Kërko

Uliksi në Shpellën e Polifemit, (nga Jakob Jordaens, Muzeu Pushkin) Uliksi në Shpellën e Polifemit, (nga Jakob Jordaens, Muzeu Pushkin)

Papët dhe Odisea: udhëtimi, si kërkim i kuptimit

Poema homerike që frymëzoi filmin e ri të regjisorit Christopher Nolan, për Papët është mbi të gjitha metaforë e udhëtimit ekzistencial të njerëzimit. "Shpëtimi, siç ka thënë Papa Françesku gjatë vizitës së tij apostolike në Greqi në vitin 2021, është në det të hapur, në vrull, në kërkim, në ndjekjen e ëndrrave".

Vatican News

Të lexosh Odisenë përmes reflektimeve të Papëve ofron perspektivën mbi botën dhe kuptimin e qenies. Një premisë e domosdoshme ka të bëjë me fjalën εὐαγγέλιον (evangelium) evangelium, që ka një histori të gjatë. Në vitin 2012, Papa Benedikti XVI, në Asamblenë e përgjithshme të zakonshme të Sinodit të ipeshkvijve, theksoi se ky term "duket te Homeri", në veprën Odisea: "është njoftim i një fitoreje, e për këtë arsye, shpallje e mirësisë, e gëzimit, e lumturisë. Duket, pastaj, në Izainë e Dytë (cfr Is 40:9), si zë që kumton gëzimin e ardhur nga Zoti, e zë që e bën të qartë se Zoti nuk e ka harruar popullin e tij".

Odisea dhe pyetjet themelore

Udhëtimi i Uliksit shpaloset, para së gjithash, ndërmjet pyetjeve themelore që karakterizojnë rrugën e ekzistencës njerëzore: kush jam unë? Nga vij - e ku po shkoj? Në poezitë e Homerit, siç lexojmë në enciklikën "Fides et Ratio" të Papës Gjon Pali II, këto janë pyetje që e kanë "burimin e tyre të përbashkët në dëshirën për atë kuptim që e ka shtypur gjithnjë zemrën njerëzore: drejtimi që duhet t'i jepet ekzistencës varet nga përgjigja e këtyre pyetjeve".

Kërkimi i kuptimit

Ftesa që mbështet Odisenë që nga faqet e para, nuk është të ndalet në Itakë. Nisja për udhëtim bëhet burim njohurie për të hartuar, përmes përvojës, sekuencat e ndryshme të jetës. Edhe kërkimi i së vërtetës nuk duhet të jetë pritje inerte. Papa Pali VI e shprehu këtë shqetësim të shëndetshëm në audiencën e përgjithshme të 7 dhjetorit 1966, me një pyetje: "A nuk është Uliksi, që përpiqet të bëhet ekspert në botë e në veset njerëzore e edhe në trimëri (Dante, Inferno 26), më i madh se Penelopa e qetë?".

Ulisse riconosciuto da Euriclea (di William-Adolphe Bouguereau)

Në kryeveprën e Homerit, “Odiseja”, njohja e Uliksit (Odiseut) nga shërbëtorja e tij e vjetër, Euriklea, është një nga momentet më kulmore dhe prekëse të eposit. (di William-Adolphe Bouguereau)

Vlera e udhëtimit

Fati i njeriut nuk ndërtohet duke pritur që ngjarjet të marrin formë dhe substancë. Papa Françesku, gjatë vizitës së tij apostolike në Greqi, në vitin 2021, shpjegoi se "udhëtimi në një det të trazuar, siç mëson përralla e madhe homerike, është shpesh e vetmja rrugë". E gjatë vizitës së tij në Parlamentin Helenik, më 6 dhjetor 2021, shpjegon se nuk mund të qëndrojmë të palëvizshëm përballë pikave të kthesës dhe stuhive vendimtare të jetës. Në Odisenë e Homerit, kujtoi Papa argjentinas, heroi i parë që shohim nuk është Uliksi, por një i ri. Është Telemaku, i biri: "ai nuk e kishte njohur kurrë të atin, ndaj është i shqetësuar e i dekurajuar, sepse nuk e di se ku është a ndoshta edhe se nuk ekziston".

Përpara një udhëkryqi

Papa Françesku, duke vazhduar të skicojë portretin e Telemakut gjatë udhëtimit të tij apostolik në Greqi, shpjegon se "ka zëra të ndryshme, përfshirë edhe atë të hyjnisë, që e nxisin të ketë guxim e të niset". "E ai e bën këtë: ngrihet, e përgatitë fshehurazi anijen e, me nxitim, sapo lind diellit, niset për një aventurë". Zgjedhja e Telemakut ndikon jo vetëm në fabulën e eposit, por edhe në hapat e brezave të rinj që kërkojnë të ndërtojnë të ardhmen mes vështirësive dhe pasigurisë. Vendimi i djalit të vetëm të Odiseut dhe i Penelopës është gjithashtu vendim i marrë nga shumë emigrantë të cilët, në kohën tonë të shqyer nga tensioni dhe konflikti, i projektojnë ëndrrat e tyre përtej frikës dhe ankthit.

Shpëtimi "qëndron në det të hapur"

Rrëfimi i Homerit është kështu metaforë për shtegtimet e shumta të Telemakut dhe të Odiseut, që lundruan në detet e historisë dhe që vazhdojnë të lundrojnë në sfidat e paraqitura nga bota bashkëkohore. Françesku, duke e lidhur Odisenë me jetën e përditshme, thekson se "kuptimi i jetës nuk është të ngujohesh në plazh, duke pritur që era të sjellë gjëra të reja". Jeta njerëzore shtrihet drejt horizontit. "Shpëtimi qëndron në det të hapur, në shtysë, në kërkim, në ndjekjen e ëndrrave - ato të vërtetat, ato me sy të hapur, të cilat përfshijnë lodhje, luftë, erëra të kundërta, stuhi të papritura".

Ulisse e le sirene. Mosaico pavimentale romano del secolo II d.C.

Odiseu dhe sirenat – mozaik romak i dyshemesë, që daton në shekullin II pas Krishtit.

Ndërmjet dy deteve

Ka çaste në jetë kur e kaluara dhe e ardhmja duken sikur mbivendosen dhe zënë të njëjtën skenë. Papa Françesku, duke u takuar me seminaristët nga dioqezat e Kalabrisë, në vitin 2023, kthehet në çastin vendimtar të përjetësuar në përrallën e Homerit, ndërmjet peripecive të udhëtimit dhe kthimit në shtëpi. "Homeri, në Odisenë, tregon se Uliksi, drejt fundit të udhëtimit të tij, zbarkoi në një rrip toke nga i cili mund të admironte bukurinë e dy deteve". Në atë bukuri, notojnë kujtimet dhe ëndrrat njerëzore: rrënjë që duhen ruajtur - e fryte që duhen korrur.

E gjithë jeta jonë është udhëtim

Në përvojën e udhëtimit, posaçërisht në dinamikën e tij ekzistenciale, mund të depërtojmë në kuptimin më të thellë të dimensionit njerëzor: "E gjithë jeta jonë - deklaroi Papa Leoni XIV në audiencën e përgjithshme të 31 dhjetorit 2025, është udhëtim, qëllimi përfundimtar i të cilit tejkalon hapësirën dhe kohën, për t'u përmbushur në takimin me Zotin dhe në bashkim të plotë e të përjetshëm me Të".

"Të gjithë jemi migrantë," shtegtarë "në udhëtim drejt atdheut qiellor", dhe kuptimi i udhëtimit, thekson në fund Papa Leoni XIV gjatë vizitës së tij apostolike në Spanjë, është ta bësh udhëtimin "më njerëzor për të gjithë, duke ofruar çka është në dispozicion të të gjithëve". Ashtu si Uliksi, njeriu është i thirrur të vihet për udhë dhe të përballojë provat e jetës!

28 korrik 2026, 10:05