Duke ëndërruar paqen, fjalët e Papëve pas luftërave
R.SH. / Vatikan
Kaluan dy vjet nga shpërthimi i luftës në Ukrainë. T’i përshkruash tmerret e këtyre njëzet e katër muajve, do të thotë të shohësh, edhe përmes numrit dramatik të vdekjeve, fytyrën e një tragjedie që vijon ta gjakosë Evropën. Që në fillim të pushtimit nga forcat ushtarake ruse - sipas burimeve të ndryshme - të paktën 500 mijë ushtarë rusë dhe ukrainas u vranë ose u plagosën në fushat e betejës. Sipas të dhënave të publikuara nga Kombet e Bashkuara, mbi 10,000 civilë u vranë dhe 18,500 u plagosën. Më shumë se 6.4 milionë njerëz u larguan nga Ukraina. “Masakër e kotë”, siç shkruante Papa Benedikti XV në letrën drejtuar në vitin 1917 udhëheqësve të popujve ndërluftues, që ende pret të vetmin epilog vërtet të dëshirueshëm, atë të paqes.
Humnerat e dhimbjes, para paqes
Lufta në Ukrainë është faqe dramatike, si shumë katastrofa të tjera të shkaktuara nga konfliktet, që e fshikullojnë mbarë historinë e njerëzimit. Kur ndiqet rruga e dhimbshme e armëve, popullata të tëra shpërfytyrohen dhe copëtohen nga urrejtja. “Çmenduri” - siç e quan shpesh Papa Françesku - që shkatërroi shumë situata edhe në shekullin e kaluar e në fillim të mijëvjeçarit të tretë. Por, përballë këtyre honeve të dhimbjes, sytë e njeriut nuk mund të mos ngulen tek shpresa. Pas vuajtjeve mizore, herët a vonë - më në fund - vjen ora në të cilën ne mund të mirëpresim dhuratën e paqes. Pas grumbujve të viktimave dhe rrënojave, vjen çasti në të cilin mbin pajtimi: lind ai çast, në të cilin mbizotërojnë përpjekjet për dialog dhe rindërtim, jo armët. Ka shumë çaste historike të shumëpritura, në të cilat reflektimet e Papëve ushtuan edhe pas përfundimit të luftës. Shpesh janë fjalë që përsëriten, për të na nxitur të mos i harrojmë tmerret e sapopërjetuara dhe të ndërtojmë një epokë të re, të aftë për ta shmangur shkatërrimin e ri dhe për të nxitur vëllazërinë e vërtetë.
Lufta I Botërore, Benedikti XV: agimi, pas urrejtjes së egër
Një nga këto çaste historike, pasuar nga frytet e paqes, ishte ai i 11 nëntorit 1918, kur përfundoi Lufta I Botërore, tragjedi që shkaktoi mbi 37 milionë të vdekur. Në prag të solemnitetit të Krishtlindjeve të atij viti, Benedikti XVI, duke iu duke iu drejtuar Kolegjit Kishtar të Kardinajve, kujtoi këtë kapitull dramatik të historisë: “Mbi kodrën e Vatikanit - pohoi Papa - arritën britmat e dhimbshme të atyre viteve të luftës. Prandaj, "me inkurajimin, por edhe me masën e Atit", vazhdoi Kreu i Kishës, "dënuam teprimet e urrejtjes brutale" dhe me “përpjekjet tona” u përpoqëm të “përshpejtonim agimin e paqes, duke kujtuar parimet e drejtësisë së pandryshueshme (...) të Krishtit”.
Piu XII pas Luftës II Botërore: lindtë një univers i ri!
Më 8 maj 1945, në Evropë përfundoi Lufta II Botërore, që i kushtoi jetën të paktën 55 milionë njerëzve. Të nesërmen, në mesazhin radiofonik titulluar "Ja, më në fund mbaroi ", Papa Piu XII nënvizon se "lufta ka grumbulluar një kaos të tërë rrënojash, materiale dhe morale, të tilla që raca njerëzore nuk i njohu kurrë në rrjedhën e gjithë historisë”. Vështrimi i Papës drejtohet në radhë të parë “drejt varreve, drejt prroskave të lara me gjak, ku prehen eshtrat e panumërta të viktimave të luftimeve apo të masakrave çnjerëzore, të urisë e të varfërisë". Duket se të rënët - shton Papa Pacelli - "i paralajmërojnë të mbijetuarit e fatkeqësisë së pamasë" e u thonë: "Rilindshin nga eshtrat tona e nga varret tona, ku u hodhëm si kokrra gruri, plasmuesit dhe krijuesit e një Evrope të re më të mirë, e një universi të ri më të mirë, të themeluar mbi frikën bijnore të Zotit, mbi besnikërinë ndaj urdhërimeve të tij të shenjta, mbi respektimin e dinjitetit njerëzor, mbi parimin e shenjtë të barazisë së të drejtave për të gjithë popujt dhe të gjitha shtetet, të mëdhenj e të vegjël, të ligshtë e të fortë”.
Lufta në Vietnam, Pali VI: e ardhmja jo pa të panjohura
Në vitin 1975 përfundoi një tjetër konflikt i përgjakshëm, ai që shkatërroi Vietnamin. Sipas burimeve të ndryshme, vdiqën mbi 58 mijë ushtarë amerikanë, 250 mijë ushtarë të Vietnamit të Jugut dhe mbi tre milionë ushtarë dhe civilë të Vietnamit të Veriut. Dy vjet më parë, pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Paqes të Parisit, Shtetet e Bashkuara ishin larguar nga vendi. Më 22 dhjetor 1975, gjatë fjalimit drejtuar Kolegjit të Kardinajve dhe prelaturës romake, Papa Pali VI u ndal tek kjo ngjarje madhështore e përfundimit të luftës në vendin aziatik.“Përfundimi i armiqësive në Vietnam, pas tridhjetë vitesh përleshjesh dhe lufte, hap një kapitull të ri për Indokinën dhe gjithë Azinë Juglindore, jo pa pasiguritë e saj”.
Selia e Shenjtë, kujton Papa Montini, kërkoi “të vihet dhe të qëndrojë në kontakt me autoritetet e Vietnamit. Ajo shpreson se do të mund të veprojë në këtë mënyrë për përfitimin reciprok të shtetit dhe të kishës, me frymën e pjesëmarrjes miqësore në punën e rindërtimit të vendit dhe me shpresën që asaj bashkësie katolike, një nga më të lulëzuarat e botës së madhe aziatike, djep i qytetërimeve të lashta e fisnike, t’i jepet hapësirë e mjaftueshme për jetë dhe veprimtari, në fushën fetare që i takon Kishës, por jo pa ndikim të dobishëm në zhvillimin paqësor e të rregullt të mbarë bashkësisë kombëtare”.
Ballkani, Gjon Pali II: Sarajeva është një udhëkryq paqeje
Më 14 dhjetor 1995, Marrëveshjet e Dejtonit u ratifikuan në Paris, duke i dhënë fund konfliktit në Bosnje dhe Hercegovinë, i cili u kushtoi jetën të paktën 100 mijë njerëzve, përfshirë 40 mijë civilë. Duke iu drejtuar trupit diplomatik më 13 janar 1996, Papa Gjon Pali II nënvizon "Një klimë paqeje duket se po vendoset në disa pjesë të Evropës". “Bosnja dhe Hercegovina mundën të përfitojnë nga një marrëveshje e cila duhet - shpresojmë - të ruajë fizionominë e saj, duke pasur parasysh përbërjen e saj etnike. Sarajeva, në veçanti, qytet tjetër simbolik, duhet të bëhet udhëkryq paqeje”. “Nga ana tjetër - vëren Papa Vojtila - a nuk quhet “Jerusalemi i Evropës”? Nëse shpërthimi i Luftës I Botërore lidhet me këtë qytet, emri i tij më në fund duhet të bëhet sinonim i qytetit të paqes dhe takimet e shkëmbimet kulturore, sociale e fetare, duhet të fekondojnë bashkëjetesën shumetnike. Procesi do të jetë i gjatë dhe jo pa vështirësi”.
Françesku lajmëtar i paqes në Irak
Në vitin 2021, në një kohë kur e gjithë bota po përpiqet të dalë nga kriza e pandemisë Covid-19, Papa Françesku është lajmëtari i paqes në Irak, vend thellësisht i prekur në historinë e tij të fundit nga konflikte të shumta. Pas luftës së parë dhe të dytë të Gjirit dhe përfundimit të regjimit të Sadam Huseinit, Iraku u copëtua nga një seri e gjatë sulmesh dhe dhune. Lufta guerile forcohet dhe lind i vetëquajturi Shteti Islamik (ISIS). Më 9 dhjetor 2017, kryeministri i atëhershëm irakian al-Abadi, shpalli zyrtarisht fitoren e luftës kundër milicëve të ISIS-it. Por paqja mbetet një dhuratë e brishtë që duhet mbrojtur. Papa Françesku e kujton këtë në disa raste gjatë udhëtimit të tij apostolik në tokën e Abrahamit. “Në dekadat e fundit - deklaron në takimin me autoritetet, shoqërinë civile dhe trupin diplomatik - Iraku vuajti fatkeqësitë e luftërave, fatkeqësinë e terrorizmit dhe konfliktet sektare shpesh të bazuara mbi një fundamentalizëm që nuk mund të pranojë bashkëjetesën paqësore të etnive, grupeve fetare, ideve dhe kulturave të ndryshme. E gjithë kjo pati si pasojë vdekjen, shkatërrimin, rrënojat ende të dukshme, dhe jo vetëm në planin material: dëmi është edhe më i thellë, nëse mendon për plagët e hapura në zemrat e shumë njerëzve e shumë bashkësive, të cilave u duhen vite e vite për t'u shëruar. "Përmbushja e nevojave kryesore të shumë vëllezërve dhe motrave - shton Françesku - është akt bamirësie dhe drejtësie, që ndihmon për paqen e qëndrueshme".
Duke ëndërruar paqen në të gjitha vendet e shkatërruara nga lufta
Çdo luftë, siç kujton shpesh Papa Françesku, është "gjithmonë disfatë". Vetëm paqja të çon në shërimin progresiv, edhe ndërmjet plagëve të thella dhe të pashlyeshme. Popullatat e Ukrainës, Lindjes së Mesme dhe të gjitha rajoneve të botës, të tronditura nga luftërat dhe dhuna – si Sudani i Jugut, Republika Demokratike e Kongos, Mianmari - presin që ëndrra e pajtimit të vërtetë të bëhet së shpejti, sa më shpejt të jetë e mundur, dhuratë e vërtetë për t’u mirëpritur, për t’u mbrojtur dhe për t’u forcuar. Një mrekulli për t'u çmuar, sepse paqja është kundërhelmi më i fuqishëm kundër urrejtjes. E edhe kur është vetëm frut i sapo lulëzuar, na bën të shohim sërish dinjitetin e tjetrit dhe fytyrën e atij që në kohë lufte e konsideron veten vetëm armik. Pajtimi është fati i mirëfilltë i njerëzimit sepse, siç nënvizoi Papa Benedikti XVI më 1 janar 2013 në solemnitetin e të Shenjtnueshmes Mari, Nënë e Zotit, "njeriu u krijua për paqen, që është dhuratë e Zotit".