Lutja, frymëmarrja e misionit, është tema e takimit online të organizuar nga Unioni Misionar Papnor
R.SH. / Vatikan
Një kurs formimi misionar online i fokusuar në lutjen fillon të enjten më 29 shkurt, i organizuar nga Unioni Papnor Misionar (PUM) dhe i koordinuar nga sekretari i tij i përgjithshëm, At Dinh Anh Nhue Nguyen OFM Conv, i cili mban gjithashtu edhe rolin e drejtorit të Qendrës Ndërkombëtare për Animacion Misionar. Itinerari është i ndarë në katër takime online, është në italisht dhe u drejtohet të gjithëve, veçanërisht misionarëve, meshtarëve dhe rregulltarëve dhe motrave rregulltare të jetës së kushtuar.
Kursi zhvillohet në kuadrin e Vitit të Lutjes në përgatitje për Jubileun e ardhshëm të vitit 2025 dhe synon të jetë njëkohësisht një përgjigje konkrete ndaj nxitjes së Papës Françesku për të intensifikuar pjesëmarrjen në Meshë dhe lutje për misionin ungjillëzues të Kishës që përmbahet në Mesazhin për Ditën Botërore të Misionit 2024, qendror në çdo veprimtari formimi të Unionit Papnor Misionar (PUM).
“Lutja, ashtu feja - shpjegon At Dinh Anh Nhue Nguyen - është gjithmonë misionare në vetvete, lutja nuk është thjesht një moment intim me Zotin, por është momenti në të cilin Zoti na thërret në mision. Lutja është frymëmarrje e çdo personi të pagëzuar, të dërguar nga Zoti në mision. Jemi të lumtur që kemi marrë reagime të shkëlqyera dhe regjistrime për kursin nga vise të ndryshme të botës".
Katër takimet online (29 shkurt, 6 mars, 14 mars, 19 mars) nga ora 15:00 deri në orën 16:30 (me orën evropiane) përfshijnë një hyrje mbi temën e propozuar, e cila për takimin e parë mbahet nga At Dinh Anh Nhue Nguyen; pasuar nga një reflektim me një fokus specifik që i është besuar një specialisti mbi temën (më 29 shkurt është motra Maria Rosa Venturelli, rregulltare Komboniane) dhe në fund një hapësirë e madhe kushtuar bashkëndarjes së mendimeve rreth temës së takimit, duke filluar nga jeta e misionarëve dhe shenjtorëve të kongregatave rregulltare të cilave u përkasin pjesëmarrësit, me një referim të veçantë ndaj kujdesit baritor të sotëm.
Sot më datën 29 shkurt në takimin e formimit flitet për lutjen e Jezusit, me temën “Lutja e Jezusit, i dërguar i Atit”, ndërsa më 6 mars në qendër të takimit do të jetë “Ati ynë”, lutja misionare par excellence, duke u nisur nga thirrja "Ardhtë Mbretëria Jote", "shqetësimi" i parë i Jezusit në mesazhin që ai u besoi dishepujve të tij. Më 14 mars radha do të jetë tema “Lutja e dishepujve të parë misionarë të Krishtit”, ndërsa më 19 mars itinerari do të përfundojë me temën “Eukaristia, burimi dhe kulmi i misionit dhe lutjes”.
Cikli i takimeve, në italisht, do të pasohet nga kurse të tjera të ngjashme në anglisht, frëngjisht, spanjisht dhe portugalisht. Pjesëmarrja është falas. Për arsye organizative, kërkohet të dërgoni një email për të komunikuar anëtarësimin tuaj dhe për të marrë lidhjen në: pum@ppoomm.va.