Papa: ‘shenjtorët tregojnë praninë e Zotit që bën të pamundurën të mundur'
R.SH. / Vatikan
''Shenjtorët shkëlqejnë me dritën e reflektuar dhe tregojnë në gjestet e thjeshta të tyre të ditës praninë e dashur të Zotit, që e bën të pamundurën të mundur''. Këtë e nënvizon Papa në platformën X , sot më 10 shkurt, në pragun e kanonizimit të shenjtores së parë argjentinase.
Nesër Papa - në Bazilikën e Vatikanit - do të shenjtërojë 'Mama Antula', shenjtoren e të varfërve që shpëtoi shumë të varfër dhe prostituta nga rrugët. Në këtë ngjarje do të marrë pjesë edhe presidenti argjentinas Milei, i cili do të ketë edhe një takim personal me Bergoglion në Vatikan të nesërmen.
Vëmendje ndaj të përjashtuarve
Grua plot vëmendje për të përjashtuarit nga radhët e shoqërisë, Nënë Antula - tha Papa në audiencë me shtegtarët e ardhur nga Argjentina në Vatikan për kanonizimin, të dielën, në Sheshin e Shën Pjetrit, të María Antonia de San José de Paz y Figueroa, e njohur si Mama Antula, – e cila është për botën bashkëkohore "frymëzim që ringjall vëmendjen "për ata, të cilët shoqëria i përjashton dhe i flak tutje":
“Bamirësia e Mama Antula-s, sidomos në shërbim të nevojtarëve, kërkohet me shumë forcë sot, në mes të një shoqërie që rrezikon të harrojë se ‘individualizmi radikal është virusi më i vështirë për t'u mposhtur. Virus që mashtron. Që na bën të besojmë se gjithçka ka të bëjë vetëm me dhënien e dorës së lirë për ambiciet e dikujt”.
Besimi dhe lëshimi i plotë në dorë të Zotit
Papa Françesku kujtoi se rruga e shenjtërisë kërkon besimin, braktisjen e vetvetes në duar të Zotit. E Maria Antonia bëri “pikërisht atë, që Zoti e dëshiron nga secili prej nesh", domethënë e kuptoi se është e mundur të zbulohet thirrja e Tij nga secili, në ato kushte, në të cilat jeton “sepse sido që të jenë, do të përmblidhen gjithnjë në realizimin e 'çdo gjëje për lumninë më të madhe të Zotit dhe për shpëtimin e shpirtrave'”.