Gallagher: falënderojmë Zotin për dhuratën e lirisë në Kroaci e bëjmë thirrje për paqe
R.SH. – Vatikan
Dy ditë para vizitës së tij në Kroaci, ku do të kremtohet Zoja e Portës së Gurit, pajtorja e Zagrebit, imzot Paul Richard Gallagher, Sekretari i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet dhe me Organizatat Ndërkombëtare, kremtoi meshën për festën kombëtare të vendit, kryesuar pasditen e 28 majit, në Romë, në kishën e Shën Jeronimit, duke i ftuar besimtarët ta falënderojnë Zotin "për dhuratën e lirisë dhe të paqes" e "duke kujtuar themelimin e Parlamentit të parë shumëpartiak të zgjedhur në mënyrë demokratike më 30 maj 1990”. Kryeipeshkvi kërkoi gjithashtu lutje për dhuratën e paqes në të gjitha vendet e prekura nga luftërat dhe konfliktet, duke nënvizuar se për besimtarët "përpjekjet për paqen" janë detyrë e shenjtë e jo vetëm fryt i “nismës bujare të njerëzve vullnetmirë”. Citoi kështu Papën shenjt Gjon Pali II, në udhëtimin e tij të parë apostolik në Zagreb, në shtator 1994, duke shtuar se “paqja, nëse dëshirohet vërtet, është gjithmonë e mundur, por, për ta vendosur mbi themelet e drejtësisë dhe të së vërtetës, para së gjithash, duhet lutur Zoti”.
Zoti është i vetmi që mund të na japë lirinë e brendshme
Gjatë homelisë, imzot Gallagher u ndal në mënyrën me të cilën besimtarët e ndjekin Krishtin, gjë që çon në vështirësi, persekutime, probleme, të cilat "na ndihmojnë të fitojmë pjekuri dhe përgjegjësi më të madhe”, duke na çuar drejt lumturisë, pavarësisht nga pengesat. Shëlbimi, shpjegoi ai, "presupozon impenjimin personal", por, "në fund të fundit, është gjithmonë dhuratë e hirit të Tënzot". Është pikërisht i Gjithëpushtetshmi “i vetmi, që mund të na shpëtojë dhe ta ndryshojë zemrën e njeriut, duke i dhënë lirinë e brendshme dhe të jashtme nga të mirat materiale dhe nga siguri të tjera të rreme njerëzore, në mënyrë që njeriu të mbështetet vetëm tek Ai”. Duke komentuar faqen ungjillore, në të cilën Krishti i sqaron Pjetrit dhe dishepujve të tjerë se kushdo që lë "shtëpinë, ose vëllezërit, ose motrat, ose nënën, ose babanë, ose fëmijët, ose arat, për hirin tim dhe për hir të Ungjillit», merr «njëqind herë më shumë" që në të tashmen dhe "jetën e amshuar" në të ardhmen, prelati nënvizoi se "Jezusi nuk dëshiron të thotë se, për të qenë dishepujt e tij, duhet të përçmojmë të afërmit", por se "në bashkësi, ku pasuria nuk mbahet për vete por ndahet me të tjerët, pra, ku jetohet me dashuri, gjejmë pa fund vëllezër, motra, bij, nëna", prandaj, "familja natyrore është gjë e vogël në krahasim me bashkësinë e madhe të besimtarëve, në të cilën të gjithë ndihen 'të mbështetur’ nga dashuria e të tjerëve”.
Kontaktet ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Kroacisë nuk janë dobësuar kurrë
Së fundi, duke folur për dishepujt e vërtetë të Zotit, Sekretari vatikanas për Marrëdhëniet me Shtetet dhe me Organizatat Ndërkombëtare theksoi se Papa Françesku, në meditimin e mëngjesit, më 28 shkurt 2017, në kapelën e Shtëpisë së Shën Martës, vuri në dukje se Shën Pjetri dhe shenjtorët e tjerë tregonin një fytyrë të gëzuar, sy plot dritë e lumni në zemër, edhe "në mes të sprovave dhe të vështirësive”, ashtu si i lumi kroat, kardinali Alojzije Stepinac, martir gjatë komunizmit. Pikërisht atij, si edhe ndërmjetësimit të Zojës së Portës së Gurit e të Shën Jozefit, pajtor i Kroacisë, imzot Gallagher ia besoi vendin, "kontaktet e të cilit me Selinë e Shenjtë nuk janë dobësuar kurrë, megjithë betejat e shumta gjatë historisë".