuk mund të jetë endacake pa drejtim e pa pikën e kuptimit. Jeta duhet të ketë kuptim, duhet të ketë një drejtim, prandaj shtegtohet. Shtegtimi sot i përket veçanërisht botës së rinisë. Bota e të rinjve është entuziaste, kërkon të dalë në rrugë. E shohim sa herë që ka iniciativa për shtegtime. Madje mund të shihet çdo ditë. Në Romë presim rreth 100 mijë njerëz, 100 mijë shtegtarë që do të vijnë në këmbë dhe do të përfundojnë shtegtimin e tyre duke ecur në këmbë nga vende të ndryshme dhe duke treguar kështu vetë kuptimin e fjalës shtegtar, pra ai që kalon nëpër fusha, që i kalon kufijtë, sepse kufijtë i kapërcen ndjenja e unitetit të mbarë racës njerëzore dhe e vëllazërisë që duhet të na bashkojë të gjithëve. Shtegtimi mund të jetë mjet për të reflektuar mbi ekzistencën tonë, për t'u kthyer te vetja dhe për të kuptuar se kemi vërtet nevojë për Zotin Jezus.
E kishit fjalën për të rinjtë, po është edhe një fjalë tjetër që e përdor Papa: durimi. Pse është i rëndësishëm ky durim në dritën e shpresës?
Papa shkruan se në epokën e internetit, durimi është zhdukur plotësisht nga jeta jonë. Ne e duam gjithçka menjëherë dhe kjo është kultura e re dixhitale me aspektet negative të saj. Durimi, të cilin na e kujton Papa, ka një përmbajtje të thellë biblike. Durim nuk do të thotë të vuash e të durosh, ndërsa durim biblik do të thotë shumë më tepër, do të thotë të kesh guxim për të përballuar situatat dhe, si rrjedhim, do të thotë të kesh aftësi të presësh. Shpresa flet për pritje dhe për këtë arsye pritja kërkon nga secili prej nesh atë ndjenjë durimi që është këmbëngulja me të cilën shohim kalimin e kohës, por nuk dështojmë në sigurinë e shpresës që na është dhënë.
Si të jetohet ky çast jubilar që mbërrin në mes të rrugëtimit sinodal? Si janë të lidhura Sinodi dhe Jubileu?
Para së gjithash, sepse Sinodi dhe Jubileu janë udhëtim, një udhëtim i përbashkët, një udhëtim i të gjithë njerëzve të Zotit, as Bonifaci VIII nuk e dinte se çfarë ishte Jubileu dhe ne kemi dokumente që vërtetojnë pikërisht këtë. Prandaj është populli i Romës ai që e ka kërkuar Jubileun dhe rruga sinodale është rrugë e një populli, një populli në rrugëtim për të shpallur shpresën dhe sigurinë e shpresës me ringjalljen e Zotit. Të dy kanë të njëjtin qëllim: të sjellin Ungjillin e shpalljes së ringjalljes së Jezu Krishtit, që është shpresa jonë.
Viti 2025 është viti i Jubileut dhe të gjithë të krishterët do t’i kremtojnë Pashkët në të njëjtën ditë. Këtë vit, Papa flet për të në Bulën, është edhe 1700 vjetori i Koncilit Ekumenik të Nikesë. Si synon ky jubile të jetë një mundësi për të ecur përpara në unitet mes të krishterëve?
Papa thotë se fati i mirë i kremtimit të Pashkëve të gjithë së bashku vitin e ardhshëm është mundësi për t'i bërë njerëzit të kujtojnë se diatribat e së kaluarës nuk kuptohen më nga shumë njerëz sot. Prandaj, do të ishte e nevojshme një përpjekje e përbashkët për të arritur, të paktën të gjithë të krishterët, t’i festonin Pashkët në të njëjtën ditë. Por ky ishte debat i pranishëm edhe në Niké. Data e Pashkëve u diskutua edhe në Niké. Këtu, unë mendoj dhe shpresoj - e nga ky këndvështrim jam i bindur - se kremtimi i 1700-vjetorit të Koncilit të parë në historinë e Kishës mund të bëhet edhe angazhim shumë i fortë ekumenik për të gjithë të krishterët. Kryesisht, sepse Nikea, me gjithë diatrimet, vështirësitë, mundimet, përçarjet, Nikea e shkroi për herë të parë Besojmen, duke përdorur shprehjen "Ne besojmë". Deri në atë çast të gjitha besojmat që kemi nisin me "Unë besoj", sepse janë formulat e besimit të pagëzimit. Për herë të parë Kisha e Nikesë bëhet e vetëdijshme për kuptimin e fjalës “ne” të Kishës, një ne që gjatë shekujve ndoshta është harruar, ndoshta edhe ka pësuar dëmtime, ndoshta duhet të vëmë në dukje edhe ndarjet, por nuk duhet të na mungojë kurrsesi ndërgjegjësimi, përgjegjësia përpara botës së cilës duhet t’i dëshmojmë se jemi Kisha, jemi ne që besojmë, ne që shpresojmë, ne që dëshmojmë për ringjalljen e Zotit Jezus, ndaj nuk mund të dështojmë.