Leoni në Meeting-un e Riminit: dashuria lëviz botën, ndërsa paqja ndërtohet duke u takuar
Vatican News
Papa Leoni XIV iu drejtua, sot pasdite, pjesëmarrësve të edicionit të 47-të të Meeting-ut për miqësinë mes popujve, në Panairin e Riminit, në një fjalim të gjerë mbi paqen, miqësinë mes popujve, përgjegjësinë e të krishterëve dhe rolin e të rinjve në një kohë të shënuar nga luftërat, krizat dhe pasiguritë.
Në qendër të fjalës së Papës ishte vetë kuptimi i fjalës “takim”. Duke kujtuar Shën Gjon Palin II, Leoni XIV theksoi se “takimi”, “takimi i miqësisë” dhe “miqësia mes popujve” marrin një domethënie të veçantë pikërisht në një kohë kur historia botërore përjeton momente dramatike. Sipas Papës, edhe sot paqja ruhet dhe përhapet nga njerëz që kanë guximin të takohen, të dëgjojnë dhe të përballen me njëri-tjetrin, pa u mbyllur pas frikës, kufijve apo dallimeve.
Miqësia shoqërore si rrugë drejt paqes
Leoni XIV iu referua enciklikës Fratelli tutti të Papa Françeskut dhe theksoi rëndësinë e miqësisë shoqërore, si shprehje konkrete dhe publike e vëllazërisë. Duke u njohur si bij të një Zoti të vetëm, njerëzit mund të zbulojnë atë që i bashkon përtej dallimeve, konflikteve dhe ndarjeve. Para kufijve, institucioneve dhe përkufizimeve politike, tha Papa, janë gjithmonë njerëzit.
Pikërisht këtu, sipas tij, qëndron edhe zemra e krishterimit: Ungjilli është zbulimi i një Zoti që nuk qëndron larg, por që vjen në takim me njeriun, bëhet ngjarje, vështrim dhe përvojë. Në këtë këndvështrim, Meeting-u nuk duhet të jetë një hapësirë e mbyllur për një grup të caktuar, por një udhëkryq për Kishën dhe shoqërinë, një takim që gjeneron takime të reja dhe hap rrugë të reja.
Përgjegjësia e një tradite të gjallë
Papa falënderoi Zotin për trashëgiminë e krijuar gjatë dekadave nga Meeting-u, por bashkë me këtë trashëgimi nënvizoi edhe përgjegjësinë historike që ajo mbart. Duke iu referuar mësimit të Koncilit II të Vatikanit, Leoni XIV kujtoi se gëzimet dhe shpresat, por edhe dhimbjet dhe ankthet e njerëzve të kohës sonë, sidomos të të varfërve dhe atyre që vuajnë, duhet të jenë edhe gëzimet, shpresat dhe vuajtjet e dishepujve të Krishtit. Meeting-u, tha ai, ka ditur të nxjerrë nga trashëgimia e madhe e së kaluarës arsye për t’u përballur me sfidat e së tashmes: artin, muzikën, letërsinë, shkencën, ekonominë dhe çdo shprehje të shpirtit njerëzor.
“Dashuria që lëviz diellin dhe yjet”
Duke u ndalur te tema e këtij edicioni, e marrë nga vargu i fundit i Komedisë Hyjnore të Dantes – “dashuria që lëviz diellin dhe yjet e tjerë” – Papa theksoi se dashuria e Zotit nuk është zhdukur dhe nuk e ka humbur fuqinë e saj. Ajo vepron në heshtje, ndryshe nga forcat e zhurmshme që tronditin tokën, qiellin dhe njerëzit.
Duke cituar Ungjillin, Leoni XIV kujtoi se Zoti “e bën diellin e tij të lindë mbi të mirët dhe të këqijtë” dhe “bie shi mbi të drejtët dhe të padrejtët”. Kjo, sipas tij, tregon ndryshimin mes bujarisë së Zotit dhe ngushtësisë së mendimeve njerëzore. Realiteti mbytet në llogaritjet tona, ndërsa merr frymë në bujarinë e Zotit.
E keqja nuk mund të mposhtet me të keqen
Një nga pikat më të forta të fjalimit ishte reflektimi mbi të keqen dhe luftën. Leoni XIV tha se të ndjekësh Krishtin pas tragjedive të shekullit XX do të thotë të kuptosh qartë një parim themelor: e keqja nuk luftohet me të keqen.
Në vend të një logjike force, armatimi dhe kundërshtie, Papa kërkoi një “realizëm të mëshirës”. Në këtë perspektivë, nuk mund të ketë armiq absolutë: edhe kundërshtarët duhet të shihen si vëllezër e motra, të cilët duhen takuar dhe përballuar në të vërtetën. Ati i Shenjtë paralajmëroi se kultura e pushtetit ka depërtuar në shumë fusha të jetës dhe kërkoi që ajo të pastrohet nga gjithçka që nxit dominimin, përfitimin dhe përçarjen.
Thirrje kundër varfërisë, pabarazisë dhe “kulturës së vdekjes”
Papa u bëri thirrje të krishterëve të çlirojnë bashkëjetesën nga dyshimi, kulturën nga arroganca dhe edukimin nga ideologjia. Po ashtu, ai kërkoi që puna të mos bëhet skllave e fitimit, ndërsa teknologjia dhe financat të mos shndërrohen në mjete të “bizneseve të vdekjes”.
Në organizatat dhe institucionet ku veprojnë, tha ai, të krishterët duhet të identifikojnë marrëdhëniet e padrejta të pushtetit që qëndrojnë në rrënjë të varfërisë, pabarazive, luftërave dhe katastrofave mjedisore.
Edhe zhvillimi teknologjik, paralajmëroi Papa, duhet të çarmatoset kur bëhet i pakontrollueshëm dhe shkatërrues. Për këtë arsye, nevojiten “pionierë të guximshëm”, njerëz që janë të gatshëm ta nisin ndryshimin nga vetja dhe ta bëjnë të besueshme kthesën që kërkohet nga shoqëria.
Të mos ushqejmë lodhjen dhe dëshpërimin
Leoni XIV bëri një thirrje të fortë për shpresën. “Në vend që të fryjmë zjarrin e lodhjes dhe dëshpërimit”, tha në thelb Papa, duhet të jemi ata që rindezin ëndrrat dhe vizionet. Papa dalloi dy rrugë: njëra ushqehet nga ndarja, tjetërsimi dhe dëshpërimi; tjetra i shërben Mbretërisë së Zotit dhe drejtësisë së tij.
Në një botë ku shpesh luftohen tregjet dhe hapësirat e ndikimit përmes retorikave politike dhe ideologjive tërheqëse, Papa ftoi të kërkohet një tjetër projekt: plani i mëshirës së Zotit, i cili vazhdon të veprojë edhe në epokën e algoritmeve dhe rrjeteve globale. Në qendër të këtij plani, tha ai, qëndron misteri i Mishërimit të Birit të Zotit, Jezu Krishtit.
“Rreziku edukativ” dhe përballja me realitetin
Duke iu referuar don Luigi Giussanit, themeluesit të lëvizjes kishtare 'Comunione e Liberazione' (CL), Papa foli për nevojën e marrjes së “rrezikut edukativ”. Edukimi i vërtetë, sipas këtij vizioni, nuk është ikje nga realiteti për të mbrojtur të mirën në mënyrë abstrakte, por përpjekje për ta promovuar të mirën pikërisht brenda realitetit, me të gjitha sfidat dhe rreziqet e tij. Leoni XIV i ftoi pjesëmarrësit ta marrin përsipër këtë përgjegjësi si një angazhim njëkohësisht me Krishtin dhe me botën.
Një mesazh i fortë për të rinjtë
Një pjesë e veçantë e fjalimit iu kushtua të rinjve, shumë prej të cilëve ishin të pranishëm si vullnetarë. Papa i përshëndeti si “shenjë se e ardhmja është një premtim dhe jo një kërcënim”. Ati i Shenjt tha se këtë shpresë e ka parë edhe te të rinjtë në vende të ndryshme të botës, përfshirë Libanin, Afrikën dhe Spanjën.
Dashuria, tha Leoni XIV, “lëviz, nxit, zgjon nga përgjumja, lind thirrje të reja dhe na fton të rrezikojmë”. Prandaj, të rinjtë duhet “të vihen në lojë”, të hapen ndaj një katoliciteti të vërtetë dhe të mos kufizohen brenda përkatësive të ngushta. Papa i nxiti të dalin në takim me njerëz të kulturave, ndjeshmërive dhe prejardhjeve të ndryshme, veçanërisht me më të varfrit.
Dashuria nuk imponohet
Leoni XIV këmbënguli se dashuria e krishterë nuk mund të ndërtohet mbi detyrimin, indoktrinimin apo manipulimin. Dashuria ekziston vetëm në liri, në përballjen e gjallë dhe në dhurimin bujar të vetvetes.
Ati i Shenjtë u kërkoi të rinjve të mos kenë turp nga përkatësia e tyre ndaj Krishtit dhe Kishës. Në një shoqëri gjithnjë e më të sekularizuar, fakti që shumë të rinj i afrohen Krishtit dhe kërkojnë pagëzimin, tha Papa, është një shenjë domethënëse. Por, theksoi ai, çështja nuk është vetëm numri. “Është çështje lirie: e vërteta takohet vetëm në liri.”
Kisha rritet përmes tërheqjes
Papa kujtoi mësimin e paraardhësve të tij se Kisha nuk bën prozelitizëm, por rritet përmes tërheqjes. Kjo tërheqje vjen nga një mënyrë e veçantë e të jetuarit në botë, nga një jetë që e bën njeriun të pyesë: “A mund të jetohet kështu?”
Leoni XIV pranoi se të krishterët e mbajnë thesarin e fesë “në enë prej balte” dhe se dëshmia e tyre shpesh shënohet nga kufizimet dhe mëkati. Por, shtoi ai, Zoti gjithmonë e ngre përsëri njeriun dhe komunitetin.
“Duajeni gjithmonë Kishën”
Duke iu drejtuar veçanërisht anëtarëve të Komunionit dhe Çlirimit, Papa i ftoi të duan dhe të ruajnë unitetin e Kishës dhe të bashkësisë që i ka sjellë te Krishti. Prevost kujtoi fjalët e Papa Françeskut se edhe momentet e vështira mund të jenë momente hiri dhe rilindjeje, duke përmendur lindjen e Komunionit dhe Çlirimit në klimën e krizës së vitit 1968. Në këtë kuadër, Leoni XIV e ftoi lëvizjen t’i përballojë ndryshimet me guxim ungjillor, besim te Krishti dhe bashkësi me Kishën.
Një Kishë që dëgjon dhe ecën së bashku
Në pjesën e fundit, Papa u ndal te dimensioni sinodal dhe misionar i Kishës. Në një epokë krizash të shumta, tha ai, të krishterët mund të rizbulojnë gëzimin e të qenit Populli i Zotit, i mbledhur nga popuj, gjuhë dhe kultura të ndryshme.
Për këtë rrugëtim është thelbësor dëgjimi: dëgjimi i Fjalës së Zotit, dëgjimi i njëri-tjetrit dhe dëgjimi edhe i atyre që kërkojnë të vërtetën, por nuk janë pjesë e Kishës. Sinodaliteti, sipas Leonit XIV, nuk është thjesht një proces administrativ. Është mënyra e të qenit një popull që ecën së bashku, në miqësi dhe në takim me tjetrin. Në këtë rrugë, autoriteti shndërrohet në shërbim, dallimet respektohen dhe çdo karizëm vihet në shërbim të së mirës së përbashkët.
Një thirrje për një “civilizim të dashurisë”
Në fund të fjalimit, Papa Leoni XIV u kërkoi pjesëmarrësve të dëshmojnë se çdo pasuri bëhet më e madhe kur ndahet, se çdo frikë mund të kapërcehet dhe se bashkimi është më i fortë se përçarja. Ai i ftoi të ecin së bashku me njëri-tjetrin, me drejtuesit e lëvizjes, me Selinë Apostolike dhe me Pasardhësin e Pjetrit.
Mesazhi që la në Rimini është një ftesë për një Kishë të hapur, një shoqëri që nuk mbyllet në frikë dhe një brez të ri që nuk heq dorë nga shpresa. Dhe mbi të gjitha, një ftesë për të besuar përsëri te dashuria që nuk imponon, por tërheq; që nuk ndan, por bashkon; që nuk ushqen luftën, por ndërton paqen. “Dashuria që lëviz diellin dhe yjet e tjerë” mbetet, sipas Leonit XIV, forca e heshtur që mund t’i japë drejtim historisë dhe të ndezë përsëri shpresën e njerëzimit.
