Thirrja e Leonit për Tokën e Shenjtë: të rikthehen negociatat për një paqe të drejtë
Vatican News
Paqja vazhdon të mbetet një horizont i largët në Tokën e Shenjtë dhe në gjithë Lindjen e Mesme. Ajo nuk arrin të marrë formë, nuk gjen qëndrueshmëri dhe vazhdon të sakrifikohet përballë interesave që ushqejnë dhunën dhe shkatërrimin. Pikërisht këtë shqetësim Papa Leoni XIV e vendosi në qendër të mesazhit të tij pas lutjes së Engjëllit të Zotit , të dielën e fundit të korrikut, nga Sheshi i Lirisë, në Castel Gandolfo.
Dinjitet i barabartë dhe të drejta të barabarta
Koha e pushimeve verore nuk e shkëputë Papën nga shqetësimi me të cilin vazhdon të ndjekë shkallëzimin e dhunës në Tokën Shenjte, ku - kujton ai - shumë civilë u vranë kohët e fundit në Bregun Perëndimor dhe në Gaza. Fjalë të forta u drejtohen udhëheqësve politikë:
Ju drejtoj një thirrje të fortë për t'u rikthyer në bisedimin e një zgjidhjeje të drejtë politike, të bazuar në dinjitetin dhe të drejtat e barabarta të çdo personi njerëzor, dhe për t’i rihedhur poshtë veprimet e reja ushtarake e vendimet e njëanshme, veçanërisht ato që shkelin respektin e status quo-së në viset e shenjta të çdo besimi fetar.
Ndaloni sulmet, rihapni dialogun dhe diplomacinë
Shikimi i Papës shtrihet në të gjithë Lindjen e Mesme, ku shkallëzimi i dhunës dhe i shkatërrimit të shkaktuar nga operacionet ushtarake, ka një ndikim "të rëndë", vëren, mbi jetën e shumë civilëve. Edhe mungesa e ujit të pijshëm si dhe e energjisë elektrike është faktor që nuk anashkalohet në thirrjen e Papës. Prej këtu, Papa vazhdon:
“Nga thellësia e zemrës sime, i bëj thirrje të gjitha palëve të përfshira të pezullojnë sulmet dhe të rihapin urgjentisht vendet për dialog e diplomaci, për të arritur paqen aq të dëshiruar për të gjithë rajonin, sa më shpejt që të jetë e mundur. Zoti i prektë zemrat dhe i ndriçoftë mendjet e atyre që janë përgjegjës, në mënyrë që pajtimi dhe paqja të arrihen së shpejti".
Kjo është lutja e Pasardhësit të Pjetrit, i cili u kërkon të gjithëve t'i kujtojnë në lutjet e tyre të gjithë popujt, që vuajnë për shkak të luftës.
Lutja për paqe në Liban i është besuar të Lumit Hoayek
Vëmendja për fatin politik dhe humanitar të rajonit të Lindjes së Mesme shqetëson edhe Libanin "tejet të dashur", etapë e shtegtimit të parë apostolik të Leonit XIV. Të nesërmen e lumnimit, pikërisht në Vendin e Kedrave të Elias Hoayek, Patriarkut të Antiokisë së Maronitëve nga viti 1899 deri në vitin 1931 dhe Themeluesit të Kongregacionit të Motrave Maronite të Familjes së Shenjtë, që e udhëhoqi për më shumë se tridhjetë vjet Kishën Maronite, "me përkushtim të madh dhe ndjeshmëri baritore", Papa kujtoi njeriun që tani konsiderohet "Ati i Libanit të Madh". Për Papën, mbetet "njeri i dialogut e i shpresës" dhe "njeri i shkëlqyer kishtar, shoqëror e politik". Ndaj rekomandon lutje ndërmjetësimi lidhur me dhuratën e paqes për të gjithë popullin.
Të sigurohet vëmendje e ndihmë për të moshuarit
Në festën e Shenjtorëve Joakimi e Ana, Papa nuk i harroi as gjyshërit dhe të moshuarit. E bëri këtë në Ditën e sotme që u kushtohet e që, në vitin e saj të gjashtë, i bën jehonë fjalëve të Isaisë:
"Por unë kurrë nuk do t'ju harroj".
Të vetëdijshëm se ata janë dhuratë për Kishën dhe për shoqërinë, Papa na fton:
Të angazhohemi për të respektuar e për të vlerësuar rolin e tyre të çmuar dhe për t'u garantuar gjithmonë vëmendjen dhe ndihmën e duhur.
