Në sallën e vogël të Sallës së Palit VI, Leoni XIV pret në audiencë ipeshkvijtë e Kishës Luterane të Norvegjisë. (@VATICAN MEDIA) Në sallën e vogël të Sallës së Palit VI, Leoni XIV pret në audiencë ipeshkvijtë e Kishës Luterane të Norvegjisë. (@VATICAN MEDIA)

Leoni XIV: gjestet e vogla të mirësisë dhe dashurisë mund të çarmatosin konflikte të mëdha

Papa priti sot, më 26 gusht, në audiencë, në sallën e vogël të Sallës Pali VI, një grup prej katërmbëdhjetë ipeshkvijsh të Kishës Luterane të Norvegjisë. Leoni XIV theksoi se, në këtë periudhë “veçanërisht të trazuar” që po kalon bota, nevojiten “rrugë konkrete pajtimi dhe vëllazërie”. Në fund, i ftoi të gjithë “të rritemi së bashku në shërbimin tonë për promovimin e paqes dhe drejtësisë”.

Vatican News

Në këtë “periudhë veçanërisht të trazuar” që po kalon bota – jo vetëm për shkak të “konflikteve” dhe “mosmarrëveshjeve ndërkombëtare”, por edhe për shkak të ashpërsisë me të cilën zhvillohet debati politik brenda çdo vendi – duhet të mësojmë nga Jezusi të ecim në udhën e mirësisë dhe të dashurisë, dy virtyte që kanë fuqinë për të “çarmatosur”. Ky ishte thelbi i fjalimit, të mbajtur në gjuhën angleze, me të cilin Papa Leoni XIV priti sot, më 26 gusht, në audiencë katërmbëdhjetë ipeshkvij të Kishës Luterane të Norvegjisë.

Duket se mes popujve po rritet armiqësia, vërejti Papa, e dukshme jo vetëm në konfliktet dhe mosmarrëveshjet ndërkombëtare, siç keni vënë në dukje edhe ju, por edhe brenda vendeve të veçanta, siç dëshmon hidhërimi që shpesh karakterizon debatin politik dhe shoqëror".

Të mësojmë “një rrugë tjetër”

Papa theksoi se përgjigjja nuk mund të jetë thjesht shfaqja e “armiqësisë” ndaj atyre me të cilët lindin keqkuptime, një qëndrim i nxitur edhe nga “gjendja jonë njerëzore e rënë”. Përkundrazi, nevojitet një përpjekje e përbashkët për të “kërkuar rrugë konkrete pajtimi dhe vëllazërie”.

Është një barrë që Jezusi e lehtëson, duke na mësuar “një rrugë tjetër”, duke na zbuluar se mirësia dhe dashuria kanë fuqinë të çarmatosin.

Edhe vizita e ipeshkvijve të Kishës Luterane të Norvegjisë, vuri në dukje Papa, bëhet kështu një shembull i një hapi të vogël, por të rëndësishëm, drejt unitetit.

“Prandaj jam sinqerisht mirënjohës për praninë tuaj këtu dhe për dëshirën tuaj të përbashkët për të kërkuar mënyra për të ndërtuar bashkimin. Në të vërtetë, edhe gjestet e vogla mund të na frymëzojnë dhe të na udhëheqin në udhën e pajtimit”.

T’i shërbejmë paqes dhe drejtësisë, në bashkim

Papa iu bashkua lutjes për unitetin që Krishti i drejton Atit në Ungjillin sipas Gjonit, që dishepujt e tij “të jenë të përsosur në unitet dhe bota të njohë se ti më ke dërguar dhe se i ke dashur ata ashtu siç më ke dashur mua”.

Në këtë drejtim, Leoni XIV shprehu dëshirën që “Pagëzimi ynë i përbashkët” dhe “misioni ynë i përbashkët në botë” të jenë themeli për “t'u rritur së bashku në shërbimin tonë në promovimin e paqes dhe drejtësisë”.

Më pas, Papa i ftoi të ndjekim shembullin e Shën Olavit, i cili jetoi nga viti 995 deri më 1030, mbret i Norvegjisë, martir dhe pajtor qiellor kombëtar i vendit, si edhe atë të Shën Sunnivës, martire dhe pajtore e Norvegjisë perëndimore.

Jeta e tyre, tha Papa, “kushtuar Zotit dhe të afërmit, ka ndihmuar në bashkimin e popujve dhe na ofron një dëshmi të qëndrueshme të fuqisë shndërruese të dashurisë”.

Në fund, Papa i nxiti ipeshkvijtë e Kishës Luterane të Norvegjisë të kërkojnë “bekimin e Zotit”, që “të na ndihmojë të jetojmë gjithnjë e më autentikisht si vëllezër dhe motra dhe, kështu, të japim dëshmi të përbashkët për Shëlbuesin tonë Jezus”.

“Vetëm në Të, një’”

Në fjalën e tij përshëndetëse drejtuar Papës, Olav Fykse Tveit, ipeshkvi kryesues i Kishës së Norvegjisë, tha se e kishte vlerësuar shumë zgjedhjen e motos për stemën papnore të Leonit XIV:

“Na frymëzuat thellësisht kur zgjodhët si moto: In Illo uno unum (‘Vetëm në Të, një’). Kjo na kujton lutjen e vetë Krishtit: Ut unum sint (‘Që të gjithë të jenë një’)”.

Ai shtoi se “uniteti i të krishterëve është një dhuratë e Zotit” dhe se ai shprehet “duke kryer së bashku veprën tonë dhe duke dhënë së bashku dëshminë tonë”.

Në përfundim, kryetari i Kishës së Norvegjisë kujtoi se gjatë kësaj vizite në Romë, ata janë ftuar nga për të dëgjuar dhe për të kuptuar më thellë se si mund t’i ndihmojnë të rinjtë të kërkojnë dhe të gjejnë vendin e tyre në Kishë dhe, përmes kësaj, të rriten në fe për t’i shërbyer Zotit dhe njerëzimit, si shprehje e fesë së krishterë.

26 gusht 2026, 12:51