Kërko

Sekretari i Shtetit të Vatikanit, Kardinali Pietro Parolin Sekretari i Shtetit të Vatikanit, Kardinali Pietro Parolin

Kard. Parolin: në Ukrainë paqja ende mungon, në Iran duhet t’u kthehemi negociatave

Në kuadrin e prezantimit të librit “Pashka e paqes. Nga Gjoni XXIII te Leoni XIV drejt Jubileut të vitit 2033”, Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kard. Parolin, bëri thirrjen për ndërtimin e urave të bashkëjetesës në Gaza. Duke komentuar protestat në Bolonjë pas vdekjes së Abderrahim Fakir, Parolin theksoi se “dhuna nuk është kurrë frytdhënëse”. Gjithashtu, ai nënvizoi domosdoshmërinë që fjalët e Kishës në favor të paqes të japin fryte, për të arriturnjë bashkëjetesë paqësore dhe ndërtuese.

Vatican News

Me rastin e prezantimit të librit “Pashka e paqes. Nga Gjoni XXIII te Leoni XIV drejt Jubileut të vitit 2033”, kardinali Pietro Parolin, Sekretar i Shtetit i Selisë së Shenjtë, shprehu shqetësimin e tij për përkeqësimin e situatës ndërkombëtare, duke folur për luftën në Ukrainë, tensionet në Lindjen e Mesme dhe rolin e Kishës katolike në promovimin e paqes.

Duke komentuar zhvillimet më të fundit në Ukrainë, kardinali Parolin vuri në dukje se, fatkeqësisht, ngjarjet po ecin në drejtimin e kundërt nga ai i shpresuar. Sipas Sekretarit të shtetit të Vatikanit, konflikti po përshkallëzohet, ndërsa perspektiva për një paqe të afërt mbetet ende e paarritshme. Kard. Parolin kujtoi se, sipas informacioneve të sjella nga kryeipeshkvi Paul Richard Gallagher, i cili sapo ishte kthyer nga një mision gjashtëditor në Ukrainë, nata ndërmjet së shtunës dhe së dielës shënoi një nga sulmet më të rënda që prej fillimit të luftës.

Duke folur për Iranin, kardinali Pietro Parolin vërejti se memorandumi i mirëkuptimit nuk është më në fuqi dhe se zhvillimet e fundit ngjallin shqetësim. Ai pranoi se është e vështirë të parashikohet se si do të përfundojë kjo krizë, por nënvizoi se mbetet thelbësore rikthimi në tryezën e negociatave. Vetëm një marrëveshje e qëndrueshme, tha kard. Parolin, mund t'i shërbejë të mirës së Iranit dhe të gjithë bashkësisë ndërkombëtare, sepse situata të tilla rrezikojnë paqen botërore.

Lidhur me ndërtimin e murit nga ushtria izraelite në Rripin e Gazës, Sekretari i Vatikanit, kard. Parolin rikonfirmoi qëndrimin e pandryshuar të Selisë së Shenjtë. Me një shprehje të thjeshtë, por domethënëse, ai përmblodhi vizionin e Vatikanit: "Jo mureve, po urave." Sipas kard. Parolin, ndërtimi i urave të dialogut dhe bashkëjetesës mbetet e vetmja rrugë për të kapërcyer konfliktet.

Në përfundim, Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Parolin u ndal te misioni i Kishës katolike për të mbjellë paqe në një kohë të karakterizuar nga polarizimi dhe gjuha e urrejtjes. Ai kujtoi se Kisha nuk resht së shpalluri fjalë pajtimi dhe dialogu, edhe kur rezultatet nuk duken menjëherë. Duke iu referuar shëmbëlltyrës ungjillore të mbjellësit, kard. Parolin shprehu shpresën se këto fjalë do të japin fryte në zemrat e njerëzve. Sipas tij, është detyrë e Kishës të vazhdojë me këmbëngulje të dëshmojë vlerat e dialogut, të paqes dhe të bashkëjetesës, sepse vetëm mbi këto themele mund të ndërtohet një shoqëri vërtet paqësore dhe krijuese.

23 korrik 2026, 11:10