Parolin: e trishtueshme që nuk ka perspektivë paqeje për Ukrainën
R.SH. – Vatikan
Të gjithë duhet të jenë të “arsyeshëm”. Këtë nënvizoi Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, i cili foli më 26 shkurt, në përurimin e qendrës së re diagnostike të spitalit IDI (Instituti Dermatologjik i Zojës së Papërlyer) në Romë. Kardinali komentoi demonstratat në Pizë dhe Firence, ku pati përleshje ndërmjet policisë dhe studentëve, duke nënvizuar se përdorimi i shkopinjve “është dështim", por edhe manifestimet duhet të bëhen në mënyrën e duhur.
Papa Françesku është mirë
Sekretari i Shtetit të Vatikanit foli edhe për shëndetin e Papës Françesku dhe konfirmoi se Papa është “mirë”. “Ai pati këtë episod gripi, por u shërua, - shpjegoi prelati - më duhej të shkoja tek ai sonte por jam këtu, megjithatë nuk e anuloi audiencën. Kjo do të thotë se është shëruar dhe ka rifilluar veprimtarinë e tij normale”.
E trishtueshme që nuk ka perspektivë paqeje për Ukrainën
Në nivelin ndërkombëtar, kardinali Parolin komentoi vdekjen e disidentit rus Alexei Navalny, duke theksuar se "do të ishte e rëndësishme të sqarohej çfarë ka ndodhur në të vërtetë. Kjo do të shërbente për të qetësuar edhe ata, që i japin një interpretim të caktuar vdekjes". Më pas, ai foli për gjendjen në Ukrainë, duke iu referuar misionit të kardinalit Matteo Zuppi, të dërguarit të Atit të Shenjtë për paqen e, duke nënvizuar se po “punohet për të lehtësuar sadopak mekanizmin e krijuar me rastin e vizitës së tij në Kiev dhe Moskë, për kthimin e fëmijëve dhe të rinjve në Ukrainë”.
"Në atë kohë - shtoi Parolin – kardinali Zuppi pati thënë se kjo mund të hapë rrugë për paqen. Tani për tani mbetemi vetëm me këto fjalë, nuk ka perspektiva të tjera për negociata dhe kjo është shumë e trishtueshme". Ndërkaq, përsa u përket protestave të fermerëve, që kërkojnë nga Brukseli masa në favor të bujqësisë e blegtorisë, Sekretari i Shtetit të Vatikanit pohoi se vetëm me dialog "serioz", duke dëgjuar nevojat e manifestuesve, mund të arrihet një rezultat i pranueshëm për të gjitha palët.
Të dënueshme, sulmet kundër të krishterëve në Burkina Faso
Së fundi, "situata e pasigurt" në Burkina Faso, ku pesëmbëdhjetë të krishterë u vranë gjatë meshës të së dielës: për kardinalin, është shqetësues "gjithë ky terrorizëm, që kontrollon territore të shumta. Dukej se ushtria po punonte për të rikthyer kontrollin shtetëror në ato zona, por fatkeqësisht – vuri në dukje Parolin – nuk është kështu dhe këto episode vërtet të dënueshme vazhdojnë”.