E Hëna e Shpirtit. Si të lutesh, kur të duket se nuk vlen për asgjë!
R.SH. / Vatikan
Kemi hyrë në Javën e Madhe e të Shenjtë! Afrimi i Pashkëve i bashkon sërish familjet e ndara nga puna dhe studimi. Ose të paktën përpiqet t’i bashkojë. Mundësi e mrekullueshme, por që rrezikon t'i bëjë ata të cilët jetojnë një çast të vështirë, të ndihen edhe më të vetmuar. Gjendje që e provoi edhe poetja e përshpirtshme Marie Noël, kur i drejtoi Zotit fjalë të dala nga zemra:
Nuk kam më asgjë, nuk jam asgjë!
Ndjenja e zbrazëtisë e shtyn të kërkojë ndihmë në krahët e mëshirshëm të Atit. Britmë, që lind nga vuajtja:
“Historia e shpirtit tim është historia e grurit. Në pranverë isha bar në erë, isha lule, isha lojë, isha gëzim.
Atëherë, o Zot, të desha.
Në verë gruri im u bë për t’u korrur, e unë nisa një punë për ty.
Punë që e humba në vjeshtë!
Tani, o Atë, nuk kam asgjë për të të dhënë. Nuk jam më lule as fryt. Nuk jam më unë, as ndokush tjetër që më ngjet.
Nga thyerja - në thyerje - u bëra pluhur; grurë i rrahur, miell i bluar, bukë e ardhur, e gatuar, e përtypur, e shkatërruar.
Nga unë nuk mbeti më asgjë!
O Zoti im, nuk kam më as lule, as fruta, as zemër, as vepra për Ty;
asgjë tjetër, veç një kafshate të varfër buke të thatë.
Buka jote është imja, ashtu si je edhe ti vetë, o Zot”.
Dy fjalë për Marie Melanie Noël,
Marie Melanie Noël lindi në Auxerre, Francë, më 16 shkurt 1883. Mbiemri i saj i vërtetë ishte Rouget. Vendosi ta quante veten Noël kur vëllai i saj dymbëdhjetë vjeçar vdiq papritur në ditën e Krishtlindjes (Noël në frëngjisht). Ajo ngjarje tragjike, së bashku me një zhgënjim të madh, i la gjurmë të fortë në shpirt. Poete e thellë, Marie Noël vdiq më 23 dhjetor 1967. Për të ka nisur çështja e lumnimit.
(nga Avvenire, Riccardo Maccioni, 25 mars 2024)