Ushtrimet shpirtërore, meditimi VI i Cantalamessa-s: “Ju jeni miqtë e mi”

Sot, ftesa jonë e fundit, e 24 shkurtit, për të kaluar edhe një minut me predikatarin e Shtëpisë Papnore, kardinalin Cantalamessa, në përfundim të ushtrimeve shpirtërore të Papës e Kuries Romake. E sidomos, me Krishtin që, në vijim të udhës pendestare kreshmore, na thërret e na thotë: “Ju jeni miqtë e mi”

R.SH. - Vatikan

Deri dje, Papa Françesku dhe bashkëpunëtorët e tij të Kuries Romake ishin të impenjuar me Ushtrimet Shpirtërore të Krezhmëve. Vatican News propozoi, nga data 19 e deri më sot, 24 shkurt, një reflektim të përditshëm të predikatarit të Shtëpisë Papnore, kardinalit Raniero Cantalamessa, në rrjetet e tij shoqërore në X, Facebook, Instagram dhe WhatsApp. “Më kërkuan të ndaj me ju, për gjashtë ditë, një reflektim prej rreth një minuti. Në botë ka pak fjalë, që mund të thuhen në një minutë, të mjaftueshme për të mbushur një ditë, madje, një jetë: ato që dolën nga goja e Jezusit. Do t’jua propozoj një nga një, duke ju kërkuar t’i 'përtypni' gjithë ditën, si një lloj çamçakëzi të shpirtit”, shpjegoi kardinali françeskan kapuçin. Sot, meditimi i fundit.

“Ju jeni miqtë e mi”

Fjala që ju drejtoj sot për “ta thithur”, është e ëmbël si mjalti. Jam i kënaqur të përfundoj me të sepse, shpresoj, do të vazhdojë të jehojë brenda jush për një kohë të gjatë.

Jezusi ua drejtoi këtë fjalë dishepujve të vet në çastin kur po ndahej prej tyre, por, si çdo fjalë e Krishtit, u mendua për secilin, për dishepullin e çdo vendi e të çdo kohe: "Ju jeni miqtë e mi... Nuk ju thërras më shërbëtorë, sepse shërbëtori nuk e di çka bën zotëria i tij; unë ju quajta miq, mbasi ju zbulova gjithçka, që dëgjova prej Atit tim” (Gjn. 15,14)

 "Ju jeni miqtë e mi!". Dua t'ju tregoj me këtë rast një të fshehtë të vogël. Në një mbledhje lutjeje shumë vjet më parë, një grua hapi Biblën dhe lexoi fragmentin nga Ungjilli i Gjonit, ku gjindeshin këto kjo fjalë. I kisha dëgjuar kushedi sa herë, por në atë çast fjala miq “shpërtheu” si shkëndijë (nuk po gjej term më të përshtatshëm se ky). Kjo ndodh me fjalët e Shkrimit Shenjt, vetëm me to. Dhe është gjithmonë e njëjta Vetje, që ndez shkëndijën: Shpirti Shenjt.

Nisa të përsëris brenda vetes: “Mik?!”, Jezusi i Nazaretit, Zoti im, i Plotfuqishmi, ai që vdiq për mua, më quajti mik? Ai që kurrë nuk flet fjalë boshe...

Ndaj, unë jam vërtet mik për të, jam mik, njeri i dashur! Duke u kthyer në kuvendin tim nga takimi, m'u duk se me atë siguri mund të fluturohej edhe mbi çatitë e qytetit, siç shihet në disa piktura të Chagall. Dashtë qielli që  fjala "mik" të shpërthejë edhe brenda teje, që ta dëgjosh dhe të ta ndriçojë gjithë jetën!

Krezhmë të lehta dhe, që tani, për shumë mot Pashkët!

24 shkurt 2024, 11:02