Imzot Gallagher me kryeministrin vietnamez Phạm Minh Chính Imzot Gallagher me kryeministrin vietnamez Phạm Minh Chính

Imzot Gallagher takohet me kryeministrin e Vietnamit në Hanoi

Vijon vizita e Sekretarit të Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet dhe me Organizatat Ndërkombëtare në Vietnam (9-14 prill). Bisedimet me kryeministrin Phạm Minh Chính dhe zyrtarë të tjerë qeveritarë u zhvilluan në një atmosferë shumë të përzemërt. U nënvizuan marrëdhëniet pozitive ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Vietnamit. Takimet me bashkësinë katolike vietnameze janë planifikuar për në Hanoi, Hue dhe Ho Chi Minh City

R.SH. – Vatikan

Dje pasdite, 10 prill, Sekretari i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet dhe me Organizatat Ndërkombëtare, imzot Paul Richard Gallagher, u takua me disa përfaqësues të qeverisë vietnameze në Hanoi, përfshirë kryeministrin Phạm Minh Chính, ministrin e Jashtëm Bùi Thanh Sơn dhe ministren e Brendshme Phạm Thị Thanh Trà.

Bisedimet u zhvilluan në një atmosferë shumë të përzemërt. Kryeministri Phạm Minh Chính deklaroi se marrëdhëniet ndërmjet Vietnamit dhe Selisë së Shenjtë janë shumë pozitive dhe janë forcuar më tej me marrëveshjen e korrikut të kaluar për përfaqësuesin rezident papnor, konsideruar gur kilometrik në historinë e marrëdhënieve dypalëshe. Kryeministri nënvizoi se Vietnami është vend me shumë fe, ndjekur nga 27 milionë besimtarë, që përbëjnë 27% të popullsisë. Bashkësia katolike po rritet me shpejtësi e aktualisht, numëron mbi 7,2 milionë besimtarë.

Imzot Gallagher me ministrin e Jashtëm vietnamez Bùi Thanh Sơn
Imzot Gallagher me ministrin e Jashtëm vietnamez Bùi Thanh Sơn

Imzot Gallagher, nga ana e tij, u shpreh me kënaqësi për marrëdhëniet e mira dypalëshe, duke shpresuar që takimi i radhës, i njëmbëdhjeti i Grupit të Përbashkët të Punës Vietnam-Seli e Shenjtë, të mbahet së shpejti. Kryeipeshkvi vuri në dukje kontributin e bashkësisë katolike në zhvillimin e shoqërisë vietnameze. Gjatë bisedimeve u fol edhe për një vizitë të mundshme të Papës Françesku në Vietnam.

Programi i vizitës së imzot Gallagher parashikon gjithashtu, një kremtim eukaristik në katedralen e Shën Jozefit në Hanoi, një takim me studentët e Seminarit të Madh të Hue, së bashku me meshën në katedralen "Phu Cam", një tjetër kremtim eukaristik në katedralen "Notre Dame" në Ho Chi Minh City, si edhe takimin me Konferencën Ipeshkvnore Vietnameze.

Imzot Gallagher me ministren e Brendshme vietnameze Phạm Thị Thanh Trà
Imzot Gallagher me ministren e Brendshme vietnameze Phạm Thị Thanh Trà

Në një letër drejtuar Kishës së kombit aziatik, shtatorin e kaluar, Papa Françesku i ftoi besimtarët katolikë të jetojnë si "të krishterë dhe qytetarë të mirë", duke dëshmuar dashurinë e Zotit "pa dallim feje, race dhe kulture". Marrëdhëniet ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Vietnamit u ndërprenë në vitin 1975, por, që nga viti 1990, u bënë disa hapa përpara. Në vitin 2011, Papa Benedikti XVI emëroi një përfaqësues papnor jorezident. Dhjetorin e kaluar, Papa Françesku emëroi nuncin polak Marek Zalewski përfaqësues rezident papnor në Vietnam.

11 prill 2024, 14:44