Kërko

 Via Crucis Via Crucis

Udha e Kryqit e të padukshëmve

Organizuar nga Caritas i Romës dhe Salezianët e Bazilikës së Zemrës së Krishtit në Castro Pretorio, kremtimi i ritit zhvillohet sot pasdite në rrugët përreth stacionit Termini, vend kalimi për shumë turistë, por edhe vend braktisjeje për të pastrehët. Drejtori i Caritas Trincia: "Pashkët janë mesazh paqeje dhe për këtë lagje, ku duhen respektuar shumë të drejta, por ku vijojnë të paguajnë edhe njerëzit më të ligësht”.

R.SH. / Vatikan

Një dritë në fytyrat e atyre që jetojnë në errësirë; një dritë në rrugët përreth stacionit Termini të Romës, për të treguar problemin e bllokimit të trafikut; një dritë që është edhe përgjigje dhe shenjë vëllazërimi, e vetmja mënyrë për të hapur diskutim dhe dialog. Për këtë u mor nisma e "Udhës së Kryqit”, titulluar “T'i japim zë të padukshmes", organizuar nga Caritasi dioqezan, në bashkëpunim me salezianët e bazilikës famullitare të Zemrës së Krishtit në Castro Pretorio, që do të nisë sonte, 22 mars, në orën 18:45. Përpara kishës do të jenë vullnetarë dhe të pastrehë, të cilët duke u nisur nga bazilika, do të mbërrijnë në hotelin e Caritas “Don Luigi Di Liegro”. Prijës i Via Crucis do të jetë Imzot Michele di Tolve, ipeshkëv-ndihmës i dioqezës së Romës.

Shenjë vëllazërie

Rrugët e Romës, si ato të Jeruzalemit, e ky është paralelizmi i kërkuar dhe i dëshiruar në këtë nismë. Një kryq që kalon mes zhurmave të së përditshmes, mes indiferencës dhe armiqësisë, mes klithmave dhe heshtjes, mes atyre që janë gati të marrin mesazhin e paqes që po ky njeri i vdekur në kryq sjell në botë, ndërsa për atë që beson "është ftesë - shpjegon Giustino Trincia, drejtor i Caritas-it të Romës - për të bërë diçka më shumë". "Ideja - thotë ai - lindi për të përkuar me përgatitjen për Pashkë, sepse Pashkët janë mesazh shprese e paqeje. Pikërisht në zonën e stacionit Termini, në via Marsala, në Romë, duhet mesazhi i paqes, i shpresës. Duhet gjetur një çelës për të zgjidhur konfliktet e shumta që ekzistojnë". Trincia nuk e fsheh rëndësinë e garantimit të sigurisë për ata që udhëtojnë, për ata që punojnë në zonë, nevojën për të respektuar të drejtat dhe interesat legjitime të botës ekonomike. “Por - shton ai - nëse nuk nisemi nga çelësi i të kuptuarit të vëllazërisë, nga fakti se përpara Zotit Atë jemi të gjithë bij e bija, vëllezër e motra, këto konflikte rrezikojnë të lexohen vetëm në këndvështrimin e më të fortit, atij që është i pajisur më mirë, që ka fuqi më të madhe ekonomike apo fuqi më të madhe zgjedhore.

 Prandaj, Via Crucis në Via Marsala do të jetë "shenjë e dukshme e një udhe reflektimi dhe meditimi të thellë mbi Jezusin e Nazaretit".

22 mars 2024, 16:03