Ngushëllimet e Papës për viktimat e tërmetit në Indonezi
Vatican News
Papa Leoni XIV shpreh trishtimin e thellë për tërmetin në Indonezi: afërsi me viktimat dhe të prekurit. Një tërmet i fuqishëm ka goditur të shtunën, më 15 gusht, rajonin e Nusa Tenggarës Lindore, në Indonezi, duke lënë pas një bilanc të rëndë viktimash, të plagosurish dhe mijëra njerëz pa strehë. Përballë kësaj tragjedie, Leoni XIV ka shprehur trishtimin e tij të thellë dhe afërsinë me të gjithë ata që po përballen me pasojat e fatkeqësisë.
Tërmeti, me magnitudë 7.7, goditi fillimisht ishullin Flores, ndërsa gjatë ditës u pasua nga një seri lëkundjesh të tjera. Disa orë më vonë, një tjetër tërmet, me magnitudë 6.9, goditi ishullin Sumatra. Sipas bilancit paraprak, 53 persona kanë humbur jetën, 135 janë plagosur dhe rreth 13 mijë kanë mbetur pa shtëpi. Krahas humbjeve njerëzore, tërmeti ka shkaktuar dëme të mëdha materiale, duke shkatërruar banesa dhe duke dëmtuar rëndë infrastrukturën.
Afërsia e solidariteti Papës
Në një telegram të nënshkruar nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, dhe drejtuar Imzot Paulus Budi Kleden, SVD, kryeipeshkëv i Endes, Papa shpreh “solidaritetin dhe afërsinë e tij shpirtërore” me të gjithë ata që vuajnë pasojat e kësaj fatkeqësie, veçanërisht me personat e zhvendosur dhe të plagosur.
Ati i Shenjtë Leoni XIV u bën thirrje autoriteteve kishtare dhe civile që të vazhdojnë përpjekjet e tyre për “ndihmë humanitare”, ndërsa shpreh mirënjohjen dhe lutjen e tij për personelin e emergjencave që po angazhohet në operacionet e shpëtimit dhe në rikthimin e kushteve normale.
Papa i beson më pas të gjithë të ndjerët “mëshirës së Zotit të gjithëfuqishëm”, duke lutur për familjet që kanë humbur njerëzit e tyre dhe për të gjithë të prekurit, që të marrin “ngushëllim dhe forcë prej Zotit”.
Shkatërrime të mëdha dhe mijëra të zhvendosur
Përmasat e dëmeve janë të mëdha. Sipas Agjencisë Kombëtare për Menaxhimin e Fatkeqësive të Indonezisë, mbi 900 shtëpi janë shkatërruar, ndërsa rreth 450 të tjera janë dëmtuar. Tërmeti ka prekur edhe shërbimet dhe strukturat themelore të komuniteteve.
Të paktën 167 struktura publike, mes tyre shkolla, qendra shëndetësore dhe kisha, janë bërë të papërdorshme. Për mijëra njerëz të mbetur pa strehë, ditët pas tërmetit po kalojnë në struktura të përkohshme, ndërsa vijojnë përpjekjet e ekipeve të shpëtimit dhe të autoriteteve për t’u ardhur në ndihmë të prekurve.
Në këtë situatë të dhimbshme, mesazhi i Papës është një shenjë afërsie, solidariteti dhe lutjeje për popullin e Indonezisë, veçanërisht për viktimat, të plagosurit dhe familjet që janë goditur nga kjo tragjedi.
