Papa: komunikimi të frymëzohet nga e vërteta dhe respekti për dinjitetin njerëzor
Vatican News
Papa Leoni XIV i dërgon një mesazh - të nënshkruar nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin - pjesëmarrësve në Kongresin Botëror të SIGNIS, i cili po mbahet nga 3 deri më 8 gusht në Kigali (Ruandë), me mbi 300 profesionistë nga 100 vende. Ati i Shenjtë u shkruan se kërkimi i së vërtetës dhe respektimi i dinjitetit njerëzor janë e duhet të jenë vlerat udhëzuese për komunikimin. Duke cituar enciklikën Magnifica Humanitas, Papa thekson se komunikimi online krijon kulturë dhe modelon ndërgjegjen kolektive, prandaj, duhet të promovohen strategji, që ndërtojnë një kulturë të themeluar mbi vlerat ungjillore të bashkimit, të paqes dhe të mbrojtjes së mjedisit.
Promovimi i të mirës së përbashkët dhe kulturës së takimit
Duke kujtuar rëndësinë aktuale të platformave dixhitale, Leoni XIV nënvizon se ato duhen përdorur në mënyrë të tillë që t'i shërbejnë së mirës së përbashkët të familjes njerëzore. Teknologjia duhet të favorizojë takimin e vërtetë ndërmjet njerëzve, pohohet në mesazhin papnor, që i nxit komunikatorët ta kapërcejnë nivelin e transmetimit të thjeshtë të informacioneve, për të ndërtuar hapësira dialogu ku teknologjia të mbetet vazhdimisht në shërbim të njeriut, duke ruajtur fytyrat dhe zërat njerëzorë.
Misioni i mediave katolike kundër izolimit
Mesazhi i Papës — i mbështetur edhe nga fjala e prefektit të Dikasterit vatikanas për Komunikimin, Paolo Ruffini — fton të luftohet "virusi i izolimit dhe i fragmentimit", që lind nga një përdorim algoritmik dhe çnjerëzor i teknologjisë. U bëhet thirrje profesionistëve katolikë të SIGNIS të jenë një rrjet njerëzish i bazuar në fenë e në besimin reciprok, duke u angazhuar për të ndërtuar një ekosistem komunikimi dixhital më të mirë, të orientuar drejt shërbimit të së vërtetës dhe kurrë drejt maksimizimit të fitimeve. Së fundi, prefekti Rufini vuri në dukje se risia më e madhe, që mund t’u ofrohet shoqërive, nuk do të jetë “një makinë më inteligjente”, por “një mënyrë komunikimi më njerëzore”.
