Papa do të vizitojë qytetin kufitar francez të Metzit si 'simbol miqësie midis popujve'
Vatican News
Pas një muaji, Papa Leoni XIV do të bëjë vizitën e tij të parë apostolike në Francë. E planifikuar për 25-28 shtator, Ati i Shenjtë do të shkojë në Paris, me një ndalesë në selinë e UNESCO-s, Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Arsimin, Shkencën dhe Kulturën. Të dielën, më 27 shtator, ai do të shkojë në shenjtëroren mariane të Lurdës dhe do ta përfundojë udhëtimin e tij apostolik të nesërmen, me një ditë të plotë në Metz, në Francën lindore, jo shumë larg kufirit gjerman.
Gjatë shekullit të kaluar burim konflikti, sot, ky kufi është kthyer në urë lidhëse midis dy popujve miq dhe në shenjë shprese në një botë të shkatërruar nga lufta, nga prirjet nacionaliste, nga ambiciet për dominim dhe nga mungesa e vizionit për të ardhmen. Pikërisht nga ky rajon kufitar, flet për Vatican Neës, kryeipeshkvi i Metz, imzot Philippe Ballot, i cili komenton vizitën e Papës.
Imzot Philippe Ballot, Papa Leoni XIV do ta përfundojë udhëtimin e tij apostolik në Francë me një vizitë në dioqezën tuaj të hënën, më 28 shtator. Si reaguat kur mësuat se Metz do të ishte një nga tre etapat e itinerarit të tij, së bashku me Parisin dhe Lurdën?
Ndjeva shumë gëzim e edhe pak krenari në emër të popullit të Moselle dhe të Metz, për shkak të historisë së tyre. Ky vend ka përjetuar tre luftëra, përfshirë dy luftëra botërore dhe dy aneksime, ndërsa sot është vend takimi dhe vëllazërimi. Armiqtë e dikurshëm janë bërë miq. Ata bashkëpunojnë, në vend që t’i kundërvihen njëri-tjetrit. Kufiri nuk është më vend ndarjeje, por vend takimi. Lidhjet me Gjermaninë janë shumë të forta.
Pra, kemi një mesazh shumë të fuqishëm këtu. Të mirëpresësh një Papë i cili, që nga fillimi i papnisë, ka ngulur këmbë për një paqe “të çarmatosur dhe çarmatosëse”, na jep ndjesinë se ai po na inkurajon të vazhdojmë ç’po bëjmë prej vitesh, që nga fundi i Luftës II Botërore: të jemi njerëz, që janë në paqe dhe që bëjnë paqe.
Ky është një mesazh i vërtetë për Evropën, veçanërisht në një kohë kur kontinenti evropian po përballet me tensione gjeopolitike dhe me mbylljen në politikën e identitetit. Çfarë mesazhi uniteti shpresoni se do të sjellë Papa ndërsa viziton këtë tokë të kufijve dhe të pajtimit, siç thoni ju?
Duhet të kemi një qëndrim dëgjimi. E pamë sa thelbësore është paqja për Papën kur, nga llozha, në ditën e zgjedhjes së tij, e paraqiti me këto fjalë: "Paqja qoftë me ju". Është "paqja e Krishtit të ringjallur". Ati i Shenjtë na thotë se kjo paqe vjen nga një njeri, nga Biri i Hyjit, i cili e mposhti vdekjen. Është një paqe hyjnore, një paqe për t’u jetuar. Papa, përmes fjalëve që ka thënë, na ka shpjeguar se kjo paqe fillon në zemrat e njerëzve, që vendosin të punojnë me të tjerët, të flasin me të tjerët, t’i kuptojnë të tjerët, t’i pranojnë të tjerët dhe t'u besojnë të tjerëve.
Tema e këtij udhëtimi është "Që bota të ketë jetë". Kjo sugjeron që jeta do të jetë ndër temat kryesore të vizitës, çështje me jehonë të madhe në Francë pas miratimit të ligjit mbi vdekjen e asistuar. Përmes fjalëve të Papës për jetën, kuptojmë se duhet t'i shërbejmë jetës dhe ta respektojmë dinjitetin e saj. Kudo që është e pranishme jeta njerëzore, dinjiteti është i pranishëm. Të marrësh jetën e njeriut do të thotë t’i heqësh dinjitetin - qoftë në fillim të jetës, në fund apo në mes të saj, për shembull, kur lejojmë anijet të kalojnë nnë Mesdhe, që po shndërrohet në varreza.
Në një nivel më praktik, organizimi i një vizite papnore është një ndërmarrje e madhe, madje gjigante, logjistike për një dioqezë. Si po vepron komuniteti për të organizuar vizitën këtu në Moselle?
I gjithë komuniteti po përfshihet. Na duheshin rreth 1.000 vullnetarë e tashmë e kemi tejkaluar këtë numër dhe njerëzit duan të marrin pjesë, pavarësisht nga bindjet e tyre fetare. Ndjekësit e feve të tjera janë të kënaqur që Papa po vjen dhe ndihen të nderuar nga vizita e tij. Në të njëjtën kohë, duhen zgjidhur edhe çështje sigurie dhe organizative. Metz-i është një qytet i vogël me 140.000 banorë, ose me 250.000 nëse përfshihet edhe zona metropolitane. Nuk kemi hapësira të mëdha, prandaj, na duhet një organizim, që u lejon njerëzve të marrin pjesë plotësisht dhe të mblidhen përgjatë rrugës. Po i ftojmë njerëzit të vijnë dhe ta përshëndesin Papën. Prania e tij do të jetë diçka unike dhe frymëzuese. Ai do të largohet nga Franca prej këtij vendi e, edhe kjo na ka krijuar entuziazëm të madh.
Çfarë na tregon kjo përgjigje e komunitetit për evolucionin e Kishës në Francë? Vitet e fundit, feja është ringjallur sërish në Francë, veçanërisht përmes shtimit të katekumenëve...
Diçka po ndodh. Kur mbërrita në dioqezën time katër vjet më parë, kishte 60 katekumenë. Vitin pasardhës, ishin 80, ndërsa 200 vitin e kaluar. Kur u qëndrojmë pranë njerëzve, prekim pyetjet e thella që i shqetësojnë, siç janë ndryshimi i klimës dhe inteligjenca artificiale. Shumë të rinj - në moshën 25, ose 30 vjeç - vijnë tek unë dhe thonë se nuk mund t'u përgjigjen këtyre pyetjeve vetë. Ky është një brez, që po bëhet i vetëdijshëm për përmasën fetare të jetës së tyre. Ne duhet të udhëtojmë krah tyre, siç thoshte dikur Papa Françesku.
A nuk është sfidë për barinjtë e Kishës të dinë si ta ushqejnë këtë flakë të vogël pa e shuar?
Pikërisht. Rreziku është se kontrollojmë shumë. Duhet t’i shoqërojmë këta të rinj, t’i lëmë të gjejnë vendin e tyre në jetë, pa u dhënë përgjigje të gatshme. Shpesh, them se na duhet një qasje baritore e bazuar në prani dhe marrëdhënie. Kur jemi të pranishëm, zhvillohen marrëdhënie, realizohen takime dhe mund të fillojë një dialog. Janë marrëdhënie të lira, pa pritur asgjë në këmbim.
