Kërko

2026.08.03 Cardeal Dom Júlio Duarte Langa, Bispo Emérito de Xai-Xai (Moçambique)

Ngushëllimet e Papës për vdekjen e Kardinalit Langa: "Ai shpalli paqen"

Në një telegram dërguar Imzot Chimoio-s, administrator apostolik i Xai-Xai, në Mozambik, Leoni XIV shpreh ngushëllimet shpirtërore për ndarjen nga jeta, më 3 gusht, të Kardinalit, i cili iu përkushtua "me thjeshtësi, zell dhe këmbëngulje grigjës që i qe besuar, pa u dekurajuar nga vështirësitë"

Vatican News

Kujtim i përzemërt e plot respekt  nga Papa Leoni XIV, për Kardinalin Júlio Duarte Langa, ipeshkëv nderi i Xai-Xai, dioqeza e Mozambikut, të cilën ai drejtoi për afërsisht 28 vjet. 

Kur Kardinali ndërroi jetë më 3 gusht, në moshën 98 vjeç, Papa i shprehu ngushëllimet në një telegram drejtuar ipeshkvit françeskan-kapuçin  Francisco Chimoio, administrator apostolik i dioqezës së Mozambikut:

Bashkimi im shpirtëror dhe ngushëllimet e mia, ipeshkvnisë së Mozambikut, familjes së këtij vëllai të dashur, dioqezës së cilës i shërbeu me përkushtim dhe gjithë vendit, që vajton humbjen e një bariu kaq të shquar.

Angazhim për një të ardhme vëllazërie

Në një çast dhimbjeje, por "mbi të gjitha shprese", Papa Leoni lavdëroi Zotin për "jetën e gjatë të Dom Júlio-s dhe hirin e meshtarisë së tij për Mozambikun dhe Kishën universale".

Në vijim, kujtoi edhe disa aspekte të shërbesës baritore të Kardinalit të ndjerë:

Besnik ndaj Jezusit, Mësues e Zotëri, prej Tij mësoi artin e afërsisë në kujdesin baritor të shpirtrave, duke iu përkushtuar me thjeshtësi, zell dhe këmbëngulje grigjës që iu besua. Nuk e lejoi veten të dekurajohej nga vështirësitë, por dalloi, pikërisht prej tyre, vendet e etura për Lajmin e Mirë, veçanërisht kur u bë e nevojshme të shpallej Ungjilli i paqes dhe i pajtimit për një të ardhme vëllazërie ndërmjet të gjithë mozambikanëve.

05 gusht 2026, 13:15