Kërko

Mesha në Kapelën Paoline: përurim i Vitit Gjyqësor Mesha në Kapelën Paoline: përurim i Vitit Gjyqësor   (VATICAN MEDIA Divisione Foto)

Kard. Parolin: burgosja nuk është ndëshkuese, por "shpëtimtare"

Sekretari i Shtetit të Vatikanit, Kardinali Parolin, kryesoi dje në kapelën Pauline, Meshën për inaugurimin e vitit gjyqësor në Vatikan: njohja e rrethanave lehtësuese në ushtrimin e drejtësisë nuk duhet të ngatërrohet me "bamirësinë" e përgjithshme, si mëshira e Zotit - e pakushtëzuar dhe e përhershme për të gjithë - por nënkupton "njohjen e qartë të së keqes së bërë si dhe dënimin, që pason"- pohoi.

R. SH. - Vatikan

Osservatore Romano

Ashtu si në shëmbëlltyrën e djalit plangprishës babai, edhe pse "dëshiron ta mirëpresë djalin më të vogël që kthehet" por në asnjë mënyrë nuk "do ta përligjë atë që bëri ose ta zvogëlojë peshën e së keqes", ashtu edhe drejtësia në njohjen e rrethanave lehtësuese nuk duhet "të ngatërrohet" me mirësi të thjeshtë, edhe sepse nuk i shlyen kërkesat që lidhen me dëmshpërblimin për veprën penale, as nuk e pakëson barren e së keqes së kryer”. Këtë  nënvizoi Sekretari i Shtetit të Vatikanit, Kardinali Pietro Parolin, gjatë kremtimit eukaristik kryesuar të shtunën në mëngjes, më 2 mars, në Kapelën Pauline të Pallatit Apostolik, që i parapriu inaugurimit të vitit të 95-të gjyqësor të Gjykatës të Qytet-Shtetit të Vatikanit. Duke kujtuar fragmentin ungjillor nga Shën Luka, të propozuar nga liturgjia, Kardinali  ftoi për të reflektuar mbi kategorinë e drejtësisë, “nevojave të së cilës jemi thirrur t'u përgjigjemi - kujtoi - pavarësisht nga shumëllojshmëria e gjendjeve të jetës dhe misionit të secilit”. Para së gjithash – theksoi - ekziston "drejtësia e rendit kohor, e shprehur përmes ligjeve dhe normave, e cila kërkon të respektohet dhe të zbatohet përmes funksionit gjyqësor", sepse e nevojshme për "ruajtjen e rendit bazë të marrëdhënieve njerëzore dhe ndalimin e dhunës dhe të shpërdorimit”. Këtij - vërejti Kardinali Parolin - i shtohet një aspekt tjetër i nocionit, të cilin "populli i Izraelit e jetoi gjatë historisë së Besëlidhjes së Vjetër" dhe që "shpjegohet mirë nga shumëllojshmëria e kuptimeve, që mund të lidhen me hebraishten, me termin hesed, në të cilin përkojnë jo vetëm drejtësia, por njëkohësisht edhe mirësia, besnikëria, hiri, dashuria dhe mëshira". Pikërisht në të - përsëriti - gjendet "qendra, zemra e zbulesës së Besëlidhjes së Re të kryer përmes Zotit Jezu Krisht", që synon t'u tregojë njerëzve dashurinë e Atit, në mënyrë që ata "të mund të jetojnë më në fund si bijtë e tij dhe si vëllezër”. Pikërisht prej këndej - përsëriti Sekretari i Shtetit - mund të kuptohet më qartë shëmbëlltyra e djalit plangprishës, e cilësuar edhe si shëmbëlltyra “e Atit të mëshirshëm”, pasi “e pasqyron shumë mirë zemrën e Zotit, që është zemërgjërë, durimtar, që na jep një shembull konkret të drejtësisë së tij”: "ofertë e vazhdueshme dhe e pakushtëzuar e faljes për njeriun mëkatar". Por nuk duhet harruar edhe se nënkupton "njohjen e qartë dhe dënimin pasues të së keqes së bërë".

Një aspekt i dytë i mëshirës hyjnore - vazhdoi Kardinali - është se  ndryshon "nga amnistia e thjeshtuar dhe e përgjithësuar", sepse ajo, edhe pse "e dhënë pa kushte dhe pandërprerje", ka nevojë për pendesë, që e keqja e kryer të mos përsëritet. Kjo lëvizje e "pranimit të lirë dhe të vetëdijshëm" - vuri në dukje Karadinali Parolin - e nxit mëkatarin të zbulojë "se Ati jo vetëm e pret, por edhe se, pasi e ka përqafuar,  urdhëron të organizohet një festë për nder të tij", duke i  njohur "dinjitet edhe më të lartë  se më parë".  

Kardinali arriti në përfundimin se Kreshmët janë "kohë e favorshme për shpëtimin tonë".  

Për sfidat e përballuara e të fituara e të tjerave akoma për t’u luftuar, foli edhe promotori i Drejtësisë, Alessandro Diddi, në përshëndetjen drejtuar Papës në fillim të audiencës, në Sallën e Bekimit, duke nënvizuar  se viti i sapopërfuduar pati procese të rëndësishme si në sektorin civil, ashtu edhe në atë penal, të ndjekura me vëmendje të madhe nga organet e shtypit të huaj.

03 mars 2024, 11:38