Imzot Chica Arellano: vetëm paqja mund ta eliminojë makthin e varfërisë
R.SH. – Vatikan
Për t'iu kundërvënë elementeve të shumta të paqëndrueshmërisë në botë - si konfliktet e armatosura ("që sjellin vetëm vdekje dhe shkatërrim"), ndryshimet klimatike dhe degradimi i burimeve natyrore - të cilat po e shtojnë pasigurinë ushqimore, duhet t’i bëjmë ballë "së bashku dhe në të gjitha nivelet, problemit të varfërisë, që lidhet ngushtë me mungesën e ushqimit të mjaftueshëm”. Kështu pohoi Vëzhguesi i përhershëm i Selisë së Shenjtë në FAO, IFAD dhe WFP (të gjitha organizata të OKB-së, që kanë të bëjnë me ushqimin e varfërinë në botë), imzot Fernando Chica Arellano, në "Konferencën Rajonale për Lindjen e Mesme" në Aman, kryeqytet i Jordanisë.
Përfaqësuesi papnor shtoi se Papa Françesku e ka përsëritur shpesh rëndësinë e ndërhyrjeve, që kontribuojnë në "çrrënjosjen e plotë të urisë dhe të kequshqyerjes". Prandaj, “masat për të kontrolluar krizat, para se ato të kthehen në emergjenca humanitare” janë të nevojshme, por për të garantuar nisma të tilla, “është themelore të punohet për paqen”, përfundoi ai. Vetëm paqja mund ta "zhdukë makthin e varfërisë dhe të mjerimit".