Videomesazh i Papës Leoni XIV për të rinjtë portugezë: “entuziazmi i fesë suaj është ngjitës”
Vatican News
Titulli i Takimit rinor në Lamego të Portugalisë, “Gëzohuni”, ishte lajtmotivi i videomesazhit, që Papa Leoni XIV u dërgoi të rinjve, të cilët nga 24 deri më 26 korrik, kremtojnë Ditën Kombëtare kushtuar atyre. “Gëzohuni në Zotin së bashku me ipeshkvijtë dhe përgjegjësit, që ju shoqërojnë ju dhe shumë të rinj të tjerë në Portugali. Gëzohuni me ata, të cilët ju ndihmojnë në fe dhe ju hapin dyert e zemrës suaj për Krishtin, Udhën, të Vërtetën dhe Jetën”.
“Dashuria që tregoni për Krishtin na ngushëllon”
Ati i Shenjtë kujton Ditën Botërore të Rinisë 2023, si ditë të mrekullueshme e të lumtur, me harmoni ndërmjet gjuhëve e kulturave të origjinës së të rinjve. Kujton se këtë atmosferë të Lisbonës e përjetoi sërish gjatë Jubileut të vitit të kaluar e, edhe gjatë udhëtimit të fundit në Spanjë. “Është gjithmonë e veçantë të rrish me të rinjtë – vëren Papa në videomesazh - sepse entuziazmi i fesë suaj është ngjitës! Dashuria që tregoni për Krishtin na ngushëllon! Është e mrekullueshme, në ditët tona, të shohësh të rinj - si ju! - plot fe dhe pa frikë për ta thënë këtë. Është bukur kur sheh se keni etje të madhe për të vërtetën dhe se e kërkoni atë me zemër të sinqertë. Është bukur kur sheh se keni etje për drejtësi dhe bamirësi dhe nuk kënaqeni me vlera kalimtare. Është bukur kur sheh se e doni bukurinë, veçanërisht atë bukuri kaq të lashtë dhe kaq të re, që është Zoti ynë, i cili na pret në thellësitë e qenies”.
“Bëni pyetje”
Leoni XIV i inkurajon të rinjtë të ecin përpara me guxim, pa pasur frikë nga “shqetësimet, që ndiejnë brenda vetes”, madje duke përfituar prej tyre për t’ju afruar edhe më tepër Krishtit. “Mos lejoni asgjë dhe askënd t’ju rrëmbejë shpresën” përsërit Ati i Shenjtë thënien e njohur të Papës Françesku.
Më pas, Papa i nxit të rinjtë të bëjnë pyetje, të hyjnë në dialog me Zotin për të kuptuar cili është vendi i tyre në shoqëri e në Kishë e cila është thirrja e Hyjit për ta. Pavarësisht prej saj, i këshillon ai, “Zoti na kërkon gjithmonë të jemi shenjtorë, dhe shenjtorët janë thellësisht njerëzorë. Prandaj, jini njerëzorë siç është Krishti dhe, me siguri, do ta ndryshoni këtë botë për mirë. Zoja jonë e Fatimës, Nëna e Këshillit të Mirë, ju ndihmoftë!”. Me këto fjalë e përfundon videomesazhin e tij Papa Leoni XIV, duke u dhënë të rinjve takim në Ditën Botërore të Rinisë 2027, që do të mbahet në gushtin e atij viti, në Seul, kryeqyteti i Koresë së Jugut.
