Kërko

2026.08.24 Delegazione dell'Ordinariato Militare per il Portogallo

Leoni XIV: ushtarakët të jenë samaritanë të mirë, t’i mbrojnë qytetarët nga padrejtësitë

Sot, 24 gusht, Papa priti në audiencë anëtarë të Ordinariatit ushtarak të Portugalisë dhe përfaqësues të forcave të armatosura e të sigurisë së vendit, në Romë, me rastin e gjashtëdhjetë vjetorit të institucionit. Papa "ia besoi Zotit" dy ushtarët e rinj portugezë që vdiqën të premten e kaluar, të shtypur nga një automjet, ndërsa ndihmonin "bujarisht" kamionistin në autostradë

Vatican News

Çdo ushtar ka çdo ditë "misionin fisnik" të "mbrojtjes së sovranitetit të atdheut dhe sundimit të ligjit, duke vigjëluar sigurinë e bashkëqytetarëve dhe duke i mbrojtur nga padrejtësitë". Në këtë mënyrë, në një fjalim të mbajtur portugalisht, Leoni XIV përmblodhi detyrën e ushtarëve të mirë, duke pritur në audiencë në mëngjes, më 24 gusht, në Sallën e Koncistorit, Ordinariatin Ushtarak të Portugalisë, së bashku me anëtarë të Ushtrisë, Forca Ajrore, të Marinës, Gardës Republikane Kombëtare dhe Policisë së Sigurisë Publike të vendit.

Delegacioni i Ordinariatit, korpusit ushtarak portugez dhe agjencive portugeze të zbatimit të ligjit - afërsisht 70 persona - është në Romë për përvjetorin e gjashtëdhjetë të themelimit të Vikariatit, që para njëzet e pesë vjetësh "pati ipeshkvin e tij të parë".

Kujtimi i dy ushtarëve portugezë të vrarë në krye të detyrës

Papa i gjen cilësitë e ushtarit të mirë të mishëruara tek dy ushtarët e rinj të Ushtrisë Portugeze të moshës 21 dhe 22 vjeç, të cilët humbën jetën të premten e kaluar, më 21 gusht, duke u përplasur nga një automjet në zonën e shërbimit Cantanhede-Mealhada, në autostradën A1, ndërsa "bujarisht, si samaritani i mirë, ndaluan përgjatë rrugës për të ndihmuar shoferin e kamionit që ishte prishur. Papa ia beson "Zotit, së bashku me familjet e tyre".

Papa Leoni në audiencën e Ordinariatit ushtarak të Portogalisë (@Vatican Media)
Papa Leoni në audiencën e Ordinariatit ushtarak të Portogalisë (@Vatican Media)   (@Vatican Media)

Forca për të njohur kufijtë e vetvetes

Siç këshillon Letra e Shën Palit drejtuar Efezianëve, Ipeshkvi i Romës i inkurajon ata të jenë "të fortë në Zotin". Megjithatë, kjo forcë ka një cilësi shumë të veçantë, të cilën Leoni XIV e gjen në figurën e centurionit të Kafarnaos, siç tregojnë Ungjijtë e Mateut e të Lukës.

Jini të fortë në Zotin, si centurioni që, në Kafarnao, iu afrua Jezusit. Ai i njihte mirë vlerat që frymëzojnë jetën tuaj: bindjen, disiplinën, sakrificën, besnikërinë, shoqërinë, përkushtimin, përgjegjësinë dhe guximin. Në të njëjtën kohë, ai ushtar, ndjente nevojën për Zotin; e dinte se të jesh njerëzor nuk mjafton për vetveten, por aspiron diçka më shumë, diçka  që e tejkalon atë”.

Centurioni - përmblodhi Papa - kishte një shërbëtor të sëmurë, "që vuante tmerrësisht": ishte pikërisht shqetësimi i tij për këtë njeri, që e shtyu të kërkonte Jezusin për ta shëruar. Ushtari romak nuk ndjehej i denjë për ta pritur Mjeshtrin në shtëpinë e vet, por besonte fuqimisht se Ai mund ta shëronte shërbëtorin e tij duke shqiptuar "vetëm një fjalë". Ky qëndrim, sipas Papës, tregon një ndjenjë të thellë "hierarkie", e cila e çoi në njohjen e Jezusit si "Zotëria i tij - e Zoti i tij".

Ndërsa ky ushtar ishte i vetëdijshëm për autoritetin e tij, ai gjithashtu demonstroi para Birit të Perëndisë forcën e besimit dhe guximin e përulësisë. Në realitet, qeniet njerëzore, pavarësisht sesa përgjegjësi kanë, pavarësisht sesa pushtet ushtrojnë, pavarësisht sesa të paqortueshëm mund të jenë, kanë uri gjithmonë për të pafundmen dhe etje për përjetësinë.

Një etje që mund të shuhet vetëm "në Jezusin", në atë që shpërndan dhuratat e  pafundësisë e të amshimit.

  (@Vatican Media)

Ndriçohuni me Fjalën e Zotit

Leoni XIV u rekomandoi më pas Kapelanëve ushtarakë "rritjen shpirtërore të ushtarëve dhe policëve të kombit", duke i nxitur t'i mirëpresin, t'i dëgjojnë dhe t'i ndriçojnë me "urtinë e Fjalës së Perëndisë". Pikërisht nga ky kujdes, shtoi ai, "do të rrjedhin frytet e rritjes personale në praktikën e jetës së krishterë dhe forcimi i  esprit de corps të Forcave të Armatosura e të Sigurisë që ju shërbeni".

E para se t’i bekonte, Papa ua besoi Zojës së Fatimes misionet e ushtrisë portugeze, si brenda ashtu edhe jashtë vendit.

24 gusht 2026, 16:07