Il cardinal Gianfranco Ravasi, biblista Il cardinal Gianfranco Ravasi, biblista

Jubileu, historia dhe rrënjët në Shkrimin Shenjt

Në të përditshmen e Vatikanit l Osservatore Romano, studiuesi i Biblës, kardinali Ravasi, përshkon zanafillën e Jubileut të Vitit Shenjt nga Besëlidhja e Vjetër - tek Ungjijtë.

R.SH. / Vatikan

Është e zakonshme të nisë rrëfimi embrional i "jubileut" me tingullin e bririt të dashit: jehona vinte nga Jeruzalemi, çante ajrin dhe përshkohej nga fshati në fshat. Tani, në tekstin hebraik të të gjithë Testamentit të Vjetër, termi jobel duket njëzet e shtatë herë: gjashtë herë nuk dyshohet fare se do të thotë “briri i dashit”, ndërsa në njëzet e një herë të tjetra, ka të bëjë me vitin jubilar. Faqja kryesore, që duhet shfletuar, është kapitulli 25 i librit të Levitikut. Tekst i ndërlikuar, i radhitur në librin e bijve të Levit, pra të priftërinjve, libër ceremonial, me rregulla të imta dhe të përpikta, që kanë të bëjnë me ritualet e tempullit të Jeruzalemit.

Një premisë filologjike

Termi jobel tingëllon mbi të gjitha në atë tekst, por gjendet edhe në kapitullin e 27-të. Versioni i vjetër grek i Biblës, i quajtur tradicionalisht Septuaginta, duke u ndeshur me këtë fjalë - jobel - në vend që ta përkthejë me fjalën "jubile" - vit jubilar, e përktheu sipas një kanuni interpretativ: áphesis, që në greqisht do të thotë "çlirim", apo edhe "falje". Kjo fjalë do të jetë shumë e rëndësishme për Jezusin, sepse - siç do ta shohim - ai nuk flet për jubile, por përdor termin áphesis në greqishten e Lukës. Në të vërtetë, në Besëlidhjen e Re nuk ekziston fjala "jubile". Prandaj, të Shtatëdhjetët, përkthyes të lashtë të Biblës, kaluan nga një fakt kulti jashtëzakonisht i shenjtë (festimi i vitit jubilar që fillon me tingullin e bririt të dashit në një datë shumë specifike, në lidhje me solemnitetin e Kipurit, domethënë, i shlyerjes së mëkatit të Izraelit) në një koncept etik, moral, ekzistencial: falja e borxheve e çlirimi i skllevërve (që ishte përmbajtja e jubileut). Tema e jubileut, pra, u zhvendos nga gjuha dhe akti liturgjik, në gjuhën dhe përvojën etiko-sociale. Ky element është i rëndësishëm edhe sot për të mos e reduktuar jubileun e krishterë vetëm në një festë apo ritual bazë, por për ta shndërruar atë në një paradigmë të jetës së krishterë. Disa studiues kanë menduar se termi "jobel" nuk duhet të lidhet me tingullin e bririt të dashit, por me rrënjën hebraike jabal, që do të thotë "të shtysh, të kthesh, të largosh". Interpretimi, sidoqoftë, duket pak i sforcuar, sepse "përjashtimi" nuk do të thotë domosdoshmërisht çlirim, ai nuk ka gjerësinë e termit grek të lartpërmendur áphesis, që e mori, me theks të veçantë, vetë Jezusi. Përpjekje të tjera filologjike japin shpjegime të ndryshme, por duhet pranuar se elementi fillestar është një ritual i caktuar. Hamendëson  tingujt e bririt të dashit, që jepnin lajmin e fillimit të një viti të caktuar, në ditën e dhjetë të muajit të vjeshtës Tishri, në përkim me shtator-tetorin tonë, muaj, në të cilin ra edhe Kipuri. Është interesante të theksohet se në gjuhën fenikase, në një farë mënyre motra më e madhe e hebraishtes, e njëjta rrënjë, pra tri bashkëtingëlloret, në bazë të fjalës jobel, d.m.th. jbl, tregon "dhinë", një përbërës domethënës i Kipur. Prandaj nuk ka dyshim se tingulli i borisë që kumton një kohë të shenjtë, është në bazë të termit "jubile", por tensioni që të çon drejt polit tjetër, atij të përkthimit greqisht, nuk duhet harruar: nuk është vetëm i një riti, është një element që duhet të ketë ndikim të thellë në ekzistencën e një populli. Pas kësaj hyrjeje, ne përpiqemi të mbledhim dhe të ilustrojmë disa tema themelore jubilare, që në një farë mënyre ndërthururen me njëra-tjetrën.

Pushimi i tokës

Sipas tekstit biblik, tema më origjinale është “pushimi” i tokës. Sipas skemës sabatike, me të cilën koha matej brenda traditës biblike, toka tashmë duhej të pushonte çdo shtatë vjet. Sipas këshillave të Levitikut, 25, toka duhej të pushonte edhe në vitin jubilar, që pasonte. Angazhimi do të dukej jopraktik dhe i vështirë për t'u zbatuar. Është e mundur që toka të pushojë për një vit, veçanërisht në një qytetërim si ai i Lindjes së Afërt të lashtë, ku nevojat ishin shumë më të ulëta se tonat dhe jeta ishte shumë më e kursyer. Por lënia e tokës të pushojë për dy vjet radhazi (i dyzet e nënti sabatik dhe jubileu i pesëdhjetë), në një ekonomi kryesisht bujqësore, do ta kishte vënë mbijetesën në krizë. Prandaj, ose viti jubilar ishte bërë që të përkonte me vitin e shtatë të javës së shtatë, ose jubileu, më tepër se një zbatim konkret, ishte mbi të gjitha shpresë, shenjë utopike, vështrim përtej mënyrës së zakonshme të jetesës. Të lësh tokën të pushojë, do të thotë të mos e mbjellësh dhe të mos i korrësh frytet e saj.

Kjo zgjedhje, nga njëra anë, na bën të kuptojmë se toka është dhuratë, sepse, edhe në sasi më të vogla, gjithsesi arrin të prodhojë diçka. Frutet e saj do të jenë më të pakta, por nuk do të mungojnë. Kështu do të na kujtojë se ciklet e natyrës varen nga Krijuesi e jo vetëm nga puna e njeriut. Është kujtimi i një rekordi tjetër, atij transhendent. Nga ana tjetër, në këtë periudhë u bënë përpjekje për ta kapërcyer pronën private dhe fisnore, që secili të mund të merrte nga toka atë që ofronte, pa respektuar kufijtë dhe gardhijet e regjistrit të tokës. Praktikisht është njohja e destinacionit universal të mallrave, ku gjithçka i përket gjithkujt. Kjo temë mund të ketë rëndësi të madhe edhe në shoqërinë e sotme. Në të, njerëzimi mund të përfaqësohet nga një tryezë e shtruar në të cilën disa, nga njëra anë, kanë grumbullim të tepruar mallrash, ndërsa pjesa tjetër e njerëzve, nga ana tjetër, turmë që është aty pranë, por që mund të shijojë vetëm mbeturinat dhe thërrimet. Nuk ekziston më ideja e pronësisë universale të mallrave, para ndonjë prone private. Në këtë këndvështrim, do të ishte e këshillueshme të shfletonim enciklikën Laudato si' të Papës Françesku.

Falja e borxheve dhe rikthimi i tokave

Tema e dytë, po aq origjinale, është falja e borxheve dhe kthimi in pristinum (pronarit fillestar) i tokave të tjetërsuara dhe të shitura. Në vizionin biblik, toka nuk ishte pronë e individit, por e fiseve dhe familjeve klanore. Secila prej tyre kishte territorin e vet të veçantë, dhuruar gjatë shpërndarjes së famshme të tokës pas pushtimit të Kanaanit, siç lexojmë në librin e Jozuehit (rreth 13-21). Sa herë, për arsye të ndryshme, klani humbte tokën e tij, në një farë kuptimi, humbte ndarjen e dëshiruar nga Zoti. Me jubileun, pra çdo gjysmë shekulli, rikrijohej harta e tokës së premtuar, ashtu si e deshi Perëndia, përmes dhuratës hyjnore të ndarjes së tokës ndërmjet fiseve të Izraelit. Atëherë të gjithë morën pjesën e tyre, përveç fisit të Levit, i cili jetonte me kontributet e ofruara nga fiset e tjera për shërbimin në tempull. Për borxhet ndodhi e njëjta gjë.

Në fillim të periudhës kohore jubilare, të gjithë ndjeheshin të barabartë, me pak mallra, por të njëjta.  Më pas, disa humbën pasuritë për shkak të fatkeqësive, të tjerët, për shkak të përtacisë ose paaftësisë. Pas pesëdhjetë vjetësh u vendos të kthehej në pikën fillestare, duke krijuar mundësinë që të gjithë të ishin në një nivel bashkimi absolut, ideal, utopik të të mirave, domethënë,  në barazi të plotë. Kështu, u bë e zakonshme që gjithçka të shpërndahej sipas fiseve të ndryshme e çdo familje rifitoi pronat, tokat dhe të gjithë fëmijët e saj. Në një thirrje nga libri i Ligjit të Përtërirë (Deuteronomit), kjo përtritje shoqërore i propozohet vazhdimisht hebreut, në mënyrë që ta konsiderojë si modelin shoqëror për të jetuar, pavarësisht nga vetëdija se është projekt ideal, që nuk mund të arrihet kurrë plotësisht. Në Librin e Ligjit të Përtërirë lexojmë: «Të mos ketë asnjë nevojtar mes jush [...] dhe nëse ka ndonjë vëlla nevojtar mes jush, mos e ngurrosni zemrën dhe mos e mbyllni dorën» (15, 4,7).

Një zgjedhje, kjo, jo vetëm e respektimit ideal të vëllazërisë dhe solidaritetit, por që nënkupton edhe konkretësinë e "dorës", pra veprimin, angazhimin konkret shoqëror. Le të kujtojmë profilin e bashkësisë së krishterë të Jeruzalemit në të cilën - siç përsërit Luka në disa raste në Veprat e Apostujve - "askush nuk e quajti atë që i përkiste, pronë e tij, por gjithçka ishte e përbashkët për ta " (4, 32).  

Çlirimi i skllevërve

Tema e tretë strukturore e jubileut biblik është po aq e mprehtë dhe sfiduese. Jubileu ishte jo vetëm vit i faljes së borxheve, por edhe i çlirimit të skllevërve. Libri i Ezekielit (46, 17) flet për jubileun si për vitin e çlirimit, të shëlbimit, vitin në të cilin ata që kishin hyrë në shërbim për të shpëtuar nga mjerimi, u kthyen në shtëpitë e tyre, me borxhet e falura dhe me rikthimin e tokës së tyre dhe lirisë së tyre. U bënë rishtas njerëzit e eksodit, popull i çliruar nga barra e skllavërisë dhe e diskriminimit. Në këtë rast ishte propozim ideal, që synonte të krijonte një bashkësi në të cilën të mos kishte më lidhje shpërdorimi të njëri-tjetrit, të mos kishte më pranga në këmbë dhe të mund të ecte i bashkuar drejt një qëllimi të vetëm! Është e qartë sa vlerë ka edhe për historinë tonë, në të cilën vërehen një numër i pafundmë formash të skllavërisë: varësia nga droga, trafikimi i prostitutave, shfrytëzimi i fëmijëve në nivel pune a seksual, pornografia e fëmijëve dhe shumë e shumë forma të tjera të egra nënshtrimi. M

und të mendojmë edhe për të gjithë ata popuj që janë praktikisht skllevër të superfuqive, sepse me borxhet e tyre janë absolutisht të paaftë për të qenë arbitra të fatit të vet. Veprimtaria e disa shumëkombësheve është shpesh formë e vërtetë e tiranisë ekonomike, që shtyp disa kombe dhe shoqëri. Kumbimi i fjalës jubilare të lirisë, pra, ka një domethënie të madhe edhe në kohën tonë, e kjo është e vërtetë nëse kemi parasysh thirrjen për çlirim shpirtëror! Njeriu mund të jetë i lirë nga jashtë, por nga brenda skllav, i lidhur nga zinxhirë të padukshëm, siç janë kushtëzimi social i komunikimit masiv, sipërfaqësimi, vulgariteti dhe varësitë nga infosfera. Në një fragment shkëputur nga libri i Jeremisë (34, 14-17), Profeti shpjegon me forcë shembjen dhe skllavërimin e Jerusalemit dhe të Judesë nga babilonasit në vitin 586 para Krishtit, pikërisht si dënim i Zotit për faktin se judenjtë nuk i kishin liruar skllevërit me rastin e Jubileut. Egoizmi kishte bërë që norma e madhe e lirisë të mos praktikohej dhe, si pasojë, patën për hise ndëshkimin hakmarrës nga ana e Zotit që e kishte bërë rishtas skllav Izraelin.

Jubileu i Jezusit

Në fillim të predikimit të tij publik, sipas Ungjillit të Lukës, Krishti hyri në sinagogën modeste të fshatit të tij, Nazaret. Atë të shtunë u lexua një tekst i Isaisë (Kreu 61) dhe ishte radha e tij që ta shpallte dhe ta komentonte. Përmes atyre fjalëve, u paraqit si i dërguar nga Ati për të përuruar një jubile të përsosur, që do të zgjaste gjatë shekujve në vijim dhe të cilin të krishterët do të duhej ta kremtonin në shpirt dhe vërtetësi: «Shpirti i Zotit është mbi mua; për këtë arsye më vajosi dhe më dërgoi për t’u shpallur lajmin e mirë të varfërve, për t’u shpallur lirimin të burgosurve e për t’u kthyer dritën e syve të verbërve, për të liruar të shtypurit e për të predikuar vitin e hirit nga Zoti" (Luka, 4, 18-19). E kjo - përveç asaj të Besëlidhjes së Vjetër - është rrënja tjetër e jubileut të krishterë.

Sipas fjalëve të Jezusit, horizonti i Vitit Shenjt bëhet paradigmë e jetës së të krishterit, që zgjeron dhe përqafon të gjitha vuajtjet, program i misionit të Krishtit dhe  Kishës. "Viti i hirit të Zotit", domethënë i shëlbimit të tij, përfshin katër gjeste themelore. I pari është "ungjillëzimi i të varfërve": folja greke është pikërisht ajo që ka në bazë fjalën ungjill, "lajmin e mirë", "mesazhin e lumtur" të Mbretërisë së Zotit. Të paracaktuarit janë "të varfërit", dmth të fundmit e tokës, ata që nuk e kanë forcën e fuqisë politike dhe ekonomike, por kanë zemrën e hapur për fenë. Jubileu është i paracaktuar t’i rikthejë në qendër të Kishës të përulurit, të varfërit, të mjerët, ata që nga jashtë dhe nga brenda varen nga duart e Zotit e të vëllezërve të tyre.

Liria është akti i dytë jubilar, akt që - siç e pamë - ishte tashmë në jubileun e Izraelit. Po Jezusi, megjithatë, e ka fjalën për të burgosurit në kuptim të ngushtë dhe metaforik, e këtu shqiptohen ato fjalë, të cilat ai do t’i përsëriste në skenën e gjykimit, në fund të historisë: "Isha i burgosur, e ju erdhët të më vizitoni" (Mateu, 25, 36).

Angazhimi i tretë është t'i kthejë "të verbërve dritën e syve", një gjest që Jezusi e bëri shpesh gjatë jetës së tij tokësore: mjafton të mendojmë vetëm për episodin e famshëm të njeriut, që kish lindur i verbër (Gjoni, 9). Kjo ishte, sipas Testamentit të Vjetër dhe traditës hebraike, shenja e ardhjes së Mesisë. Errësira, që e mbështjell të verbërin, nuk është vetëm shprehje e vuajtjes së madhe. Mbi të gjitha, është simbol. Na kujton verbërinë shpirtërore, që nuk përkon me atë fizike! Është pamundësia për të parë thellë, me sytë e zemrës dhe të shpirtit. Verbëri e vështirë për t'u çrrënjosur, ndoshta më shumë se ajo fizike, që i mbërthen shumë njerëz, në shpirtrat e të cilëve duhet të depërtojë një rreze drite.

Si angazhim i katërt dhe i fundit, propozohet çlirimi nga shtypja që nuk është vetëm skllavëria e përmendur më lart lidhur me jubileun hebre, por përfshin të gjitha vuajtjet dhe të këqijat që ndrydhin trupin dhe shpirtin. Këtë do të dëshmojë i gjithë shërbimi publik i Krishtit. Qëllimi ideal i jubileut të vërtetë të krishterë është, pra, kjo tetralogji shpirtërore, morale, ekzistenciale.

( Nga Kardinali Gianfranco Ravasi, l'Osservatore Romano)

11 prill 2024, 12:09