Papa të rinjve: përqafoni Krishtin dhe përgjigjuni thirrjes për shenjtëri
Vatican News
Tregojini botës “cili është qëllimi i jetës sonë: të bashkohemi me Jezusin dhe, në këtë mënyrë, duke marrë pjesë në jetën e Tij, të arrijmë shenjtërinë për të cilën jemi thirrur”. Kjo është ftesa që Papa Leoni XIV u drejton të rinjve meksikanë, të mbledhur në Monterrey më 15 dhe 16 gusht për Ditën e Tretë Kombëtare të Rinisë.
Në një mesazh drejtuar organizatorëve dhe pjesëmarrësve të kësaj ngjarjeje, tema e së cilës është fjalia e Jezusit: “Edhe ju jepni dëshmi, sepse jeni me mua” (Gjn 15,27), Papa u kërkon të rinjve: Përqafojini këto fjalë në jetën tuaj, sepse vetëm të bashkuar me Krishtin mund të bëjmë që bota të besojë në Të, edhe në mes të problemeve që shihni përreth jush, të shkaktuara nga dhuna, indiferenca dhe mungesa e kuptimit.
Ndaluni dhe gjeni kohë në heshtje
Papa Leoni XIV e përkufizon takimin e Monterreyt si “një mundësi të bukur takimi mes të gjithë jush, së bashku me barinjtë tuaj, që buron nga bashkimi me Krishtin”. Dhe i fton të rinjtë meksikanë të jenë të aftë “të ndalen dhe t’i kushtojnë kohë heshtjes, për të dalluar atë që vërtet është e dobishme dhe pozitive”.
Në këtë mënyrë, përfundon Ati i Shenjtë, “të bashkuar me Mësuesin Jezus, do të mund të jeni dëshmitarët e Tij, shenja shprese për shoqërinë”. Dhe, para bekimit të tij apostolik, Papa i nxit të rinjtë meksikanë “të marrin pjesë në këtë ditë me gëzim të hareshëm”, duke ia besuar të rinjtë “mbrojtjes amtare të Shën Marisë së Guadalupes”.
