2025.11.20 Visita ad Assisi

Një meshë dhe një takim me të rinjtë e me françeskanët, në programin e vizitës së Papës në Asizi

U bënë të ditura hollësitë e vizitës baritore të Leonit XIV në qytetin e Umbries, të enjten, më 6 gusht, për takimin "Shkoni! Takimi i të Rinjve Françeskanë 2026". Ati i Shenjtë do të mbërrijë në Asizi rreth orës 8.30 e do të shkojë në Bazilikën e Shën Marisë së Engjëjve, ku do të kalojë gjithë paraditen, para se të niset për në Vatikan rreth orës 12.00

Vatican News

         Një takim me të rinjtë dhe me përfaqësuesit e urdhrave françeskanë, i ndjekur nga mesha në Bazilikën e Shën Marisë së Engjëjve. Këto janë etapat, që do të karakterizojnë vizitën baritore të Papës Leoni XIV në Asizi, më 6 gusht, për "Shkoni! Takimi i të Rinjve Françeskanë 2026" - veprimtari ndërkombëtare, që do të mbledhë të rinj nga e gjithë bota në qytetin e Umbries, për tri ditë lutjeje dhe dialogu.

Mbërritja në Shën Marinë e Engjëjve

Programi, i publikuar sot, më 30 korrik, nga Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë, parashikon që Papa të niset nga heliporti i Vatikanit në orën 8.00. Pas një fluturimi prej gjysmë ore, Ati i Shenjtë do të mbërrijë në fushën sportive "Migaghelli" në Shën Marinë e Engjëjve, ku do të mirëpritet nga ipeshkvi i dioqezave të Assisi-Nocera Umbra-Gualdo Tadino dhe Foligno, imzot Felice Accrocca; zv.sekretari i Presidencës së Këshillit të Ministrave, Alfredo Mantovano; presidenti i Rajonit të Umbrias, Stefania Proietti; prefekti i Perugias, Francesco Zito; kryetari i bashkisë së Asizit, Valter Stoppini; si edhe presidenti i Provincës së Perugia-s, Massimiliano Presciutti.

Takimi me të rinjtë e françeskanët dhe mesha

Leoni XIV do të shkojë më pas me makinë drejt Bazilikës së Shën Marisë së Engjëjve. Me të mbërritur , do të përshëndetet nga eprorët e përgjithshëm të urdhrave françeskanë - Fretërit e Vegjël, Konventualët dhe Kapuçinët: fretërit Massimo Fusarelli, Carlos Alberto Trovarelli dhe Roberto Genuin. Rreth orës 8.45, në Piazza Santa Maria degli Angeli, Papa do të takohet me të rinjtë, duke iu përgjigjur tri pyetjeve, që do t’i bëjnë. Më pas, rreth orës 9.45, në kiostrin e kuvendit, do të përshëndesë përfaqësuesit e urdhrave françeskanë, ipeshkvijtë e pranishëm dhe anëtarët e Komitetit Kombëtar për 800-vjetorin e vdekjes së Shën Françeskut të Asizit. Në orën 10.30, në Bazilikë, Papa do të kremtojë meshën, në përfundim të së cilës do të marrë një falënderim nga një i ri. Pas kremtimit eukaristik, Ati i Shenjtë do të largohet nga Bazilika dhe do t’u japë lamtumirën autoriteteve. Mbërritja në Vatikan është planifikuar për në orën 12.45.

Vizita e mëparshme në Asizi

E njoftuar më 19 shkurt, kjo është vizita e dytë baritore e Papës në Asizi. Leoni XIV pati shkuar edhe më parë, më 20 nëntor 2025, për të përfunduar Asamblenë e 81-të të Përgjithshme të Konferencës së Ipeshkvijve Italianë (CEI). Me atë rast, u lut në varrin e Varfanjakut të Asizit në Bazilikën e Epërme të Shën Françeskut. Duke përshëndetur françeskanët atë ditë, Papa u premtoi se do të kthehej në qytetin e Umbries.

30 korrik 2026, 15:44