Imzot Caccia: me “zgjidhje ushtarake” nuk ka të ardhme për Lindjen e Mesme e për Ukrainën
R. SH. - Vatikan
Ajo që po ndodh në Ukrainë dhe në Lindjen e Mesme tregon se "zgjidhja ushtarake" nuk funksionon – e këtë e tregojnë mijëra jetë të humbura, familje të shkatërruara, së bashku me shtëpitë dhe infrastrukturën - dhe se duhet marrë një rrugë tjetër. Vëzhguesi i Përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë Kombeve të Bashkuara, Kryeipeshkvi Gabriele Caccia, në një intervistë për mediat e Vatikanit, kujton rrugët e nevojshme që duhen përshkruar për arritjen e paqes, duke vënë në pah mjetet, edhe ato në zotërim të diplomacisë ndërkombëtare, që mund ta lehtësojnë shkallëzimin e mëtejshëm dhe që akoma nuk janë përdorur.
Imzot Caccia si gjithnjë, flet për realitetin shqetësues të shpenzimeve të papara aktuale për armatimet në shumë vende, duke vënë në dukje se investime të tilla do të përdoreshin më mirë në programet e zhvillimit socio-ekonomik dhe të parandalimit të konflikteve e në nevojën për të rivendosur besimin, strukturat diplomatike dhe bashkëpunimin. Përsërit gjithashtu shqetësimin e madh të Kishës për rreziqet e armëve bërthamore, të cilat përfaqësojnë "një kërcënim ekzistencial për njerëzimin në tërësi".
Si vëzhgues i përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë Kombeve të Bashkuara prej pesë vjetësh, flet edhe për atë që beson se është e nevojshme, në mënyrë që organizata e madhe ndërkombëtare të mund të luajë vërtet një rol më të suksesshëm në favor të paqes.
Imzot Caccia, në skenarin aktual dramatik, Papa Françesku vazhdon të bëjë thirrje për paqe. Si është e mundur, bazuar në përvojën tuaj, të gjeni rrugët drejt paqes veçanërisht në konfliktet në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme?
Askush nuk ka zgjidhje “magjike” për këto konflikte, të cilat lindin nga një mori shkaqesh dhe nga këndvështrime të ndryshme të protagonistëve me përgjegjësi. Megjithatë, është gjithnjë e më e rëndësishme të përsëritet me guxim dhe bindje se vetëm paqja është zgjidhja dhe se përdorimi i dhunës dhe i konfliktit çojnë drejt vdekjes, përjetësojnë padrejtësinë dhe riprodhojnë urrejtjen. E kuptojmë, për të vijuar me dy rastet e konflikteve të përmendura, se e ashtuquajtura “zgjidhje ushtarake” jo vetëm nuk funksionon, por është edhe e paaftë për të planifikuar një të ardhme tjetër. Pikërisht ky vëzhgim, që fatkeqësisht do të thotë mijëra jetë të shkurtuara, familje të shkatërruara, shtëpi, punë, infrastruktura të rrënuara, paradoksalisht të ndërgjegjëson e të bind se duhet ndjekur një rrugë tjetër dhe se, ashtu siç ka shumë shkaqe që çojnë në luftë, ka edhe po aq arsye e njerëz, që mund të ndjekin rrugën e paqes. Papa nënvizoi se gjetja e rrugëve drejt paqes kërkon angazhim të sinqertë nga të gjitha palët e përfshira, dialog të hapur dhe konstruktiv e, mbi të gjitha, gatishmëri për të lënë mënjanë ndarjet dhe për të punuar për të mirën e përbashkët, me pajtim dhe solidaritet.
Sipas mendimit tuaj, a ka mjete që mund të lehtësojnë rrugët që nuk janë shkelur ende, qoftë edhe nga diplomacia ndërkombëtare?
I gjithë kapitulli i gjashtë i Kartës së Kombeve të Bashkuara e trajton zgjidhjen paqësore të mosmarrëveshjeve "nëpërmjet negociatave, hetimeve, ndërmjetësimeve, pajtimeve, arbitrazheve, rregulloreve gjyqësore, duke iu drejtuar organizatave rajonale ose marrëveshjeve", të cilat mund të marrin një seri të tërë nismash për të lehtësuar arritjen e zgjidhjeve të tilla. Prandaj ka shumë hapësirë për nisma të ndryshme, por dëshira e fortë dhe e përbashkët për t'i përdorur ato në përputhje me të drejtën ndërkombëtare mbetet themelore, përndryshe është e vështirë t'i zbatosh në praktikë.
Lufta është bërë me prepotencë aktuale vitet e fundit. Ka edhe luftëra të harruara nga media, në Mianmar, në Sudan, në Siri, në Jemen, në Republikën Demokratike të Kongos... Çfarë ju shqetëson më shumë për këtë klimë inkandeshente globale, ku një mori vendesh - sipas raportit të fundit të SIPRI (Instituti Ndërkombëtar i Kërkimeve të Paqes në Stokholm) – po shpenzojnë gjithnjë e më shumë për armatim?
Gjëja më shqetësuese është rreziku në rritje i “shkallëzimit” të konfliktit dhe i vazhdimit të vuajtjeve njerëzore. Kjo garë armatimi përfshin gjithashtu investime të mëdha, që do të shpenzoheshin më mirë në programet e zhvillimit socio-ekonomik dhe të parandalimit të konflikteve. Më qartë, e gjithë kjo zbulon një iluzion tinëzar, sipas të cilit siguria prodhohet me forcë dhe me armë, ndërsa ajo është fryt i marrëdhënieve të bazuara mbi besimin dhe përgjegjësinë reciproke. Në këtë kuptim, thirrja e Papës Françesku për "vëllazëri" ose për "miqësi shoqërore" kërkon sigurisht një "kthesë" të nevojshme, nëse dëshirohet me të vërtetë arritja e paqes.
Në raste të ndryshme Ju keni paralajmëruar rrezikun e madh të armëve bërthamore, që zotërojnë vende të ndryshme. Sipas jush, cilat janë rreziqet që mund të ketë njerëzimi në këtë fazë të historisë?
Kisha Katolike, besnike ndaj doktrinës së saj të dinjitetit njerëzor dhe mbrojtjes së paqes, shpreh shqetësim të thellë për rreziqet e armëve bërthamore. Këto armë përbëjnë një kërcënim ekzistencial për të gjithë njerëzimin, pasi mund të shkaktojnë shkatërrime në shkallë të gjerë, të dëmtojnë mjedisin dhe të shkaktojnë vuajtje të panumërta për brezat e sotëm e të ardhshëm. Në këtë kuptim, dënohet qartë jo vetëm përdorimi i tyre, por edhe pasja e armëve të tilla, moralisht të papranueshme, pasi bien ndesh me parimin e proporcionit në mbrojtje, duke rrezikuar të shkaktojnë dëme të pakthyeshme. Megjithatë, dua të shtoj se, sipas Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, përveç rrezikut bërthamor, ekzistojnë edhe dy realitete të tjera që paraqesin rrezik global për njerëzimin sot, domethënë ndryshimet klimatike dhe zhvillimi i pakontrolluar i të ashtuquajturës Inteligjenca Artificiale. Në të tre këto fronte dramatike zëri i Kishës dëgjohet qartë dhe bindshëm. Lidhur me energjinë bërthamore, Selia e Shenjtë, përveç nënshkrimit të Traktatit për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore, nxiti së fundi edhe atë të ndalimit të plotë të tyre, që hyri në fuqi për vendet nënshkruese në janar 2021. Në fushën e ndryshimeve klimatike, do të mjaftonte të kujtonim Enciklikën "Laudato si'" të Papës Françesku si dhe nxitjen apostolike më të fundit "Laudate Deum" në funksion të Konferencës së Palëve në Dubai, dhjetorin e kaluar. Së fundi, për temën e inteligjencës artificiale, Ati i Shenjtë dërgoi Mesazhin për Ditën e Paqes më 1 janar të këtij viti dhe tani po përgatitet të marrë pjesë në takimin e G7 muajin e ardhshëm në Pulia, ku do të flitet kryesisht për përmasën etike.
Papa Françesku pohoi se situata luftarake që po jetojnë shumë vende të botës, shkaktohet edhe nga dobësimi i atyre strukturave të diplomacisë shumëpalëshe që panë dritën e diellit pas Luftës II Botërore. Në ç’drejtim, sipas jush, është më i dukshëm ky dobësim?
Është para syve të të gjithëve një erozion i thellë dhe i gjerë besimi ndërmjet palëve në kontekstet e diplomacisë shumëpalëshe. Në vend të kësaj, besimi i ndërsjellë ndërmjet shteteve do të favorizonte bashkëpunimin, dialogun e hapur dhe zgjidhjen paqësore të konflikteve. Pa besim, marrëdhëniet ndërkombëtare mund të preken nga dyshimi, rivaliteti dhe armiqësia duke e bërë më të vështirë arritjen e marrëveshjeve dhe kompromiseve që mbështesin të mirën e përbashkët dhe paqen e qëndrueshme. Si shembull, mund të vërejmë përdorimin në rritje të vetos dhe veçanërisht të vetos së kryqëzuar në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Në pak më shumë se 5 muaj u përdor mirë 6 herë: në epokën pas Luftës së Ftohtë, vetëm më 2017 më se 7, por gjatë gjithë vitit.
Ju jeni Vëzhgues i Përhershëm i Selisë së Shenjtë në OKB prej pesë vjetësh. Çfarë nevojitet që kjo organizatë e madhe ndërkombëtare të luajë një rol më efektiv në promovimin e paqes?
Para së gjithash, pavarësisht çështjeve kritike që me të drejtë theksohen nga shumëkush, më duket se duhet rikonfirmuar me bindje ekzistenca e kësaj organizate parë si rezultat i madh dhe si mundësi e madhe. Në fund të fundit, është i vetmi mjet që kemi për të gjithë bashkësinë ndërkombëtare për të qenë në gjendje të takohemi, të ballafaqohemi dhe të dialogojnë në mënyrë të përhershme e të qëndrueshme. Si në të gjitha institucionet, rishikimet e vazhdueshme janë të nevojshme për të ecur me kohën e, në këtë kuptim, ka procese të ndryshme që synojnë të nxisin reformimin e sistemit. Por mbi të gjitha më duket se parimet e Kartës së Kombeve të Bashkuara e ruajnë gjithë vlerën e tyre, ndërsa mjetet dhe mekanizmat gjithashtu nuk mungojnë. Ndoshta është e nevojshme të rizbulohet ajo frymë që nxiti krijimin e kësaj organizate gati tetëdhjetë vjet më parë, për të rizbuluar rrugët që mund të çojnë drejt paqes sot. Më duket se kjo do të vihet në lojë në "Samitin e së ardhmes" që do të mbahet këtu, në Nju Jork, shtatorin e ardhshëm.