2026.07.25 video messaggio del Papa ai vescovi asiatici

Leoni XIV, të rinjve të Perusë: rindizeni shpresën në shumë zemra që vuajnë

Videomesazhi i Papës drejtuar të rinjve e të rejave, që marrin pjesë në Ditën Kombëtare të Rinisë, e cila vijon në Chulucanas nga 30 korriku deri më 2 gusht: "Hapni zemrat tuaja për të mirëpritur dhuratat e Zotit. Atë që përjetoni, mos e mbani vetëm për veten tuaj, as mos e lini vetëm në foto ose video në rrjetet sociale, por ndajeni dhe pasqyrojeni në jetën tuaj"

Vatican News
"Mos kini frikë të jeni mjete të Zotit për të ringjallur shpresën e shumë zemrave që vuajnë". Ky është mandat i vërtetë që Papa Leoni XIV, nëpërmjet një mesazhi video, ua beson të rinjve të shumtë të Perusë që, nga 30 korriku deri më 2 gusht, po marrin pjesë në Ditën Kombëtare të Rinisë.

Ngjarja, e organizuar nga Komisioni Episkopal për Rininë dhe Laikët e Konferencës Episkopale Peruviane, po zhvillohet në Chulucanas: një vend i veçantë për Robert Francis Prevost, i cili pikërisht në këtë qytet, në rajonin e Piurës, nisi misionin e tij në Amerikën Latine, në vitin 1985. Mision që zgjati mbi njëzet vjet. E që ai e filloi asokohe në përgjigje të një thirrjeje nga Zoti. Papa Leoni tani u kërkon shumë të rinjve dhe të rejave që marrin pjesë në këtë takim të rëndësishëm të të rinjve katolikë në vend, ngarkuar me çaste festimi, lutjeje dhe shoqërie. 

I riu Robert Francis Prevost, misionar në Chulucanas,  (Perù)
I riu Robert Francis Prevost, misionar në Chulucanas, (Perù)

Dalja nga zona e rehatisë së individualizmit

"Ju falënderoj nga thellësia e zemrës sime që iu përgjigjët kësaj iniciative, e cila e rinovon dhe e forcon jetën e Kishës" - theksoi Papa në mesazhin e tij video. E, duke u përqendruar në moton e Rinisë Peruviane për të Rinj (JNJ) - "Jini të guximshëm, Krishti jeton" - ai pohoi: "Pikërisht siguria e pranisë së gjallë të Zotit ndërmjet nesh është zjarri i brendshëm që na shtyn të jemi të guximshëm dhe të dalim nga zona jonë e rehatisë së individualizmit, e të jemi pjesë e një bashkësie vëllezërish dhe motrash në fe, të krijojmë lidhje autentike miqësie dhe kështu të dëshmojmë se është e mundur të jetosh i bashkuar në Krishtin". 

Mos e ruani vetëm në foto e video çka jetoni, por ndajeni

​Ftesa e Papës është "hapni zemrat tuaja gjerësisht për të mirëpritur dhuratat që Zoti dëshiron t'ju derdhë në këto ditë". E çka jetoni në këtë Ditë - u këshillon të rinjve - mos e mbani vetëm për vete, mos e lini të mbetet vetëm në fotot ndër celularët tuaj, ose në videot e rrjeteve sociale; ndajeni, reflektojeni me jetën tuaj, sepse shumë njerëz sot kanë nevojë për atë dëshmi të gëzueshme dhe ngjitëse, që mund ta transmetojë një i ri i dashuruar me Krishtin".

Në fund të videos, Leoni ia besoi të gjithë Zojës së Ungjillëzimit, në mënyrë që ajo  të "ndërhyjë për të rinjtë, që të jenë 'kripa dhe drita' e Krishtit në këtë tokë të dashur peruviane".

01 gusht 2026, 13:01