Kard. Parolin: të shmanget shkallëzimi në Lindjen e Mesme
R. SH. - Vatikan
I madh, shqetësimi për situatën në Lindjen e Mesme, por Sekretari i Shtetit, Kardinali Pietro Parolin, merr frymë i lehtësuar duke parë se të paktën deri tani, pas sulmeve të anasjellta të Iranit dhe Izraelit, konflikti nuk është shkallëzuar, siç trembeshin të gjithë”. E shoh se të gjithë po punojnë që kjo të mos ndodhë" - pohoi Kardinali Parolin në takimin me gazetarët, në përfundim të konferencës organizuar nga Agidae, në Universitetin Papnor Urbanian, kushtuar veprave apostolike të organeve kishtare. “Më duket se deri tani gjërat më të këqija, shkuan mjaft mirë, në kuptimin se çka dreshtëm, nuk ndodhi, ndërsa të dyja palët po përpiqen të mos provokojnë, për të mos e zgjeruar konfliktin” - vëren Kardinali - duke kujtuar lajmet më të fundit nga Lindja e Mesme.
Ndërsa, lidhur me qëndrimin e Shteteve të Bashkuara, të cilat përsëritën mbështetjen e tyre për Tel Avivin, por jo për një kundërsulm ndaj Iranit, Kardinali Parolin përsërit: "Besoj se duhet të shmangim gjithçka mund të çojë në shkallëzim e, mbi të gjitha, të sigurojmë që situata të mos dalë jashtë kontrollit, kur askush nuk do të mund ta kontrollojë më: kjo ndodh nëse nuk ka angazhim nga të gjithë për të moderuar pozicionet e tyre”.
Ndeshje në La Sapienza: dhunë e pajustifikueshme
Për temën e luftës në Lindjen e Mesme, Kardinali Parolin iu përgjigj një pyetjeje mbi ndeshjet e fundit gjatë demonstratave të organizuara nga studentët e Universitetit La Sapienza, të cilët kërkojnë të ndalojnë projektet e bashkëpunimit akademik me Izraelin në frontin e kërkimit. “Personalisht - kujtoi Sekretari i Shtetit - e kam pak të vështirë ta kuptoj këtë mënyrë reagimi. Natyrisht, secili ka të drejtë të shprehë mendimin e vet, por më duket se duhet bërë gjithmonë në formë dialogu, duke pasur parasysh edhe shkaqet e qëndrimet e secilit. Sigurisht, dhuna nuk justifikohet në asnjë rast. Besoj se mund të ketë një diskutim për këtë, por diskutim paqësor, diskutim të arsyeshëm'”.
Aborti: “Në favor të mjeteve, që pohojnë të drejtën e jetës”
Në dialogun me gazetarët nuk mungoi as tema e abortit, në lidhje me propozimin për përfshirjen e komisioneve për jetën në klinika. Propozim që po ngjall disa polemika. “Ne jemi për jetën dhe gjithë ato mjete, që mund të lejojnë të afirmohet e drejta e jetës, veçanërisht për gratë, të cilat kalojnë çaste të vështira” - nënvizoi kardinali - duke shpjeguar se nuk dëshiron të hyjë në aspektet teknike të propozimit.
Mos i penalizoni familjet, që zgjedhin shkolla private
Së fundmi një thirrje që familjet, të cilat zgjedhin shkolla private për fëmijët e tyre, të mos “penalizohen”. Në këtë drejtim, Parolin kujton fjalët e Benediktit XVI i cili "e përkufizoi arsimin si emergjencë të kohës sonë". “Liria e arsimimit dhe liria e familjes i lejon plotësisht prindërit të zgjedhin llojin e edukimit, që duan t'u japin fëmijëve të tyre” - kujtoi Kardinali. “Është e rëndësishme - nënvizoi më pas - të ketë mbështetje për shkollat private, që të mos dënohen prindërit të cilët vendosin t’i edukojnë fëmijët e tyre në këto shkolla”.