Imzot Gallagher: nga Këshilli i Evropës, kontribut vendimtar për paqen
R. SH. - Vatikan
L’Osservatore Romano
Selia e Shenjtë e ndoqi nga afër procesin e integrimit evropian që nga themelimi i Këshillit të Evropës, duke shprehur "interesim të thellë" për punën e tij si projekt paqeje. Kjo, deklarata e Sekretarit për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare, Kryeipeshkvit Paul Richard Gallagher, në fjalimin e mbajtur sot në Strasburg, gjatë mbledhjes së Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, në kuadër të kremtimeve të 75-vjetorit të lindjes së kësaj organizate.
Imzot Gallagher kujtoi vizitat e Gjon Palit II dhe të Françeskut në Këshillin e Evropës, duke u ndaluar posaçërisht tek fjalët e këtij të fundit kushtuar "shpresës së thellë" për "një bashkëpunimi të ri shoqëror dhe ekonomik", "të aftë për t’u përballë me botën e globalizuar duke inkurajuar ndjenjën e solidaritetit dhe të bamirësisë reciproke, tipar i përhershëm dallues i Evropës”.
Fjalë aktuale - sipas Gallagher - në kontekstin e «sfidave të paparashikuara me të cilat po përballet Evropa, veçanërisht në dritën e konfliktit të zgjatur ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës. Selia e Shenjtë - kujtoi - duke vazhduar përpjekjet e saj humanitare, veçanërisht në lehtësimin e kthimit të fëmijëve ukrainas në vendin e tyre, ripohon solidaritetin dhe lutjet e saj për popullsinë ukrainase.
Prelati më pas theksoi se Selia e Shenjtë e ndjek me vëmendje të veçantë konventën e re për Inteligjencën Artificiale, në mënyrë që, siç shpresohet nga Papa, rregullimi i sektorit të kontribuojë në "përpjekje të reja dhe krijuese" të afta për t'i dhënë fund luftërave dhe konflikteve. "Multilateralizmi mund dhe duhet të përtërihet, veçanërisht duke i kushtuar vëmendje të veçantë paprekshmërisë së dinjitetit të çdo njeriu dhe të drejtave universale të njeriut" - kujtoi Imzot Gallagher - sipas të cilit 75 vjetët e Këshillit të Evropës mund të theksojnë "rolin vendimtar të këtij Këshilli, që të japë ndihmesë për një paqe të qëndrueshme, tejet të nevojshme për këtë Evropë të dashur”.
Miratohet në Strasburg Marrëveshja e parë mbi IA
Ndërkohë, gjithnjë në Strasburg, Ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të Këshillit të Evropës miratuan sot konventën e parë ndërkombëtare, ligjërisht të detyrueshme, që synon të garantojë respektimin e të drejtave të njeriut, sundimin e ligjit dhe të demokracinë në përdorimin e Inteligjencës Artificiale (IA). Dokumenti, të cilin shtetet jo-evropiane mund ta ratifikojnë, "përcakton një kuadër ligjor që mbulon të gjithë ciklin jetësor të sistemeve të IA dhe përballon rreziqet që mund të sjellin, duke nxitur inovacionin e përgjegjshëm" - u theksua në Strasburg. Konventa "do të sigurojë që inteligjenca artificiale të respektojë të drejtat e njerëzve", deklaroi sekretarja e përgjithshme e Këshillit të Evropës, kroatja Marija Pejcinoviç. Teksti do të jetë i hapur për nënshkrim më 5 shtator, në Vilnius.