Kard. Parolin: rreze shprese për armëpushim në Lindjen e Mesme
R. SH. - Vatikan
Shpresa për armëpushim, në konfliktin e Lindjes së Mesme. E rikujtoi Sekretari i Shtetit të Vatikanit, Kardinal Pietro Parolin, në përfundim të punimeve të "Katedrës së Mikpritjes", mbajtur në Sacrofano. Duke folur për TV2000, stacioni televiziv i Konferencës Episkopale të Italisë, kardinali Parolin komentoi situatën në Tokën Shenjte: "Në Lindjen e Mesme duket një rreze shprese. Shikojmë se diplomacia po punon për të siguruar armëpushimin dhe, si rrjedhim, edhe hyrjen e ndihmave humanitare, që më duket se është pika më delikate. Nga sa kam dëgjuar drejtpërdrejt prej burimeve lokale, do të ketë furnizim me ushqime dhe ilaçe. E nuk do të mungojë as kujdesi mjekësor”.
"Gjithsesi, e shoh që është e vështirë, nuk është aspak e thjeshtë. Por të paktën më duket se e kuptoj - shtoi kardinali - se ka një aktivitet, se ka një farë lëvizjeje. Le të shpresojmë se kjo përpjekje mund të fitojë pjekurinë dhe të bëhet armëpushim i mirëfilltë për ato troje aq të munduara”.
Papa është mirë
Kardinali Parolin foli edhe për shëndetin e Papës, i cili të mërkurën e kaluar, më 28 shkurt, pas audiencës së përgjithshme, shkoi në spitalin Gemelli-Isola Tiberina të Romës për "disa analiza diagnostikuese". “Ati i Shenjtë është mirë, e pashë mbrëmë. Pas takimit - më tha se nuk ka absolutisht asnjë problem dhe se është shëruar edhe nga gripi”- pohoi Sekretari i Shtetit të Vatikanit. “E gjeta shumë mirë mbrëmë! Edhe vetë Papa më siguroi në këtë drejtim”.