Kërko

Papa Giovanni Paolo II incontra i giovani in aula Paolo VI, 1986.03.28 Papa Giovanni Paolo II incontra i giovani in aula Paolo VI, 1986.03.28

Të rinjtë rikthehen në Sheshin e Shën Pjetrit, 40 vjet pas takimit të parë me Gjon Palin II

Për të kujtuar takimin historik të 14 prillit 1984, Qendra Rinore Ndërkombëtare San Lorenzo, me patronazhin e Dikasterit për Laikët, Familjen dhe Jetën dhe Fondacionin Gjon Pali II për Rininë, fton, të shtunën, më 13 dhe të dielën, më 14 prill, në disa kremtime, kushtuar kujtimit të ngjarjes, që i dha shtytje fillimit të DBR-së.

R.SH. / Vatikan

Në Romë, dy ditë - për të festuar dyzet vjet nga takimi i parë i të rinjve në Sheshin e Shën Pjetrit, mbledhur nga Gjon Pali II më 14 prill 1984. Të kushtuara kujtimit dhe rëndësisë së asaj, që ishte fara e Ditëve Botërore të Rinisë, organizohen nga Qendra Ndërkombëtare Rinore San Lorenzo (CSL) me patronazhin e Dikasterit për Laikët, Familjen dhe Jetën dhe Fondacionin Gjon Pali II për Rininë. Programi përfshin një procesion me Kryqin e Rinisë të shtunën, më 13 prill, në orën 18:00 - nga Sheshi i Shën Pjetrit - në Qendrën Ndërkombëtare Rinore San Lorenzo, në Udhën Atë Pankraci Pfeiffer, 24 -  ndjekur nga një meshë në orën 19:00, kremtuar nga Kardinali José Tolentino de Mendonça, prefekt i Dikasterit për Kulturën dhe Arsimin, dhe një vigjilje lutjeje e adhurimi të Kryqit.

Të dielën, më 14 prill, në orën 18.15, në Qendrën San Lorenzo do të kremtohet një Meshë, e kryesuar nga Kardinali Lazarus You Heung-sik, prefekt i Dikasterit të Klerit dhe do të jepen disa dëshmi.

Drejt DBR-së së Seulit

 Prania e Kardinajve de Mendonça dhe Ju Heung-sik në këto dy ditë, synon të krijojë simbolikisht një urë ndërmjet DBR-së së fundit në Lisbonë 2023 dhe DBR-së së ardhshme, në Seul 2027 - shpjegon një deklaratë nga Qendra Ndërkombëtare Rinore San Lorenzo e cila, duke kujtuar edhe Vitin e Shenjtë 2025, inkurajon të rinjtë të rinisen, me lutje dhe vëllazëri, nga mesazhi i krishterë, si shpresë për të gjithë.

Të rinjtë e Qendrës kujtojnë ftesën që u drejton Papa Françesku të rinjve, duke i nxitur të nisen sërisht “nga kumtimi, themel i shpresës për ne dhe për mbarë njerëzimin: “Krishti jeton!”, duke kujtuar Mesazhin e botuar më 25 mars të kaluar, në 5-vjetorin e nxitjes apostolike post-sinodale Christus Vivit, e duke parë "kontekstin aktual ndërkombëtar, të dërmuar nga barra tepër e rëndë e konflikteve, e vuajtjeve" që çojnë pa dyshim, në dëshpërim të thellë dhe humbje shpresash!

Takimi i parë botëror i të rinjve

14 Prilli 1984, data e takimit historik të të rinjve, qe menduar si Jubile Ndërkombëtar i Rinisë, parë si pjesë e Vitit të Shenjtë të Shëlbimit, në 1950 vjetorin e Ringjalljes së Jezusit, shpallur nga Gjon Pali II dhe kremtuar nga 25 marsi 1983, deri më 22 prill 1984. Me atë rast, 300.000 të rinj nga e gjithë bota u dyndën në Romë, të pritur nga rreth 6.000 familje romake. Të nesërmen Papa Wojtyla përfundoi Jubileun Rinor gjatë Engjëllit të së Dielës së Palmave. Në Pashkët e 22 prillit, u ngarkoi të rinjve një kryq prej druri, si simbol "i dashurisë së Zotit Jezus për njerëzimin” dhe si kumt që tregon se vetëm në Krishtin e vdekur dhe të ringjallur ka shpëtim dhe ringjallje”. E u dha të rinjve atë ditë edhe një takim për të Dielën e Larit të vitit pasardhës, shpallur nga OKB-ja si Viti Ndërkombëtar i Rinisë.

Që atëherë, "Kryqi i Rinisë" u bë simbol i Ditëve Botërore të Rinisë, që nisen, pa mbarim! Që nga viti 2003, Kryqit iu shtua edhe ikona e Zojës Salus Populi Romani, dhuruar edhe kjo, nga Gjon Pali II.

Dy simbolet ruhen në Qendrën Ndërkombëtare të Rinisë San Lorenzo, për të shtegtuar shpesh në dioqezat katolike të mbarë botës, kur fillojnë rishtas  Ditët Ndërkombëtare të Rinisë.

12 prill 2024, 15:24