Kardinali Zuppi: plani humanitar i Papës për Ukrainën vijon
R.SH. – Vatikan
Plani humanitar i Papës për Ukrainën “vijon”, “dy nuncët, në Moskë dhe në Kyiv, janë gjithnjë në kontakt dhe ndihmojnë lidhjet ndërmjet palëve, që të fillojnë, ashtu siç kanë filluar, bashkimet familjare” për “fëmijët e mbajtur në Rusi”. Kështu deklaroi kardinali Matteo Zuppi, i ngarkuari i Papës Françesku me misionin e paqes për Ukrainën.
“Paqja kërkon shumë këmbëngulje” e “nuk duhet të mësohemi kurrë me luftën”. Gjithnjë, duhet të bëjmë ç’është e mundur “për të gjetur një zgjidhje”, nënvizoi kryetari i Konferencës Ipeshkvnore Italiane, në emisionin “Në gjysmë ore” të Rai Tre.
Për kardinalin Zuppi, është e nevojshme përfshirja e “një protagonisti të tretë, sepse, deri tani, palët janë dy, agresori dhe i sulmuari, por ekziston edhe bashkësia ndërkombëtare, e cila nuk mund të rrijë duarkryq”. “Duhet të kemi gjithnjë shpresë të madhe”, përfundoi ai.