Ajo përgjegjësi e krerëve të kombeve…
R.SH. - Vatikan
ANDREA TORNIELLI
Vendimi për t’i kushtuar krejt kohën e katekizmit tradicional të Engjëllit të Tënzot të së dielës thirrjes për paqen na tregon sa të rëndë e konsideron Papa Françesku kërcënimin, që endet mbi botë. Kjo ka ndodhur vetëm një herë tjetër, gjatë muajve të parë të papnisë së tij, me luftën në Siri. Gjithsesi, të dyja situatat nuk mund të krahasohen me njëra-tjetrën, sepse e sotmja duket edhe më kërcënuese, për shkak të pasojave të mundshme katastrofike. Dy thirrjet e Atit të Shenjtë – së pari, presidentit të Federatës Ruse që, “edhe për hir të dashurisë për popullin e vet”, të ndalë spiralen e dhunës filluar pikërisht prej tij e, pastaj, presidentit të Ukrainës, që të mos ia mbyllë portën “propozimeve serioze për paqen” – u shoqëruan me një thirrje po aq të fuqishme e plot shqetësim, drejtuar gjithë përgjegjësve politikë të kombeve për të bërë ç’është e mundur që ta ndalin këtë luftë, e cila shpërtheu në zemër të Evropës së krishterë e, që të mos përfshihen në shkallëzimin e saj të rrezikshëm.
Janë fjalë me peshë për t’u kujtuar të gjithëve se protagonistët e zgjidhjes me bisedime të këtij konflikti, që ka shkaktuar mijëra viktima të pafajshme, miliona të shpërngulur, shkatërrimin e një vendi dhe tani, ka rrezik ta tërheqë krejt botën drejt humnerës së holokaustit bërthamor, nuk mund të jenë vetëm krerët e dy kombeve të interesuara drejtpërdrejt. U takon edhe të tjerëve të kërkojnë me forcë armëpushimin e të nxisin nisma dialogu, në mënyrë që të mbizotërojnë ato, të cilat Papa Françesku i quan “skemat e paqes”, duke e ndalur zbatimin e “skemave të luftës”, që i bëjnë t’i nënshtrohen garës së çmendur të armatimit, e cila po arkivon me shpejtësi tranzicionin ekologjik së bashku me shpresat për një rend ndërkombëtar jo më të bazuar në ligjin e më të fortit e në aleancat e vjetra ushtarake.
Javë pas jave, muaj pas muaji, që nga ai 24 shkurt, që shënoi fillimin e luftës me sulmin rus kundër Ukrainës, gjithçka duket sikur po shkon poshtë e më poshtë për inerci, sikur fundi i vetëm i mundshëm të ishte fitorja e njërit kundër tjetrit. Mungoi krijimtaria diplomatike dhe guximi për të besuar vërtet në paqen. E, sidomos, mungoi largpamësia për të kuptuar ç’ardhmëri përvijohet për Evropën e për botën. Prillin e kaluar, vetëm me një ditë ndryshim nga njëri-tjetri, së pari presidenti i Republikës Italiane, Sergio Mattarella e, pastaj, Sekretari i Shtetit të Selisë së Shenjtë, kardinali Pietro Parolin, bënë thirrje të respektohet Marrëveshja e Helsinkit, e cila, në vitin 1975, shënoi një kthesë të rëndësishme për Evropën e përshkuar nga Perdja e Hekurt dhe për botën e ndarë në dy blloqe të mëdha.
Papa Françesku foli për këtë më 14 shtator, nga kryeqyteti i Kazakistanit, duke bërë thirrje për “një frymë të re Helsinki” e duke kërkuar shmangien e forcimit të blloqeve të kundërta. Thirrja e Pasardhësit të Shën Pjetrit në Engjëllin e Tënzot të së dielës, 2 tetor, është thirrje “in extremis” drejtuar të gjithëve që të jenë të përgjegjshëm, që të mbizotërojë interesi i përbashkët i njerëzimit mbi interesat e veçanta të fuqive të mëdha. Jemi ende në kohë.