Kërko

2026.08.15 Angelus

Papa i lutem Zojës Mari për popujt në luftë dhe për të përndjekurit

Në përfundim të lutjes së Engjëllit të Tënzot në Castel Gandolfo, Papa iu drejtua Virgjërës Mari me një lutje, duke kujtuar popujt e Tokës së Shenjtë, popullin ukrainas dhe atë rus, si edhe banorët e Kolumbisë të goditur nga tërmeti i ditëve të fundit.

Vatican News

Në përfundim të lutjes mariane të Engjëllit të Tënzot kremtuar sot në mesditë, në Castel Gandolfo, Papa Leoni XIV iu drejtua Virgjërës Mari me një lutje të veçantë për popujt që vuajnë, duke kujtuar banorët e Tokës së Shenjtë, popullin ukrainas dhe atë rus, si dhe njerëzit e Kolumbisë të goditur nga tërmeti i ditëve të fundit.

Në ditën e Solemnitetit të Të Ngjiturit të Marisë në Qiell, Castel Gandolfo u bë, së bashku me Papën, vendi i një lutjeje që mund të quhet pothuajse “Urbi et Orbi”. Pas Meshës së kremtuar sot paradite, më 15 gusht, në famullinë e Shën Tomës nga Villanova, Leoni XIV u kthye në Pallatin Apostolik dhe, në mesditë, u shfaq sërish në pragun e rezidencës papnore para besimtarëve për lutjen e Engjëllit të Zotit.

Zemra e Papës, tha ai, dëshiron të arrijë te të gjitha bashkësitë civile që “jetojnë në rrethana të vështira”, duke ia besuar secilën prej tyre mbrojtjes së Zojës. “Sot dëshiroj të kërkoj ndërmjetësimin e saj amësor në emër të atyre bashkësive që kanë veçanërisht nevojë të ngushëllohen dhe të vazhdojnë të shpresojnë”.

Papa kujtoi veçanërisht “vëllezërit dhe motrat e Tokës së Shenjtë, e cila është në mënyrë të veçantë edhe Toka e Marisë”. Më pas përmendi popullin ukrainas dhe atë rus, “të dy të lidhur me përkushtim birnor ndaj Nënës së Shenjtë të Zotit”.

Pranë Kolumbisë së goditur nga tërmeti

Papa tha se mendon edhe për “të krishterët që vuajnë diskriminim ose madje përndjekje”. Leoni XIV ftoi gjithashtu të vazhdohet lutja “gjatë këtyre ditëve për popullsinë e Kolumbisë që po vuan për shkak të tërmetit”.

Maria, e ngritur në lavdinë e Qiellit, theksoi Leoni XIV, “është për të gjithë popullin e Zotit shenjë shprese dhe ngushëllimi”. Pikërisht për këtë, Papa u shpreh:

Unë bashkohem me këto bashkësi dhe me të gjitha ato që jetojnë në rrethana të vështira dhe, së bashku me to, lutem: ‘Shën Mari, lutu për ne!’

Në fund të lutjes mariane të Engjëllit të Tënzot , përveç përshëndetjeve drejtuar turmës së besimtarëve, Papa uroi që të gjithë të mund të “jetojnë një kohë pushimi, për të ripërtërirë trupin dhe shpirtin, edhe përmes ndonjë leximi të mirë dhe duke qëndruar pranë natyrës”

15 gusht 2026, 12:46