Papa: një kohë përçarjesh ka nevojë për profetë të harmonisë
Vatican News
"Një kohë shumë shpesh e prekur nga përçarja dhe retorika e ashpër, ka nevojë të madhe për profetë të harmonisë që kërkojnë të ndërtojnë ura dhe të punojnë për të pajtuar qëndrimet kundërshtare, atje ku është e mundur". Papa Leoni XIV ua drejtoi ftesën Kalorësve të Kolombos të mbledhur këto ditë në Denver, Kolorado (SHBA) për Konventën e 144-të Supreme.
Përmes një videomesazhi, Papa siguron afërsinë e tij shpirtërore me ata që marrin pjesë në këto ditë "diskutimi, vëllazërie dhe lutjeje", me moton "Në Atë që është Një, jemi një".
Dialog i përvuajtur për të ruajtur unitetin
E pikërisht duke u përqendruar në këtë moto, Papa kujton se në Darkën e Mbrame, Jezusi u lut për Apostujt e tij, që të gjithë të ishin një: "Një dhuratë", kjo e unitetit, të cilën kërkoi t'u jepej edhe "atyre që do të besonin në të". "Megjithatë, vëren, ruajtja e unitetit shpesh nuk është e lehtë dhe nuk mund të merret si e parashikuar. Duhet të kultivohet në mënyrë aktive përmes dialogut të sinqertë dhe të përvuajtur". Prandaj, inkurajimi i Papës Leoni është “të dëshmoni për atë harmoni që Jezusi e dëshiron me aq zjarr në familjet tuaja, në famullitë tuaja dhe në komunitetet më të mëdha në të cilat jetoni dhe shërbeni".
Bamirësia, mjet i fuqishëm për forcimin e bashkimit
Veprat e bamirësisë, vëren Papa, " mund të jenë shpesh një mënyrë për të nxitur unitetin". Kur "ndërmarrim veprime për të ndihmuar ata që kanë nevojë, shpesh zhvillohet një harmoni e caktuar ndërmjet atyre që japin - e atyre që marrin" si dhe midis atyre "që punojnë së bashku për të ndihmuar vëllezërit dhe motrat". "Bamirësia," thekson ai, " bëhet kështu jo vetëm përgjigje ndaj vuajtjeve njerëzore, por edhe mjet i fuqishëm për të nxitur vëllazërinë dhe për të forcuar bashkimin që është në qendër të jetës së krishterë".
Fëmijë të palindur, të krishterë të persekutuar, të varfër...
"Duke vazhduar punën e filluar nga themeluesi juaj fisnik, i lumi Michael McGivney" - kujton Leoni XIV - ju, Kalorës të Kolombit, punuat së bashku për më shumë se një shekull, që të tregonit dashurinë e Krishtit për të palindurit, për nënat në pritje, për të krishterët e persekutuar, për viktimat e luftës ose të trafikimit të qenieve njerëzore, për të varfrit dhe të ligshtit dhe për ata që jetojnë në skutat e shoqërisë". Përmes nismave të ndryshme, si në nivel kombëtar ashtu edhe ndërkombëtar, "njerëz të panumërt përfitojnë nga mirësia juaj".
"Nga ana ime" - përfundon - shpreh mirënjohje të thellë për bujarinë e vazhdueshme të Urdhrit tuaj ndaj më pak fatlumëve, dhe besoj se përpjekjet tuaja do të vazhdojnë të japin fryte për shumë vite, që do të vijnë".
