Kërko

Papa Pio II Papa Pio II

Evropa treguar evropianëve, kozmografia e Papës Piu II

Botohet italisht vepra De Evropa e Papës humanist, përgatitur nga Ambasada e Urdhrit të Maltës pranë Selisë së Shenjtë. Në prag të zgjedhjeve evropiane, mund të jetë e dobishme të kujtojmë se ishte një Papë, Nikolla V, që ia ngjiti kontinetit tonë emrin Evropa, të nesërmen e marrjes së Kostandinopojës.

R.SH. - Vatikan

E është gjithmonë një Papë, Piu II, ai që shkroi një traktat mbi Evropën, me vlerë të rëndësishme historike edhe sot e kësaj dite. Kjo është edhe arsyeja pse teksti, i përkthyer së fundmi vetëm në italisht, ka arritur në botimin e tij të dytë falë angazhimit të Urdhrit Sovran Ushtarak të Maltës dhe Ambasadës së tij pranë Selisë së Shenjtë.

Botimi i parë, siç kujton ambasadori italian Antonio Zanardi Landi, u botua në kohën e Presidentit të Republikës Italiane Giorgio Napolitano. E ishte ai që ia solli si dhuratë Benediktit XVI. E tani është kardinali italian Gianfranco Ravasi ai, që firmos esenë hyrëse të tekstit, botuar nga IF Press.

Por kush është Europa? Dhe çfarë e përcakton kulturën evropiane? Teksti i Papës humanist na e shpjegon shumë mirë, siç kujtoi kardinali Ravasi në një ditë studimi, organizuar nga Ambasada SMOM pranë Selisë së Shenjtë.

Europa, ose më mirë De Europa siç shkruhet në tekstin latinisht, është një libër që mund të lexohet me pasion, sepse itinerar i vërtetë gjeopolitik, por edhe mësim jete - siç kujton Manlio Sodi që e redaktoi botimin. Një vepër e lindur pas pushtimit të Kostandinopojës e cila u tregon evropianëve të sotëm se çfarë është në të vërtetë qytetërimi i Evropës së krishterë. Po, sepse ajo është qendra e vëllimit, edhe nëse nuk është krejtësisht e qartë kështu. Pas pushtimit turk, Evropa mbyll radhët kulturore. Jo se nuk ka konflikte mes popullsive evropiane. Por për të kapërcyer mosmarrëveshjet, mbështetet mbi një kod të përbashkët.

Evropa e Piut II është si arkipelag a si mozaik, ende për t'u formuar. Çka përshkruan ai, është në çdo rast Evropa me dy mushkëri, siç e përsëriti Gjon Pali II. Sepse lindja ka të njëjtën hapësirë ​​me perëndimin. Por rreziku vjen nga Lindja. Tashmë në Evropë, pra në vendin tonë, në shtëpinë tonë, në shtabin tonë na kanë goditur e vrarë” - shkruan Enea Silvio Piccolomini përballë avancimit turk. Megjithatë, ishte vetë Piu II ai që i shkroi sulltanit për ta nxitur të kthehej e deshi të niste edhe një kryqëzatë të re, tashmë të pamundur. Po kjo nuk e pengoi t’i bënte thirrje Evropës të mbronte krishterimin.

Historiografia po, por edhe ungjillëzimi kujtohet në këtë vepër jashtëzakonisht humaniste, e cila është histori edhe e jetës së përditshme në mesin e viteve 1400 e, kur mbërrin në Romë, flet për tre Papë: Eugjenin IV, Nikollën V dhe Kalistin III.

Stili është i thatë, i shpejtë, sepse Papa Piu II vuan nga sulmet e dhunshme të përdhesit, ndaj zgjedh formën "më të shkurtër të mundshme". Na lë kështu, trashëgim,  siç shkruan ai vetë: "fakte të denja për t'u kujtuar dhe të njohura, që kanë ndodhur në kohën e Perandorit të tretë me këtë emër, Frederikut, ndërmjet evropianëve dhe banorëve të ishujve, të cilët llogariten ndër të krishterët". Historia dhe e ardhmja ndërthuren. E koha e largët bëhet fare e afërt, kur e harron kohën tënde, duke rijetuar simbolikisht në kohën e Enea Silvio Piccolominit, kohë e largët që, megjithatë, i ngjet kohëve tona…

28 maj 2024, 10:12