Kërko

2026.08.24 Membri della Fondazione Marsodeto

Papa: të mos braktisen familjet me persona me aftësi të kufizuara intelektuale

Leoni XIV, duke pritur Federatën spanjolle Marsodeto, e cila ndihmon mbi 2700 persona me aftësi të kufizuara dhe familjet e tyre, nxit të shohim tek më të brishtët vështrimin e Krishtit. Një vështrim, që sfidon dhe që "është diçka, e cila na bën të zhvillohemi", shpjegon Papa, "si shoqëri njerëzore dhe e krishterë"

Vatican News

         Është takimi me një ëndërr plotësisht të realizuar ai i Papës Leoni XIV me përfaqësuesit e Federatës Marsodeto, të themeluar në vitet 1980 në Toledo të Spanjës. Ati i Shenjtë i priti në Sallën Klementine, në Vatikan. Ëndrra është ajo e atë Marcelino Casas Fuentes, i cili, në një kohë kur fondet ishin të pakta, realizoi projektin për të ndihmuar 2700 vetë me aftësi të kufizuara intelektuale dhe paralizë cerebrale, së bashku me familjet e tyre.

         Takimi me Papën Leoni XIV u bë gjatë shtegtimit në Romë, me rastin e 45-vjetorit të themelimit të Marsodeto-s; një përvjetor, që Papa e kujtoi në fjalimin e tij në spanjisht.

“Falënderojmë Zotin për frymëzimin e atë Marcelino Casas Puente, i cili, më shumë se katër dekada më parë, solli në jetë atë, që atëherë dukej si ëndërr dhe që sot e shohim si realitet: që asnjë familje, në të cilën jeton një person me aftësi të kufizuara intelektuale, të mos braktiset”.

  (@VATICAN MEDIA)

Në fytyrën e më të brishtëve, të shohim Krishtin

Duke shprehur gëzimin e tij për takimin, Leoni XIV siguron bekimin e tij për veprën e kryer.

“Një detyrë e vështirë, padyshim; me kaq shumë punë të fshehur, që askush nuk e sheh e që shpërblehet vetëm nga Zoti, në të cilën është kënaqësi e vërtetë të zbulosh, në fytyrën e çdo njeriu, vetë Jezu Krishtin”.

  (@Vatican Media)

Të zhvillohemi si shoqëri njerëzore dhe kristiane

Pikërisht nga kryqëzimi më atë vështrim, vijoi Papa, mund të ndryshojmë dhe të zhvillohemi, siç ndodhi me Marsodeton, duke mbrojtur vlera si "solidariteti, dinjiteti njerëzor dhe gjithëpërfshirja". E gjithë kjo ka bërë të mundur afërsinë me njerëzit me aftësi të kufizuara intelektuale dhe paralizë cerebrale, duke përfshirë në projekte, theksoi Papa, edhe "një përfaqësim më të madh institucional".

“Të dish si ta njohësh, në jetën e më të dobëtve dhe më të prekshmëve, shikimin e Krishtit që na sfidon, është diçka që na ndihmon të zhvillohemi si shoqëri njerëzore dhe e krishterë”.

  (@VATICAN MEDIA)
24 gusht 2026, 15:54