Bashkimi i të Krishterëve, imzot Flavio Pace sekretar i ri i Dikasterit
R.SH. Vatikan
Që nga shkurti i vitit 2020 si nënsekretar në Dikasterin e Kishave Lindore, don Flavio Pace emërohet sot nga Papa Françesku si sekretar i Dikasterit për nxitjen e Bashkimit të të Krishterëve. Njëkohësisht, Ati i Shenjtë i jep edhe titullin personal të kryeipeshkvit. Shugurimi ipeshkvnor do të kremtohet më 4 maj, në katedralen e Milanos.
Studimet dhe shërbimi
Prelati i ri, lindur në vitin 1977, me origjinë nga Monza, mori shugurimin meshtarak në vitin 2002 nga duart e kryeipeshkvit të atëhershëm të Milanos, kardinalit Carlo Maria Martini. Pas vitesh pune baritore me të rinjtë në Abbiategrasso, si mësues feje në shkollat shtetërore dhe si kapelan në Shtëpinë lokale për të Moshuarit, në vitin 2010, imzot Pace mori një certifikatë në studimet islame nga Instituti Papnor i Studimeve Arabe dhe i Islamistikës në Romë, duke bashkëpunuar në disa nisma të Kishës Ambrosiane, që kishin të bënin me marrëdhëniet me Islamin. Është kapelan i Institutit “Teresa Grillo Michel” të Motrave të Vogla të Provanisë Hyjnore.
Nunci i ri në Rumani dhe Moldavi
Ndër emërimet e Françeskut, edhe ai i nuncit të ri apostolik në Rumani dhe Moldavi, detyrë në të cilën Papa ka caktuar kryeipeshkvin Giampiero Gloder, më parë nunc në Kubë. Me origjinë nga provinca e Vicenzës, në Itali, 65-vjeçar, prelati hyri në shërbimin diplomatik të Selisë së Shenjtë në korrik 1992, duke shkuar në nuciaturën e Guatemalës. Punoi në Sekretarinë e Shtetit për disa vite deri në emërimin e tij, në vitin 2013, në kryesinë e Akademisë Kishtare Papnore.