Kërko

Ipeshkvijtë e Azisë në asamblenë e tyre plenare në Xhakartë Ipeshkvijtë e Azisë në asamblenë e tyre plenare në Xhakartë

Papa u kërkon Kishave në Azi të ndërtojnë ura bashkimi në të gjithë kontinentin

Videomesazh i Leonit XIV për asamblenë plenare të ipeshkvijve dhe për Federatën e Konferencave Ipeshkvnore të Azisë, mbledhur në Xhakartë, Indonezi, nga 21 deri më 26 korrik, për të diskutuar mbi udhët e reja të impenjimit misionar. Duke përmendur enciklikën “Magnifica Humanitas”, Papa i nxit të promovojnë një "përshpirtëri eukaristike", që rrjedh nga "bashkimi kishtar i bazuar mbi dashurinë, dhuratë e Zotit në Eukaristi"

Vatican News

Papa Leoni XIV u shpreh afërsinë e tij të thellë shpirtërore rreth 150 ipeshkvijve nga 29 vende aziatike, që morën pjesë në takimin më të rëndësishëm rajonal të Kishës Katolike në Azi, nga 21 korriku deri nesër, 26 korrik. Ai u dërgoi një videomesazh në Xhakarta, ku janë mbledhur ipeshkvijtë e Federatës së Konferencave Ipeshkvnore të Azisë, përpara se asambleja plenare e tyre të shqyrtojë projektin e mesazhit përfundimtar dhe dokumentin për zbatimin e rekomandimeve të mbledhjes.

Forcimi i bashkimit kishtar

Ati i Shenjtë e bën të qartë dëshirën e tij për unitet brenda dhe ndërmjet Kishave lokale. Në prag të përfundimit të asamblesë plenare, pas së cilës do të kremtohet mesha në katedralen e Zojës së Madhe, e ndjekur nga një vizitë në xhaminë Istiqlal përmes Tunelit të Miqësisë - një kalim simbolik, që lidh dy vendet e kultit dhe një simbol ndërkombëtar i impenjimit të Indonezisë për harmoni ndërfetare - fjalët e Papës i inkurajojnë ipeshkvijtë të vijojnë udhën e nisur e të krijojnë lidhje.

“Shpresoj – nënvizon Leoni XIV - që lidhjet e bashkimit brenda dhe midis Kishave lokale të forcohen dhe të bëhen gjithnjë e më shumë shenjë e pranisë së Zotit në vendet tuaja, duke ju ndihmuar kështu të jeni, së bashku, ndërtues urash në të gjithë Azinë”.

Promovimi i një përshpirtërie eukaristike

"Si dishepuj të tij sot, e dimë se Jezu Krishti nuk është vetëm gurra e bashkimit tonë me Zotin, por edhe e bashkimit me njëri-tjetrin", thekson Papa, duke cituar enciklikën e tij të fundit “Magnifica Humanitas” për të vënë në dukje rëndësinë e bashkëpunimit, me sytë drejt Krishtit, ndërmjetësit të vetëm midis Hyjit dhe njerëzimit. Nga bashkimi me Të, përsërit ai, lind solidariteti i vërtetë i krishterë.

“Për këtë arsye – përfundon videomesazhi - dëshiroj t'ju inkurajoj të vazhdoni të promovoni një përshpirtëri eukaristike në Kishat tuaja lokale, pra, një përshpirtëri të unitetit kishtar, bazuar mbi dashurinë, që rrjedh nga dhurata e Zotit në Eukaristi”.

25 korrik 2026, 10:35