2026.08.22 Visita Pastorale al Meeting per lâ  Amicizia fra i Popoli e alla città di Rimini

Papa në Takim: fjalë që nuk duhet të na anestizojnë, por të na sfidojnë të hapim horizontet tona

Një koment mbi fjalimin e Leonit XIV, në Rimini

Vatican News

Duke folur para pjesëmarrësve në Takimin e dyzet e shtatë të miqësisë ndërmjet popujve, këtë të shtunë, 22 gusht, Papa Leoni XIV ringjalli - për të përdorur fjalët e tij - "ëndrrat e vegimet", me fjalë që kanë vlerë për mbarë Kishën, të afta të hapin horizontin, në përkim me ndryshimin epokal në të cilin jemi zhytur.

E vërteta takohet në liri

Pa censuruar tragjeditë dhe sfidat që trondisin të tashmen tonë, Papa pati guximin të tregonte mundësinë e papritur që përfaqëson kjo epokë "dramatike dhe e mrekullueshme". Shoqëri e shekullarizuar, e konceptuar jo si armik për t'u luftuar, por si hapësirë ​​për t'u kuptuar, për të banuar e për të jetuar: shoqëri që nuk ka nevojë për kujtesa të vazhdueshme abstrakte, por përkundrazi, për hapjen e hapësirave të njerëzimit të vërtetë dhe lirisë së plotë brenda saj. Të shtunën e kaluar, në Rimini, Papa Leoni sqaroi pika themelore për Kishën "nuk është çështje numrash [...] Është çështje lirie: e vërteta takohet vetëm në liri". Një gjykim lirie: e vërteta gjendet vetëm në liri.” Ky gjykim nuk është i qartë as brenda vetë Kishës, përfshirë lëvizjet e saj, dhe gjykimin që kërkon ushtrim në kuptimin e së tashmes e që nuk lë vend për pretendime, frikë e paradigma, konsideruar të gabuara nga historia e kohëve të fundit. Në të vërtetë, vazhdon Papa, sa i nevojshëm është ky respekt i zjarrtë për lirinë e secilit person “po e kuptojmë gjithnjë e më shumë brenda rrethanave historike që rizgjojnë pyetjet më njerëzore dhe një dëshirë të pafundme për kuptimin, drejtësinë dhe paqen”.


T’i lexosh ndryshe shenjat e kohëve

Në nivelin kishtar, kjo do të thotë ndryshim paradigme në mënyrën se si jemi mësuar t’i lexojmë shenjat e kohërave, vazhdon Papa: "Një humbje e caktuar e ndikimit, të cilën ne të rriturit ndoshta e kemi pasur frikë dhe e kemi luftuar, duhet të na kishte zbuluar se mund ta vlerësojmë më shumë fuqinë e Ungjillit, lidhjet që krijon, logjikën që ndez, jetën që  jep jetë". Ajo që mund të duket si humbje e madhe e ndikimit të Kishës në shoqëri,  humbje e shpejtuar në mënyrë dramatike në fillim të këtij shekulli, nuk është diçka për t'u frikësuar, por përkundrazi: ajo që na lejon të njohim çka mund të prekë vërtet intimisht jetën tonë dhe në këtë mënyrë t'i ndikojë jetët tona, t'i ndikojë e t’i shndërrojë.

Riaktivizimi i thellësisë njerëzore

Papa Leoni thellon dhe zgjeron më tej horizontin e treguar tashmë nga paraardhësit e tij: "'Kisha nuk bën prozelitizëm. Ajo zhvillohet përmes tërheqjes.' Është tërheqja për një mënyrë të banimit në botë, për të cilën Don Giussani pyeste në mënyrë provokuese: 'A mund të jetojmë kështu?'". E tashmja jonë komplekse, kaq e vështirë për t'u deshifruar, mund të nxisë riaktivizimin e asaj thellësie njerëzore të përbërë nga nevoja, nxitjet dhe pyetjet, që na lejojnë vetëm të kapim risinë dhe bukurinë e një jete tërheqëse, asaj jete të Krishtit që tashmë dukej "e mrekullueshme dhe padyshim paradoksale" për botën e shekullit të dytë. Zemra njerëzore, siç kujtoi edhe Papa në Magnifica Humanitas, "ndjen nevojën për të zbuluar një plan tjetër" (nr. 230), të ndryshëm nga manovrat që synojnë fitimin e ndikimit ose ndërtimet joshëse ideologjike: ajo ka nevojë për mëshirën e një plani të ndryshëm, hirin e një logjike të ndryshme, një frymë të re jete, të papritur, e gjithsesi, të pritur nga çdo qenie njerëzore.

Të lëvizësh zemra e të prekesh

Në këtë besnikëri ndaj nevojës së vet autentike është e mundur të njihet dhe të mirëpritet misteri i Mishërimit, i Emanuelit: mëshira e pafundme e Zotit-me-ne. Mister që nuk na mat, por na çliron dhe na lejon të rrezikojmë. Pikërisht "bukuria e pamposhtur e këtij Misteri", deklaroi më tej Papa Leoni, "na kërkon ta pranojmë 'rrezikun edukativ' për të cilin foli Atë Giussani". Vetëm kjo bashkëkohësi e mundshme me vetë jetën e Zotit në Krishtin, e cila ripërtërihet në burrat dhe gratë që, gjatë shekujve, u tërhoqen nga Ai e nga banimi në Shpirtin e Tij; vetëm kjo prani e hyjnores në njerëzim është risia e vërtetë që e lëviz historinë dhe e shpëton, duke hapur një mundësi jete - dashurie dhe lirie - të cilën nuk mund ta kishim ëndërruar kurrë. Duke i bërë jehonë titullit të Takimit - "Dashuria që lëviz diellin dhe yjet e tjerë" (Dante, Parajsa, XXXIII) - Papa na kujton metodën e Zotit, "që mbetet vullnetarisht në heshtje" dhe që kështu manifeston efektivitetin e tij të vërtetë: prani reale, e aftë të lëvizë dhe ta trazojë zemrën dhe lirinë e njeriut: "Po, dashuria lëviz!".


Të njohësh kujt i përket dashuria

Duke ndjekur Agustinin, Leoni na kujton se vetë forma e mëshirës së Zotit për njeriun është pikërisht të bësh takim, duke rrezikuar dhe duke vënë gjithçka në bast për këtë dëshirë të pashuar në Atë, që banon në mënyrë të pakthyeshme në çdo burrë e në çdo grua. Nga tërheqja gjithmonë e re e kësaj zemre ndaj jetës dhe dashurisë së Krishtit, lind vetëdija për të vetmen përkatësi të vërtetë, që është baza e asaj bashkësie dhe e atij sinodaliteti për të cilin foli Papa dhe të cilën nuk mund ta ngatërrojmë si rezultat të konstrukteve ose strategjive njerëzore me pretendime uniforme. Është njohja "t’i përkasish vetëm Zotit", përkatësia e dashurisë, e vetmja gjë që çliron vërtet sepse "Në dashuri nuk ka kurrë shtrëngim, indoktrinim; kurrë joshje, mashtrim, rekrutim”.

Të bëjmë kthesë drejt shërbimit

"Dashuri ka vetëm në liri, në shkëmbim të gjallë, në dhuratë bujare të vetvetes". Uniteti është gjithmonë dhuratë hiri, pasi buron në plotësi vetëm përmes tërheqjes së Krishtit, i cili u afrohet burrave dhe grave të të gjitha kohërave. Për këtë arsye, kujtoi Papa, çdo autoritet në Kishë është i thirrur të shndërrohet "në shërbim, i cili nderon diversitetin dhe lehtëson harmoninë", pasi ajo që ata janë të thirrur të administrojnë nuk është kurrë shprehje e aftësisë së tyre për qeverisje ose strategji, por gjithmonë fryt i një uniteti "të pamundur", që vetëm prania e Krishtit e bën të mundur dhe e rinon: "Është Zoti ai që na ngre gjithmonë, si individë dhe si bashkësi!".

Përvoja e Zotit që vjen të na takojë

Mesazhi i Leonit XIV drejtuar Takimit meriton të meditohet në mënyrë kishtare nga të gjithë: është e rëndësishme ta lejojmë veten të sfidohemi nga fjalët e tij, pa rrezikuar t’i zvogëlojmë ose t’i zbusim, me qëllim që të theksojmë vetëm atë që duket se tashmë po e përjetojmë. Mesazhi i Papës, duke u thyer në një panoramë diagnozash kishtare të lodhura dhe të përsëritura, rigjallëron me frymëmarrjen e tij të guximshme dëshirën për të përjetuar “Zotin që bëhet takim, ngjarje, vështrim, përvojë, duke rizgjuar në secilin prej nesh dëshirën për t’u dashur dhe për të dashur”.

24 gusht 2026, 10:11