Reliket e Shën Françeskut dhe Shëna Ndout, në San Salvatore in Lauro
R.SH. / Vatikan
Një ampulë që përmban fragmente të trupit të Shën Françeskut të Asizit dhe një relikuar i lashtë me zhgunin e Varfanjakut. Dy reliket e çmuara që vijnë nga Bazilika e Dymbëdhjetë Apostujve Shenjtën dhe Kisha e Shën Franceskut në Ripa, në Romë, do të ekspozohen në Shenjtëroren e Shën Shëlbuesit në Lauro, në Romë, nga 16 deri më 24 mars.
Meditim mbi varrët e Krishtit, me Shën Françeskun
Me rastin e tetëqindvjetorit të varrëve të Françeskut, Pajtori i Italisë u vu në qendër të një sërë nismash të planifikuara nga shenjtërorja, për të medituar mbi Mundimet e Krishtit në atmosferën e Javës së Madhe. Ushtrimet shpirtërore për popullin, siç thuhet në një njoftim për shtyp, do t'i predikojë studiuesi biblik, imzot Carmine Pellegrino çdo pasdite, nga data 17 deri më 20 mars, në orën 17.00, ndërsa në mbrëmje, imzot Daniele Belgiori do t'ua predikojë ushtrimet shpirtërore meshtarëve.
Programi
Pasditen e së premtes, 22 mars parashikohet ekzekutimi i Stabat Mater të Giovanni Battista Pergolesi, i ndjekur më pas nga mesha solemne e kryesuar nga kardinali Gianfranco Ravasi.
Më 23 mars, përsëri në San Salvatore in Lauro, do të vijojë përkujtimi mujor i Atë Piut, që do të përfundojë në orën 18.00 me meshën e kryesuar nga kardinali Mario Grech, sekretar i përgjithshëm i Sinodit. E fundit do të jetë Eukaristia e kremtuar nga Kardinali Angelo Comastri pasditen e së Dielës së Larit, pasuar nga përfundimi i nderimit të relikeve.
Reliket e Shëna Ndout të Padovës
Në shenjtëroren e San Salvatore, në Lauro, në Romë, në muajin prill, nga data 22 deri më 28, do të mbërrijnë edhe reliket e Shëna Ndout nga Bazilika e Padovës. Nismat përfaqësojnë një mënyrë për të festuar 200-vjetorin e shenjtërores dhe për t'u lutur për paqe me ndërmjetësimin e dy Shenjtorëve të mëdhenj.