Në Vatikan, simpozium mbi antropologjinë e thirrjeve dhe të ardhmen e krishterimit
R.SH. / Vatikan
Do të mbahet në Vatikan më 1 dhe 2 mars, simpoziumi “Burrë-Grua: shëmbëlltyrë e Zotit, për antropologjinë e thirrjeve”, ku do të marrin pjesë Papa Françesku dhe specialistë ndërkombëtarë të Shkrimit Shenjt, filozofisë dhe teologjisë, shkencave humane dhe pedagogjisë. Nderimet e rastit do t’i bëjë Kardinali Marc Ouellet, prefekt nderi i Dikasterit të Ipeshkvijve. Synimi i këtyre dy ditëve, organizuar nga CRAV (Centre de Recerche et d'Anthropologie des Vocations) është të ofrojë një vizion të përditësuar të antropologjisë së krishterë, në epokën e pluralizmit dhe të dialogut ndërmjet kulturave, për të mbështetur kuptimin e jetës si thirrje.
Trajtim i temave si martesa, meshtaria, jeta e kushtuar
Në simpozium mund të marrin pjesë gjithë të interesuarit e, në program, ekspertë të shumtë të thirrur për t'iu përgjigjur pyetjes: "Kujt i drejtohet thirrja e Zotit?". Simpoziumi synon thellimin në antropologjinë e krishterë, duke prekur tema të tilla si martesa, meshtaria dhe jeta rregulltare. Për të zbuluar bukurinë e çdo profesioni, Kardinali Ouellet shpjegon: “Epoka e krishterimit ka përfunduar dhe një epokë e re në transmetimin e trashëgimisë kulturore dhe shpirtërore të të krishterëve kërkon që besimtarët e mbarë botës të ripozicionohen përballë një mjedisi që është bërë i huaj, indiferent apo edhe armiqësor edhe në vendet tradicionalisht katolike. Një nga fushat më befasuese të këtij ndryshimi epokal është antropologjia, ku eklipsi i referencave fetare dhe autoriteti në rritje i shkencave njerëzore po krijojnë panoramën e vizioneve të kundërta të qenies njerëzore. Këto luhaten ndërmjet spiritualizmit të shkëputur nga gjendja trupore dhe materializmit, që i redukton të gjitha aspiratat transhendente në të dhëna biopsikike teknikisht të kontrollueshme. Nuk mund të ëndërrojmë më për një rikthim në gjendjen e mëparshme, pas 'armëpushimit' dhe tejkalimit të 'krizës' aktuale; duhet të mendojmë ndryshe për të ardhmen e krishterimit, në një kontekst i cili pret që të krishterët të gjejnë një paradigmë të re për të dëshmuar identitetin e tyre”.
"Ja pra pse - shpjegon akoma Kardinali - duhet të zgjedhim një mënyrë të re për diversitetin kulturor dhe fetar, që lejon dialogun dhe propozimin e vizionit të krishterë falas dhe me shqetësim për vëllazërinë njerëzore. Çështja antropologjike, për shembull, aspektet më të ndryshme të së cilës shpesh debatohen në fushën shkencore, universitare, shkollore dhe familjare, duhet trajtuar me këtë frymë. Thua jemi në agimin e një hopi cilësor për specien njerëzore, në majë të një shndërrimi trans-humanist, të mundësuar nga tekno-shkenca dhe 'komunikimi i tepërt e i stimuluar nga përhapja e eksperimenteve biomolekulare, transgjinore dhe hapësinore? Të gjitha hamendjet duken të mundshme, përveç harresës se shumica dërrmuese e qenieve njerëzore jeton në kushte nënnjerëzore, se turmat flaken në rrugët migratore nga presionet klimatike ose të ndonjë tipi tjetër, si shpërthimi i konflikteve të shumta dhe riarmatimi i përgjithshëm, që sfidojnë arsyen etike për të ngadalësuar nxitimin e çmendur përpara, e për të parandaluar hedhjen në erë të burimeve që, para së gjithash, duhet të garantojnë mirëqenien minimale për mbarë njerëzimin.
Hapësirëpër Fjalën e Zotit
"Çfarë të ardhmeje e pret njerëzimin? Çfarë lloj mbrojtjeje të njerëzimit duhet të shpikim, për të përballuar sfidat e sotme? Çfarë shprese mund t'u ofrojmë atyre që kërkojnë kuptim? Të gjitha këto janë pyetje që Kisha Katolike i ka parasysh kur shpall Ungjillin e shëlbimit. Situata antropologjike, që kërkon dialog, respekt për diversitetin dhe solidaritet me më të varfërit dhe më të vuajturit, nuk na pengon të paraqesim vizionin e krishterë të burrit dhe të gruas në origjinalitetin dhe specifikën e tij, përkundrazi, situata aktuale ofron mundësinë për të ripohuar koordinatat e njeriut sipas zbulesës së krishterë dhe për të ofruar për dialog një antropologji vokacionesh të rrënjosura në kuptimin e jetës, parë si thirrje. Në kakofoninë e sotme, ka më shumë hapësirë se kurrë për të dëgjuar Fjalën e Zotit dhe për të nxjerrë nga Urtia hyjnore koordinatat e kuptimit për jetën e tanishme dhe të ardhshme njerëzore".
Vazhdim i Simpoziumit të vitit 2022 kushtuar meshtarisë
Nisma akademike pason simpoziumin e shkurtit 2022 “Për një teologji themelore të meshtarisë”, i cili studioi marrëdhëniet e meshtarisë së përbashkët të të pagëzuarve dhe të shërbesës së shuguruar në tri shkallët e saj. Komiteti shkencor i Centre de Recherche et d'Anthropologie des Vocations (CRAV), i cili organizoi simpoziumin mbi Meshtarinë – nënvizohet në një shënim - e sheh çështjen antropologjike si vazhdim të natyrshëm të këtij kërkimi, i cili eksploron kuptimin kishtar të thirrjeve nga pikëpamja e një antropologjie themelore. Kjo perspektivë baritore tregon se kërkimi është me interes për një publik të gjerë, jo vetëm për specialistë.
Vizion global i përgjigjes së krishterë problemeve antropologjike "Barinjtë, formuesit dhe edukatorët e të gjitha niveleve - nënvizon deklarata - do të jenë në gjendje të gjejnë një vizion global të përgjigjes së krishterë ndaj problemeve aktuale antropologjike, pa polemika a sprapsje identitare, vizion i zhvilluar brenda horizontit të fesë dhe i ofruar qetësisht si mënyrë për përvetësimin e kuptimit të krishterë të jetës nga të gjithë ata, që janë në kërkim të së vërtetës.
Vendi i zgjedhur dhe cilësia e pjesëmarrësve janë të mjaftueshme për të pohuar rëndësinë e temës, urgjencën e reflektimit të këtij lloji përballë konfuzionit dhe hutimit si dhe dëshirën për të hedhur dritë, e njëkohësisht, edhe energjidhënëse e qetësuese për njerëzit që bëjnë kërkime, ose që kanë përgjegjësi baritore".
Për shkak të pandemisë, u desh që simpoziumi i mëparshëm të mbahej në Sallën Pali VI, ndërsa tani do të mbahet në Sallën e Sinodit të Ipeshkvijve, me një numër të kufizuar pjesëmarrësish.