Papa: Ceuta, të gjinden zgjidhje për paqen, stabilitetin dhe drejtësinë për migrantët
Vatican News
Papa Leoni XIV, pas Engjëllit të parë të gushtit, nga dritarja e studios së tij në Pallatin Apostolik, i kthyer pak më parë nga Castel Gandolfo, u shprehu në spanjisht besimtarëve që përballonin vapën përvëluese të ditëve të fundit në Romë, dhe shumë të lidhurve nëpërmjet medias, shqetësimin e tij për ndjekjen e gjendjes së vështirë të dhjetëra mijëra emigrantëve që, ditët e fundit, tentuan të arrijnë nga Maroku - në Spanjë.
Vazhdoj të ndjek me shqetësim situatën alarmante në Ceuta, duke i kërkuar Zotit, përmes ndërmjetësimit të Zojës së Afrikës, të gjindet zgjidhje paqeje, stabiliteti dhe drejtësie.
Situata në Ceuta
Situata në Ceuta mbetet e rëndë pasi që, më 30 dhe 31 korrikun e kaluar, një fluks masiv emigrantësh nga Maroku kaloi kufirin në enklavën spanjolle, në një situatë të paprecedente, që shkaktoi vdekje të shumta. Emigrantët u përpoqën të notonin drejt territorit spanjoll. Sipas burimeve të sigurisë, cituar nga agjencia e lajmeve Efe, afërsisht 73,500 emigrantë u kthyen në Marok me 71 viktima. Ministria e Brendshme Spanjolle, megjithatë, nuk i konfirmoi këto shifra dhe mban qëndrim zyrtar për mbi 48,300 kthime krahasuar me 50,000-60,000 hyrje, me numrin e të vdekurve që raportohet se është rritur në 84.
Lutje për t'i dhënë fund luftërave në botë
Natyrisht, shqetësimi i Papës për ata që vuajnë nga konfliktet e shumta e të vazhdueshme në mbarë botën, nga më të mbuluarat prej medias deri tek të harruarit, mbetet i fortë.
Të vazhdojmë të lutemi për paqen, që në botë të marrin fund luftërat dhe të gjenden zgjidhje diplomatike për konfliktet. T’i kujtojmë të gjitha viktimat e armiqësive, veçanërisht më të ligshtit dhe më të pambrojturit: fëmijët, të moshuarit dhe të sëmurët. Zoti i ngushëlloftë ata që vuajnë dhe e bekoftë punën e atyre që sjellin ndihmë dhe ngushëllim.
Në Rusi, për të kujtuar vetëm konfliktin e vazhdueshëm në Evropë, pas bastisjeve të ushtrisë së Kremlinit në Ukrainë, të cilat në ditët e fundit kanë marrë të paktën tetë jetë, një bombardim vetëvrasës në Moskë jashtë një vendi ku thuhet se ishte i pranishëm kreu i Forcave Ajrore Ruse, vrau tre persona.
Ta bëjmë thesar "dhuratën e madhe" të Ndjesës së Asizit
Së fundi, mendimi i Leonit XIV kthehet në Asizi, qytet i Shën Françeskut, ku ai do të udhëtojë të enjten, më 6 gusht, për t'u takuar me të rinjtë e grupit "Shko! Takimi i të Rinjve Françeskanë 2026", së bashku me urdhërat fetare françeskane. Kujtoi edhe Solemnitetin e Ndjesës së Asizit, që nisi dje, të shtunën, më 1 gusht. Nga 29 korriku e deri nesër, më 3 gusht, është e mundur të merret ndjesa e plotë, e dhënë kishave famullitare dhe kishave françeskane në mbarë botën. Papa theksoi edhe se Shën Françesku e mori këtë ndjesë nga Papa Honori III, në vitin 1216, i frymëzuar, ndërsa po lutej në Porziuncola, nga një vegim i Jezusit dhe i Marisë, të rrethuar nga engjëjt.
Ta falënderojmë Zotin për këtë dhuratë të madhe dhe ta çmojmë, posaçërisht në tetëqindvjetorin e "Transitus" a “Kalimit” të Varfanjakut të Asizit, i cili vdiq në Porziuncola më 3 tetor 1226.
Përshëndetje grupeve të pranishme
Para se t'u urojë të gjithëve një të dielë të lumtur, Papa u drejtoi një përshëndetje të veçantë "të rinjve" të famullive të Saccolongo-s dhe Creola-s (Padova), të rinjve të Famullisë së San Giovanni Bosco-s në Altamura dhe të rinjve të Bashkëpunimit Baritor të Castelfranco Veneto, të shoqëruar nga priftërinjtë dhe udhëheqësit e tyre.
