Kërko

Imzot Paul Richard Gallagher Imzot Paul Richard Gallagher

Imzot Gallagher: Selia e Shenjtë gjithmonë ka nxitur virtytin e “guximit të paqes”

Kryeipeshkvi Gallagher, në Shtegtimin e 64-të Ndërkombëtar Ushtarak, në Lourdes, nga 24 deri më 26 maj, pohon: "Situata gjeopolitike është aq e tensionuar dhe e polarizuar, sa duket tejet e vështirë të ketë paqe në mendje dhe në zemra. Veçanërisht sepse prodhuesit e armëve mbështesin dhe nxisin konfliktet, ndërsa përparimet teknologjike mbajnë një qëndrim gjithnjë e më të ftohtë dhe më të shkëputur përballë tragjedisë së madhe të luftës"

R.SH. / Vatikan

Diplomacia e Selisë së Shenjtë është gjithnjë në shërbim të paqes e të njeriut, diplomaci mëshire! Këtë e përsëriti edhe kryeipeshkvi imzot Paul Richard Gallagher, Sekretar i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare, me rastin e shtegtimit të 64-të ndërkombëtar ushtarak, kremtuar në Lourdes nga 24 deri më 26 maj. Pasditen e inaugurimit, prelati foli në Konferencën Ndërkombëtare të Autoriteteve, titulluar “Fluturimi i Pëllumbit”, përpara autoriteteve ushtarake, civile dhe fetare nga e gjithë bota.

“Në skenën ndërkombëtare, Selia e Shenjtë ka nxitur gjithmonë virtytin e ‘guximit të paqes’ - kujtoi imzot Gallagher, duke shpjeguar aspektin e parë të diplomacisë papnore - Duhet më shumë guxim për të bërë paqe, sesa për të bërë luftë. Kjo e fundit është "gjithnjë disfatë". Guximi për të zgjedhur takimet, në vend të  ndeshjes; dialogu, në vend të dhunës; negociatat, në vend të armiqësisë; sinqeriteti, në vend të hipokrizisë". Nganjëherë, megjithatë - ankohet- “situata gjeopolitike është aq e tensionuar dhe e polarizuar, sa bëhet shumë e vështirë të nxitet dhe të ngulitet paqja në mendjet dhe në zemrat. Sidomos sepse prodhuesit e armëve mbështesin dhe nxisin konfliktet, ndërsa përparimet teknologjike  mbajnë një qëndrim gjithnjë e më të ftohtë dhe më të shkëputur përballë tragjedisë së madhe të luftës."

“Duke kujtuar Shën Palin Apostull, Papa Françesku na kërkon të veprojmë me përvujtëri, me butësi, me zemërgjerësi - shtoi Sekretari vatikanas për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare - e ky është mësim i mirë për të gjithë ata që, si ju, përfshihen çdo ditë në skenën e marrëdhënieve rajonale, kombëtare dhe ndërkombëtare”.

Lidhur me diplomacinë shumëpalëshe, imzot Gallagher shpreson për një rinovim të OKB-së: «Sa e nevojshme është një reformë e funksionimit të Kombeve të Bashkuara (në veçanti të Këshillit të Sigurimit), në një mënyrë më përfaqësuese dhe duke pasur parasysh nevojat e të gjithë popujve! Kjo kërkon mbështetjen e të gjithë bashkësisë ndërkombëtare dhe rikthimin e frymës së Helsinkit”- pohoi Prelati.

Duke kujtuar aspektin e dytë të diplomacisë së Selisë së Shenjtë, atë të shërbimit ndaj njeriut, Imzot Gallagher theksoi se “pas gjithë këtyre konflikteve, gjithë këtyre tensioneve, gjithë këtyre situatave dramatike humanitare, ka qenie njerëzore, me emra dhe mbiemra”. “Duke vendosur personin njerëzor në qendër të veprimtarisë, diplomacia papnore kërkon të ndjekë thirrjen e saj dhe të ngrihet mbi çdo partikularizëm, duke iu drejtuar kujtdo që kërkon paqe, zhvillim dhe respekt për të drejtat e njeriut” - nënvizoi prelati - Ky rol "nuk është i frymëzuar nga shqetësimet kohore, por nga qëndrimi vërtet teologjik ndaj diplomacisë, parë si mjet për të arritur paqen, dashurinë dhe vëllazërinë".

Falë misionit të saj të lartë të shpalljes së Ungjillit dhe nxitjes së vlerave të drejtësisë, së vërtetës dhe mirësisë, Selia e Shenjtë i shoqëron kështu Kombet në ndërtimin e paqes dhe të vëllazërisë ndërmjet njerëzve, por edhe ndërmjet popujve - deklaroi Kryeipeshkvi Gallagher. E paanshme, pa asnjë interes personal, Selia e Shenjtë «mund të bëhet më lehtë ndërmjetëse dhe bashkëbiseduese. E lirë nga çdo ambicie politike, ekonomike apo ushtarake, ështe në gjendje ta kthejë praninë e saj në forcë dhe zërin e saj, në busull që drejton ndërgjegjet nëpër tragjeditë e kësaj bote".

“Në historinë e Kishës, dje si sot, ka njerëz të panumërt – besimtarë, të kushtuar apo politikanë – që ushtruan veprimtaritë e tyre politike apo diplomatike në emër të mëshirës”, theksoi sekretari për marrëdhëniet me shtetet dhe organizatat ndërkombëtare - duke u thelluar në aspektin e tretë të arsyetimit të tij. “Pra, për Kishën, mëshira është gjithashtu edhe kategori politike e diplomatike - vazhdoi Prelati – ndaj Papa Françesku e mbështet këtë rrugë, e cila na lejon të arrijmë formën më të lartë të drejtësisë, duke mbrojtur atë që është e drejtë dhe duke dënuar të padrejtën. Atëherë do të jetë e mundur të ndërtohen lidhje thellësisht njerëzore personale dhe shoqërore për të ndërtuar qytetërimin e dashurisë dhe për të promovuar "kulturën e takimit".

Prandaj, diplomacia papnore, «siç është zhvilluar dhe siç është çuar në mënyrë krijuese përpara nga Papa Françesku», mund të quhet “diplomacia e mëshirës”. “Duke lidhur mëshirën me diplomacinë, Papa ripohon parimin e asnjanësisë dhe refuzimit për të legjitimuar njërin apo tjetrin nga ndërluftuesit” – përfundoi Imzot Gallagher. “Neutraliteti, i vendosur shekuj më parë nga paraardhësit e tij, është pasuruar kështu nga Papa Françesku me këtë përmasë të re dhe me refuzimin për një pozicion thjesht politik të autoritetit papnor”.

27 maj 2024, 16:52