Kërko

Rapporto Amnesty 2023: aumentano le esecuzioni ma diminuiscono i Paesi che le effettuano Rapporto Amnesty 2023: aumentano le esecuzioni ma diminuiscono i Paesi che le effettuano

Imzot Paglia: Kisha profetike, në luftë kundër dënimit me vdekje në botë

Kryetari i Akademisë Papnore për Jetën kujton shifrat e botuara nga Raporti për dënimin me vdekje i Amnesty International, i cili dokumenton numrin në rritje të ekzekutimeve, përballë numrit të vogël të vendeve, që e praktikojnë: "Magjisteri na bën të shpresojmë se do të kemi harmoninë e edhe fuqinë për të nënvizuar kundërshtimin e kësaj mizorie të pabesueshme, të cilën Shkrimet Shenjte e patën ndaluar që në kohën e Kainit"

R.SH, / Vatikan

Shpresa është që shembulli i përhapur nga vendet, që e braktisën dënimin me vdekje, qoftë edhe përmes heqjes ose moratoriumit, të mund t’i frymëzojnë edhe ata, që ende e praktikojnë. Kryeipeshkvi Vinçenzo Paglia, kryetar i Akademisë Papnore për Jetën, i komenton kështu të dhënat e Raportit të Amnesty International për vitin 2023 mbi dënimin me vdekje në botë, duke theksuar se numri i madh i ekzekutimeve vërehet nga një grup i vogël vendesh.

Vitin e kaluar u regjistruan 1153 ekzekutime, numër që shënon +30%  në krahasim me vitin 2022, shifër më e lartë se kurrë në krahasim me atë të dhjetë viteve të fundit, por që i atribuohet një numri të vogël vendesh në krahasim me të kaluarën, 16 në tërësi, padyshim më i ulti i regjistruar deri më tani, sqaron Amnesty. Edhe sivjet në krye të listës është Irani dhe Arabia Saudite, me 89% të totalit të ekzekutimeve,  ndërkaq mungojnë numrat nga vende si Kina, Koreja e Veriut dhe Vietnami, që nuk i botojnë të dhënat.

Imzot Paglia, Raporti i Amnesty International 2023 tregon se ka ende shifra të mëdha për dënimin me vdekje, por në të vërtetë, është një pakicë vendesh, që e përdorin. Shpresa e organizatës është që këto vende të ecin me kohën dhe ta shfuqizojnë këtë dënim njëherë e përgjithmonë...

Sigurisht, unë besoj se ajo që thotë raporti tregon një aspekt pozitiv në kuptimin se numri i vendeve, të cilat e pezullojnë dënimin, e heqin atë, po zgjerohet. Problemi është se disa nga këto shtete fatkeqësisht e intensifikojnë këtë mizori, ndërsa unë shpresoj që shembulli, i cili vijon të përhapet, të mund të ndihmojë për të zhdukur këtë plagë, për shembull në disa vende si Republika Demokratike e Kongos, ku po përdoret kohët e fundit! Uroj që ky mjet mizor të shfuqizohet sa më shpejt. E jam i bindur se progresi do të na ndihmojë në këtë kuptim. Shqetësimi im qëndron në një këndvështrim tjetër, në atë të zhdoganimit, nëse mund të themi kështu, të luftës, armëve, ndjeshmërisë, që ia beson pikërisht armëve, atë që duhet ta bëjë politika, Ky është shqetësimi im më serioz që ndjej në këto çaste, kur duhet të lidhem me progresin pozitiv, i cili ekziston në një këndvështrim tjetër.

Një progres që Kisha e ka parë gjithmonë me shumë kujdes e me dëshira të mira: Kisha mëson se dënimi me vdekje është i papranueshëm nga çdo këndvështrim...

Është një profeci e bukur ajo e Shën Gjon Palit II, në vitet 1990, kur ndërmjetësonte kudo që kishte diçka për t’u bllokuar, për t’u ngadalësuar, për t’u shtyrë, për t’u shfuqizuar. Deri në deklaratën shumë të kthjelltë të Papës Françesku, i cili madje shkoi aq larg, sa ta shndërronte Katekizmin, gjë që e përsëriti me shumë qartësi edhe në dokumentin e fundit Dignitas Infinita. Edhe unë mund të jap dëshminë time të vogël. Më kujtohet kur, në vitet 1990, u përpoqëm me Bashkësinë e Shën Egjidit t’i nxisnim ipeshkvijtë amerikanë të përfshiheshin në këtë fushë, por u frenuam me kujdes. Javën e kaluar isha në Shtetet e Bashkuara dhe, në vend të kësaj ndalese, ka një lëvizje të krishterësh kundër dënimit me vdekje, mbështetur nga ipeshkvijtë. Shembull i vogël, por i shkëlqyer sepse kjo perspektivë nga Kisha Katolike është vërtet në shërbim të një humanizmi të ri, në të cilin dinjitet do të thotë respekt, mbrojtje, ndihmë për të gjitha jetët njerëzore.

Është ashtu siç pati thënë Benedikti XVI kur tërhoqi vëmendjen e të gjithë udhëheqësve të shoqërive lidhur me nevojën për të bërë gjithçka është e mundur për ta zhdukur dënimin me vdekje. Papa Ratzinger, pas Gjon Palit II, pastaj Papa Françesku, zë i vetëm kundër dënimit me vdekje...

Po, më duket se magjisteri i Kishës tani shprehet qartë në këtë këndvështrim, e kjo padyshim ngjall shpresë: harmonia dhe forca për të nënvizuar kundërshtimin e Kishës ndaj kësaj mizorie të pabesueshme, të cilën Shkrimet e kishin ndaluar që nga koha e Kainit. Kjo profeci e të gjithë magjisterit, siç bëri mirë ta kujtojë edhe Papa Benedikti XVI, besoj se është e vërtetë, siç është shkruar në Ungjill: kjo farë e hedhur në tokë, edhe nëse bujku fle apo rri zgjuar, kjo farë me siguri do të japë frytin e saj. Shpresë e madhe, edhe pse është e vërtetë kaq e bukur, kaq e fortë, sa për mendimin tim është vërtet e pandalshme.

31 maj 2024, 11:54