2023.02.18 Armi nucleari e missili

Armët nuk e ruajnë paqen

Nga Pacem in Terris tek Koncili II i Vatikanit e deri te Françesku dhe Leoni XIV, mësimi i Kishës i identifikoi çarmatimin, besimin ndërmjet popujve dhe të drejtën ndërkombëtare si kushte të mirëfillta për paqen. Historia bashkëkohore dhe studimet mbi parandalimin flasin për kufijtë e një sigurie, të bazuar në ekuilibrin e frikës

Vatican News 
Historia moderne na mëson se paqja e bazuar në kërcënimin e armëve, nuk është  paqe e qëndrueshme, por ekuilibër i pasigurt, i ekspozuar ndaj gabimeve, përshkallëzimit dhe frikës. Parandalimi premton siguri përmes forcës, por faktet, në vend të kësaj, tregojnë se akumulimi i armatimeve kërkon të nxisë tensione, incidente, konflikte me ndërmjetësimin dhe format e reja të paqëndrueshmërisë. Koncili II i Vatikanit e quajti garën e armatimeve "një nga plagët më të rënda të njerëzimit" dhe pohoi se paqja nuk lind nga frika e armëve, por nga besimi i ndërsjelltë, drejtësia dhe ligji. 

Në Pacem in Terris Shën Gjoni XXIII bëri thirrje për reduktim të njëkohshëm dhe të koordinuar të armatimeve, duke e quajtur eleminimin e tyre rezultat të nevojshëm, sepse paqja e vërtetë nuk mund të mbështetet në arsenale kundërshtare. Papa Leoni XIV, në Mesazhin për Ditën Botërore të Paqes 2026, shkroi se "forca penguese e fuqisë, e në veçanti parandalimi bërthamor, mishërojnë irracionalitetin e një marrëdhënieje ndërmjet popujve të pabazuar në ligj, drejtësi e besim, por në frikën dhe përdorimin e forcës".

Mësimi i historisë kundër parandalimit

Ideja e parandalimit pohon se zotërimi i një force ushtarake të aftë për të penguar  kundërshtarin, parandalon luftën. Por ajo që ndodhi në Evropë para vitit 1914, tregon të kundërtën: riarmatimi i madh detar dhe tokësor nuk e ndaloi konfliktin, përkundrazi, kontribuoi në krijimin e një klime dyshimi, ngurtësie strategjike dhe mobilizimi të përhershëm, që e bëri krizën të pakthyeshme. 

Edhe Lufta e Ftohtë, e përmendur shpesh si provë e efektivitetit të parandalimit, në realitet karakterizohej nga kriza me rrezik jashtëzakonisht të lartë që, në disa raste, e çuan botën në prag të katastrofës bërthamore. Vetë Leoni XIV kujtoi kohët e fundit një ngjarje që flet vetë: më 26 shtator 1983, vendimi individual i oficerit sovjetik Stanislav Petrov parandaloi një alarm të rremë, që të shkaktonte një luftë të mundshme bërthamore globale. Nëse paqja varet nga aftësia për shkatërrim dhe nga sistemet e armëve të mbajtura në gatishmëri, mjafton një gabim teknik, një aksident ose një llogaritje e gabuar për të përshpejtuar humnerën. Një paqe që varet nga një gabim i dështuar, nuk është paqe e garantuar nga armët, por armëpushim i kërcënuar nga vetë armët.

Prova nga studimet empirike

Edhe hulumtimi empirik nuk e justifikon aspak pretendimin sipas të cilit do të kesh  më shumë paqe, sa më shumë armë të kesh. Disa studime sasiore tregojnë një lidhje statistikisht të rëndësishme ndërmjet rritjes së importeve të armëve dhe  probabilitetit më të madh të konfliktit të brendshëm në kontekstet më të brishta, megjithëse pa demonstruar marrëdhënie shkakësore të domosdoshme. Por provat e sotme tregojnë se parandalimi nuk përbën themel historikisht të besueshëm për paqen.

Reflektimet e Bobbio dhe Galtung

Norberto Bobbio, jurist laik i vëmendshëm ndaj të dhënave historike, e pranoi se "mënyra më e sigurt për të eliminuar luftën do të ishte shkatërrimi i armëve". Por ai e konsideroi këtë proces politikisht kompleks, nëse do t'u besohej vetë shteteve. Në këtë drejtim, filozofi, duke përdorur një pamje të gjallë dhe paradoksale, i krahasoi  me një "kongres pijanecash" të thirrur për të ndaluar alkoolin. Por Bobbio nuk nxori nga kjo justifikimin për frenimin, përkundrazi, nevojën për të forcuar institucionet ligjore mbikombëtare të afta për të imponuar kufizime reale mbi sovranitetin e armatosur të shteteve. 

Johan Galtung, atë i kërkimit të paqes, argumentoi se "paqja negative" - ​​mungesa e thjeshtë e luftës - është e paqëndrueshme, nëse nuk adresojmë strukturat e dhunës dhe padrejtësisë që e nxisin. Galtung këmbëngul se siguria e bazuar në armë, prodhon vetëm armëpushime të pasigurta; "Paqja pozitive" kërkon çarmatim progresiv, ndërmjetësim në konflikte dhe ndërtimin e institucioneve të afta për të transformuar mosmarrëveshjet, pa kërcënime të armatosura.

Magjisteri i Leonit XIV e i Françeskut

Në këtë pikë, magjisteri më i fundit është bërë edhe më i qartë. Papa Françesku e  quajti frenimin bërthamor "të pamjaftueshëm" për kërcënimet e kohës sonë dhe  deklaroi se vetë grumbullimi i armëve bërthamore është imoral. Papa Leoni XIV e çoi këtë diagnozë më tej, duke shkruar në tekstin e parë të librit "Të çarmatosur dhe çarmatosës: Paqja është dhuratë": "Sidomos në epokën atomike, pohimi i së vërtetës duhet të fitojë terren: nuk janë armët atomike ato që krijojnë paqen, por çarmatimi".

Çmimi i riarmatimit

Në të njëjtin Mesazh për Ditën Botërore të Paqes, Leoni XIV kujtoi edhe se në vitin 2024 shpenzimet ushtarake globale u rritën me 9.4%, në krahasim me vitin e kaluar, duke arritur në 2,718 trilion dollarë, të barabartë me 2.5% të PBB-së globale. Këto janë shifra të mëdha, që dëshmojnë se riarmatimi nuk është përjashtim, por trend strukturor, që konfirmon një pikë kyçe të Magjisterit: çdo burim i investuar në garën e armatimeve devijohet, të paktën pjesërisht, nga arsimi, kujdesi shëndetësor, bashkëpunimi dhe zhvillimi njerëzor. Kur shqyrtohen dokumentet, të dhënat dhe krizat që shënuan epokën bashkëkohore, parandalimi nuk duket të jetë themel i sigurt për paqen, por më tepër mekanizëm i brishtë, që e normalizon frikën, ndërsa dhunën e bën gjithnjë të disponueshme. Teza më realiste nuk është se arsenalet do ta shpëtojnë botën, por se bota përplot me armë bëhet më e paqëndrueshme, më e kushtueshme dhe më e ndjeshme ndaj të pariparueshmes. Edhe e drejta e shteteve për mbrojtje legjitime përballë agresionit, e njohur nga doktrina shoqërore e Kishës dhe e drejta ndërkombëtare, nuk përkon me pohimin se parandalimi i armatosur përbën themelin e paqes.

Paqja lind nga çarmatimi

Kjo është arsyeja pse çarmatimi nuk është sentimentalizëm abstrakt, por  domosdoshmëri historike, morale dhe politike. Tradita e Kishës, nga Pacem in Terris te Koncili, deri te Françesku dhe Leoni XIV, konvergon në një pikë të saktë: paqja e vërtetë nuk lind nga një ekuilibër kërcënimesh, por nga besimi, e drejta ndërkombëtare, diplomacia dhe çarmatimi i durueshëm material e shpirtëror.

01 gusht 2026, 12:26