Papa: Liturgjia duhet të ushqejë fenë, vëllazërinë dhe paqen
Vatican News
“Një fe që lind nga liturgjia dhe formohet prej saj është në gjendje të dalë në rrugët e njerëzimit dhe të sjellë fryte të së mirës, të pajtimit dhe të paqes”. Me këtë mesazh, Papa Leoni XIV u drejtohet pjesëmarrësve të Javës së 76-të Kombëtare Italiane të Liturgjisë, që zhvillohet në Catania nga 24 deri më 27 gusht.
Mesazhi, i nënshkruar nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, iu përcoll pjesëmarrësve përmes kryeipeshkvit metropolit të Katanzaros, imzot Claudio Maniago. Në qendër është tema “Një Kishë që lind. Liturgjia dhe Iniciimi i Krishterë”, të cilën Papa e cilëson me “rëndësi të veçantë” për jetën e Kishës sot.
Për Leonin XIV, gjithçka nis nga një e vërtetë themelore: Kisha nuk mund ta shkëpusë jetën e fesë nga liturgjia. Iniciimi i krishterë nuk mund të reduktohet në një periudhë përgatitore për marrjen e Sakramenteve. Ai duhet të jetë një hapësirë ku njeriu, brenda bashkësisë, rritet në fe dhe hyn gjithnjë e më thellë në jetën e Krishtit.
Është pikërisht kjo rrugë që, sipas Papës, shfaqej që në fillimet e Kishës. Të krishterët e parë dëgjonin mësimin e Apostujve dhe, në të njëjtën kohë, mblidheshin së bashku për të thyer bukën. Katekizmi dhe liturgjia ecnin krah për krah, duke formuar një bashkësi që mësonte të besonte jo vetëm me fjalë, por edhe përmes përvojës së gjallë të kremtimit. Kujtojmë se iniciimi i krishterë është njëproces përmes të cilit një person bëhet anëtar i Kishës dhe fiton jetën e re në Krishtin, i cili përbëhet nga tre sakramente: Pagëzimi, Krizmimi dhe Eukaristia (Kungimi i Shenjtë).
Prandaj, Leoni XIV fton Kishën të kthehet te ky burim. Liturgjia, thekson Ati i Shenjtë Prevost, nuk është një zbukurim i jashtëm i misterit të krishterë. Ajo është vendi ku misteri i Krishtit prek njeriun, e shndërron dhe e bën të lindë si “krijesë të re”.
Në këtë perspektivë marrin rëndësi edhe gjestet, simbolet dhe ritmet e liturgjisë. Ato nuk janë thjesht forma apo zakone që përsëriten. Përmes tyre, besimtari mëson të hapë zemrën ndaj veprimit të Zotit. Veçanërisht ata që sapo kanë nisur rrugëtimin e fesë kanë nevojë për kremtime që flasin, që ndihmojnë për të kuptuar dhe që e bëjnë të përjetohet konkretisht misteri i fesë.
Nga liturgjia te dashuria për tjetrin
Por një liturgji autentike nuk mbyllet brenda Kishës. Ajo vazhdon në jetën e përditshme. E Papa në mesazhin e tij kujton se kremtimi liturgjik është një shkollë e vazhdueshme e bashkësisë. Për këtë arsye, është e rëndësishme që besimtarët të mësojnë të kuptojnë pasurinë e riteve dhe “solemnitetin e matur” të gjesteve liturgjike.
Në fund shton Papa, testi i vërtetë i një kremtimi është ajo që ai prodhon në jetën e njeriut. Duke iu referuar letrës apostolike Desiderio desideravi të Papa Françeskut, Leoni XIV nënvizon se liturgjia duhet të jetë në gjendje të ungjillëzojë dhe të shndërrohet në dëshmi konkrete të dashurisë.
Sepse besimi që nuk arrin te tjetri mbetet i paplotë. Liturgjia duhet të çojë drejt bashkësisë, drejt kujdesit për tjetrin, drejt pajtimit.
Fjala e Zotit që dëgjohet dhe bëhet jetë
Një vend të veçantë në mesazhin e Papës zë edhe Fjala e Zotit. Liturgjia është, në mënyrë të privilegjuar, vendi ku Kisha e shpall dhe e shpjegon Shkrimin e Shenjtë.
Kontributi i Koncilit II të Vatikanit në këtë drejtim ka qenë, sipas Leonit XIV, jashtëzakonisht i rëndësishëm, veçanërisht në pasurimin e sasisë dhe larmisë së teksteve biblike të përdorura në liturgji.
Kjo pasuri, thekson Papa, duhet t’u bëhet e njohur sidomos atyre që janë në rrugën e iniciimit të krishterë. Nuk mjafton ta dëgjojnë Fjalën e Zotit; besimtarëve duhet t’u jepen edhe mjetet për ta kuptuar, për t’u kthyer vazhdimisht tek ajo dhe për ta bërë pjesë të jetës së tyre.
Në fund, mesazhi i Leonnit XIV bëhet një thirrje konkrete për ata që kujdesen për veprimtarinë baritore. Ata duhet të dinë të presin, të shoqërojnë dhe të edukojnë. Duhet t’i ndihmojnë njerëzit të zbulojnë kuptimin e mistereve të shenjta dhe, mbi të gjitha, të kujdesen që ajo që kremtohet në altar të sjellë fryte të dukshme në jetën e përditshme.
Sepse, në këndvështrimin e Papës, liturgjia është vërtet gjeneruese kur nga ajo lind një jetë e re: një fe më e thellë, një bashkësi më e fortë, më shumë dashuri, pajtim dhe paqe.
