Ukraina, Parolin: hipoteza e ndërhyrjes ushtarake të Perëndimit shkakton frikë
R.SH. – Vatikan
Frikë nga skenarët shqetësues në zemër të Kontinentit të Vjetër: këtë u shprehu gazetarëve Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, në përfundim të ceremonisë së djeshme të dhënies së çmimeve në Institutin “Maria Bambina” në Romë, për konkursin "Ekonomia dhe shoqëria", promovuar nga Fondacioni “Centesimus Annus - pro Pontifice”.
I frikshëm, shkallëzimi i konfliktit në Ukrainë
Ndërkohë që po diskutohet për një ndërhyrje të drejtpërdrejtë ushtarake të Perëndimit në Ukrainë, kardinali e quajti atë "të frikshme", sepse "do të sillte atë shkallëzim të konfliktit, që jemi përpjekur ta shmangim që në fillim". “Nuk po them se është apokaliptike, sepse ndoshta është fjalë e ekzagjeruar për momentin, por sigurisht që është e frikshme". I pyetur nga një gazetar si mund të justifikohet një propozim i tillë, i paraqitur dje nga Franca e i hedhur poshtë nga një sërë vendesh evropiane, Parolin deklaroi se ndoshta e ka zanafillën në faktin se "kjo luftë vazhdon prej dy vitesh, pa asnjë perspektivë zgjidhjeje, madje, as zgjidhjeje ushtarake, sepse në terren forcat mbeten pak a shumë në të njëjtat pozicione”. "Do të ishte ideale – shtoi prelati vatikanas - që të gjejmë një mënyrë për t'i bërë të dyja palët të bisedojnë dhe të dialogojnë. Unë besoj se kur flasim, gjendet një zgjidhje".
Kujtojmë se sot, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ndodhej në Tiranë, në konferencën e sigurisë Ukrainë-Evropa Juglindore, në përpjekjen për të fituar mbështetjen e liderëve ballkanikë të pranishëm. Ndër ta, presidenti serb Aleksandar Vucic, në përfaqësi të vendit të vetëm ballkanik, që ka refuzuar të zbatojë sanksionet ndërkombëtare kundër Rusisë. Vizita e Zelensky-t u bë mënjeherë pas asaj të Sekretarit të Shtetit amerikan Antony Blinken, i cili e lavdëroi Shqipërinë për përkrahjen e Ukrainës.
Lindja e Mesme: e vetmja rrugë është armëpushimi
Duke u kthyer në takimin e djeshëm të kardinalit Pietro Parolin, përsa i përket konfliktit izraelito-palestinez, Sekretari i Shtetit të Vatikanit konfirmoi se nuk ka pasur zhvillime në kontaktet diplomatike me Izraelin. “Jemi të vetëdijshëm për çka tha ambasadori”, pranoi ai, duke kujtuar deklaratën e përfaqësuesit izraelit, i cili theksoi se nuk do të ketë zgjidhje për sa kohë Hamasi kontrollon Rripin e Gazës. Kardinali Parolin nënvizoi se Selia e Shenjtë do të dëshironte “një dialog përtej polemikave, deri diku, të justifikueshme nga gjaknxehtësia e shkaktuar prej luftës në të dyja palët. Këto gjëra – vijoi ai - duhen menduar pak më me qetësi”. E rëndësishme është “të gjendet një rrugë, së pari, për lirimin e pengjeve, pastaj, për ndihmën humanitare. Dhe e vetmja rrugë është ajo e armëpushimit”.
Thirrje për vëllazërim
Kardinali Parolin preku edhe një sërë temash të tjera, si mbrojtja e më të brishtëve të shoqërisë, duke shkuar përtej fitimit me çdo kusht dhe rendimentit të kërkuar nga shoqëria e sotme teknologjike. Pastaj, çështja e Inteligjencës Artificiale, e cila mund të ndikojë në krijimin e pabarazive të reja e në marrjen e vendimeve të padrejta në fushën e “punësimit, të financimit, të asistencës shëndetësore, të arsimit, drejtësisë, migracionit dhe marrëdhënieve ndërkombëtare”. Sekretari i Shtetit të Vatikanit uroi të ndryshojnë strukturat ekonomike, që sjellin varfëri, duke favorizuar solidaritetin ndërkombëtar, për shembull, duke reduktuar borxhin e vendeve në nevojë.